LAJMET E MBRËMJES

Kryhen testime në Urën e Ibrit me kamionë të ngarkuar rëndë, rezultatet brenda disa ditësh

Mbi urën e lumit Ibër, të enjten u vendosën katër kamionë të mëdhenj. Lëvizja e tyre mbi urën e mbyllur për qarkullim të automjeteve është përdorur për të testuar qëndrueshmërinë e saj. Testimet e bëra nga autoritetet qendrore, u tha se janë finale para hapjes së urës

Në një fazë të re kanë hyrë veprimet në drejtim të hapjes së urës mbi lumin Ibër për qarkullim të automjeteve. 

Të enjten, u kryen testime për qëndrueshmërinë e saj, duke vendosur mbi të kamionë të ngarkuar rëndë. 

Derisa pajisjet kryenin matjet me instruksionet e personave përgjegjës, kamionët nisën të lëvizin ngadalë mbi urë: prej jugut drejt veriut. 

Zv.ministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, tha se këto testime janë përfundimtare. 

"Këto janë testimet e fundit.... në bazë të asaj që unë di dhe përvojës si inxhinier kjo është ura më stabile... nëse raporti thotë që nuk është stabile do të vazhdojmë me veprimet e tjera", tha Durmishi. 

Durmishi u shpreh se rezultatet e stabilitetit të urës do të bëhen të ditura brenda pak ditësh, por nuk tregoi se kur pritet të bëhet hapja e saj nëse gjithçka është në rregull. 

"Se kur do të hapet ura nuk e di por e di që ura do të hapet se nuk ka arsye që të jetë e mbyllur", tha Durmishi. 

Derisa mbi urë zhvilloheshin testimet, poshtë saj vazhdoi puna për pastrimin e hapësirave si dhe lyerja e mureve me ngjyrë. 

Punimet, nga afër, u përcollën edhe nga ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi,  kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq si dhe këshilltarja e ministrit Xhelal Sveçla, Jeta Tela. 

Testimet për stabilitet e rivitalizimi vizual i urës, janë në mesin e veprimeve që autoritetet qendrore kanë paralajmëruar se do t'i ndërmarrin para hapjes së saj për qarkullim të automjeteve.

Bashkësia ndërkombëtare është shprehur kundër hapjes së urës, pa marrëveshje në dialogun që po zhvillohet në Bruksel.