Me gjithë pritjet që Kuvendi Komunal i Zveçanit mbledhjen e së martës do ta mbante në objektin kryesor komunal, ajo u zhvillua sërish në zyrën alternative në fshatin Lipë. Por kryetari i kësaj komune, Ilir Peci, premtoi se mbledhja e radhës do të mbahet në objektin kryesor
Me rreth tri orë mund të përmblidhet koha sa në objektin e Komunës së Zveçanit ka qëndruar për dy ditë kryetari Ilir Peci. Një ditë pasi në qendër të Zveçanit, Peci u pa që nga zgjedhja e tij në krye të Komunës, ai të martën vizitoi për rreth një orë e gjysmë objektin, e në të u takua me zv.ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri.
Me gjithë pritjet që Kuvendi Komunal i Zveçanit mbledhjen do ta mbante në objektin komunal, të martën ajo u zhvillua sërish në zyrën alternative në fshatin Lipë.
Në këtë mbledhje, rreth 20-minutëshe të gjatë, mes të tjerash, kryetari Ilir Peci raportoi për punën e tij në krye të Komunës. Tha se raporti është shtatëfaqësh, por prezantimit të tij i ra shkurt. Sipas Pecit, që nga qershori janë përmbushur 70 për qind të kërkesave të qytetarëve. Ai përmendi rregullimin e shtresave të rrugëve në tri fshatra të komunës, rregullimin e dy ambulancave, rregullimin e ndriçimit në fshatin Banjskë e të tri fushave sportive në tri shkolla në fshatrat Kelmend, Boletin e Zhazhë të Zveçanit.
“Është në përfundim e sipër rregullimi i tri rrugëve në qendër të Komunës në Zveçan. Shpresoj që brenda një afati shumë të shkurtër kanë me fillu punimet si në fshatrat shqiptare, edhe në fshatrat serbe”, ka thënë ai në ekspozenë e tij para asamblistëve.
Kryetari i Zveçanit, Ilir Peci, tha se caktimi i seancës një javë më parë është arsyeja pse ajo u mbajt në zyrën alternative, ku ka funksionuar që nga zgjedhja e tij.
“U thirr kuvendi shtatë ditë më herët dhe nuk e kam paraparë që si kryetar komune mundem me fillu ditën e djeshme në Komunën e Zveçanit. Aty janë pothuajse të gjithë zyrtarët, të gjithë drejtorët qe një javë”, ka thënë ai.
Sipas Pecit, shumë shpejt do të vendoset përfundimisht në objektin e komunës në qendër të Zveçanit.
“Të gjitha drejtoritë, Komuna jonë i ka 12 drejtori, të gjitha drejtoritë që janë atje janë të gatshëm për me i krye të gjitha shërbimet. Unë pak kam qëndru atje(në objektin e Komunës), rreth një orë e gjysmë përafërsisht se kemi pasë rreth gjashtë takime këtu (në zyrën alternative në fshatin Lipë) dhe m’u ka dashtë me ardhë këtu, mirëpo mirë. Gjithçka është në rregull”, ka thënë ai.
Por, arsye tjetër për mosmbajtjen e mbledhjes së Kuvendit Komunal në objektin e Komunës dha zv.ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri. Sipas tij, mbledhja e mbajtur të martën ishte e fundit në zyrën alternative.
“Kjo është mbledhja e fundit e Kuvendit Komunal që do të mbahet në këtë godinë. Mbledhja e ardhshme do të mbahet në godinën e Komunës së Zveçanit, aty ku është salla e mbledhjeve. Arsye pse sot (e martë) nuk është mbajt në atë sallë kjo mbledhje e Kuvendit Komunal është thjesht e arsyes teknike. Nuk është adaptuar ende, nuk është përgatitur salla për t’i akomoduar asamblistët dhe nuk ka ende kushte për t’u mbajtur mbledhja”, ka thënë ai.
Duke folur për raportin e punës së kryetarit Peci, Vokrri tha se realizimi i objektivave të parapara nuk ka qenë i lehtë për asnjërin prej katër kryetarëve në komunat me shumicë serbe në veri. U shpreh i bindur se situata do të jetë më ndryshe këtë vit. “Ajo që e shpërfaqi në raportin e tij kryetari ka qenë më se e pritshme, tani e tutje do të shtohet hovi i punëve edhe do të arrihet të përmbushen më shumë objektiva jo vetëm nga ky kryetar”, ka thënë ai.
Pas tensioneve në Zveçan, vitin e shkuar, objekti i Komunës vijon të sigurohet nga Policia e Kosovës, ndonëse në numër më të vogël.
Nga fshati Lipë, me të përfunduar mbledhja e Kuvendit Komunal, kryetari Peci e zv.ministri Vokrri u drejtuan për në qendër të qytetit. Në objektin komunal ata zhvilluan një takim rreth njëorësh. Derisa nga kryetari u tha se do të vazhdojë punën për të gjithë qytetarët pa dallim, zv.ministri premtoi intensifikim të bashkëpunimit.
Për dallim nga Ilir Peci i Zveçanit, punën si kryetar në objektin e Komunës që nga java e shkuar është duke e bërë ai i Zubin-Potokut, Izmir Zeqiri. Që nga zgjedhja e tyre, Peci e Zeqiri detyrat i kanë ushtruar në objekte alternative. Në objektet komunale të dy kryetarët nisën të kthehen pas dështimit të votimit për shkarkimin e tyre.