Një javë nga mbajtja e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, në Kosovë ka qëndruar kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi. Ai është pritur nga liderë institucionalë e partiakë, ku sipas njoftimeve është diskutuar për thellim të bashkëpunimit mes dy shteteve
Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, të hënën ka qëndruar në Kosovë.
Gashi fillimisht u prit nga homologu i tij Glauk Konjufca.
Sipas njoftimit nga Kuvendi i Kosovës, në takim Konjufca ka shprehur rëndësinë e angazhimit të përbashkët të institucioneve në drejtim të rritjes së bashkëpunimit.
“Në këtë takim, kryetari Konjufca dhe kryetari Gashi diskutuan aspekte të ndryshme të parlamentarizmit dhe folën për mundësitë e rritjes së bashkëpunimit midis institucioneve tona legjislative. Gjithashtu biseduan edhe për çështje të tjera të interesit të përbashkët, duke përfshirë rrugën e integrimeve evropiane, zhvillimin ekonomik, tregtar dhe stabilitetin e rajonit tonë”, u tha nga Kuvendi i Kosovës.
Gashi gjatë qëndrimit në Kosovë është pritur edhe nga kryeministri Albin Kurti.
Nga Zyra e Kryeministrit u tha se është diskutuar për intensifikimin e punës në realizimin e projekteve infrastrukturore, si dhe për bashkëpunimin mes dy kuvendeve.
“Gjatë takimit bilateral të delegacioneve u diskutua për domosdoshmërinë e bashkëpunimit dhe ndërveprimit ndërmjet dy kuvendeve respektive, dhe për mundësinë e mbështetjes nga ana e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut ndaj Kosovës në forume dhe takime ku Kosova nuk është e pranishme apo e përfaqësuar. Kryeministri veçoi nevojën e ratifikimit në afat optimal të të gjitha marrëveshjeve që dalin nga bashkëpunimi bilateral, përfshirë edhe ato të Procesit të Berlinit”, u tha nga ZKM-ja.
Gjatë qëndrimit në Prishtinë, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut është takuar edhe me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi.
Krasniqi tha se ka shprehur shqetësimin lidhur me arrestimin e veteranëve të UÇK-së, veprim që, sipas tij, cenon raportet ndërshtetërore.
Kjo është vizita e dytë e zyrtarëve të lartë të Maqedonisë së Veriut në Kosovë brenda një jave. Të hënën e shkuar kryeministri Hristian Mickoski bashkë me anëtarë të kabinetit qëndruan në Kosovë, pasi u mbajt një mbledhje e përbashkët e dy qeverive.