Kryetari i Zubin-Potokut, Izmir Zeqiri dhe zv.ministri i Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri kanë “inspektuar” objektin komunal që është në proces të rinovimit. Zeqiri pas zgjedhjes kryetar ka qëndruar shkurt në këtë objekt për t’u zhvendosur më pas në zyre alternative ashtu siç ka bërë edhe kryetari i Zveçanit, ndryshe nga kryetari i Leposaviqit që nuk e ka braktisur objektin komunal përkundër protestave të serbëve lokal e kërkesave të ndërkombëtarëve. Zeqiri, pas afro një vit qëndrimi në Çabër, muajin tjetër pritet të kthehet në zyrat e dedikuara për pushtetin komunal
Izmir Zeqiri ka vizituar objektin e komunës në Zubin Potok, të premten, aty ku ai prej afro një viti do të duhej të kryente detyrat e kryetarit. Me gjithë paralajmërimet për kthimin në objektin kryesor në qendër të qytetit, Zeqiri funksionin e kryetarit vazhdon ta kryejë nga zyra në Çabër.
Objekti l që nuk është ende i gatshëm për shkak të rinovimit të hapësirave të saj, përveç nga Zeqiri, u vizitua edhe nga zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri. Atij iu prezantuan disa nga zyrat shtetërore që janë funksionale në katin e parë të objektit në qendër të Zubin-Potokut.
Mosprania e kryetarit në objektin komunal është arsyetuar me kushtet jo të përshtatshme për punë. Por, në to, nuk iu krijua qasje ekipit të KOHËS.
“Nuk ju preferoj me u ngjitë shkallëve përpjetë sepse e kemi edhe njësinë e policisë derisa të hiqet prej këtu”, tha kryetari Zeqiri para se të ngjitej në katet e tjera të objektit.
Në mungesë të një zyre adekuate, Zeqiri takimin me zv.ministrin Arbër Vokrri e zhvilloi në shkallët e objektit të komunës. Kryetari, që ishte mysafir në zyrën e tij, tha se do të zhvendoset në të, sapo të kryhen rinovimet.
“Kemi objektin që ka nevojë për pak renovime... Nuk është hera e parë që jam këtu”, ka thënë ai.
Sipas Zeqirit një ekip i tij është duke bërë inspektimin e gjendjes së objektit, e për të cilin tha se ka telashe me rrymën, ujin, inventarin e internetin.
“Brenda muajit do të arrijmë që të zhvillojmë procedurat për me i zhvillu punimet, por punës do t’ia nisim edhe më herët, me apo pa zyre”, ka thënë ai.
Aktualisht funksionale si zyra në objektin e komunës së Zubin Potokut është Zyra e Agjencisë së Regjistrimit Civil, ajo për Regjistrimin e Bizneseve, zyra komunale zgjedhore e një zyre që është vënë në funksion të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për nevojat e regjistrimit të popullsisë.
E, zëvendësministri Vokrri tha se deri në javën e ardhshme pret t’i paraqitet vlerësimi i gjendjes së objektit të Komunës së Zubin-Potokut. Sipas tij, godina ka nevojë për rinovim serioz. Vokrri tregoi se brenda objektit ku ka funksionuar komuna ilegale e Serbisë janë gjetur shumë dosje.
“Mund të them që është një arkiv e madhe me dokumente edhe të komunës që ka funksionuar brenda sistemit, edhe të funksionimit paralel. Aty mund të gjinden gjëra që mund të jenë në interes për publikun e gjerë dhe në radhë të parë për qytetarët e Zubin Potokut”, tha ai.
Ai tha se komuna në proces të rinovimit është duke u ballafaquar me procedura burokratike. Vokrri u bëri thirrje institucioneve qendrore që të kenë në konsideratë kërkesat që vijnë nga komunat në veri.
Kryetari i Zubin-Potokut, bashkë me atë të Zveçanit, vetëm në fillim të mandatit kanë dalë në objektin e komunës, e më pas janë zhvendosur në zyra alternative. Por, janë rikthyer për vizita, pas dështimit të votimit për shkarkimin e tyre.