LAJMET E MBRËMJES

Kryeinspektori i Punës ndalohet për 48 orë, dyshohet për keqpërdorim detyre

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka urdhëruar që Nikçi dhe Shalaku të ndalohen për 48 orë, nën dyshimin se kanë kryer veprat penale: “Keqpërdorim i pozitës”, “Cenim i të drejtave nga marrëdhënia e punës”, si dhe “Përdorim i paautorizuar i pasurisë”

Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi, dhe ushtruesi i detyrës së menaxherit në Njësinë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, Naim Shalaku, janë ndaluar të enjten me urdhër të prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë për 48 orë, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës.

Nikçi, i cili është emëruar jashtëligjshëm në pozitë të kryeinspektorit të punës, dyshohet se ka kryer veprat penale: “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Cenim i të drejtave nga marrëdhënia e punës” dhe “Përdorim i paautorizuar i pasurisë”. Edhe Shalaku është ndaluar shkaku i dyshimit të bazuar se i ka kryer veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Cenim i të drejtave nga marrëdhënia e punës”.

Që të dy këta janë intervistuar gjatë të enjtes nga Sektori për Hetime Financiare i Policisë.

“Ndaj tyre prokurori i Shtetit brenda afatit ligjor do të paraqesë masën për sigurimin e pranisë së të pandehurve në procedurë te gjyqtari i procedurës paraprake të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda”, është thënë në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Shkak për ndalim janë edhe dyshimet e ngritura nga udhëheqësi i Divizionit për Koordinimin Rajonal (DKR)  në Mitrovicë, Nexhat Fazliu, i cili në nëntor të vitit të shkuar ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale. Krahas dyshimit se emërimi i Nikçit është bërë në mënyrë të kundërligjshme, pa konkurs dhe në kundërshtim me Ligjin për Zyrtarët Publikë, Fazliu ka përmendur edhe presionin që është bërë për të mos bashkëpunuar me Departamentin për Krime Ekonomike të Policisë, me autorizim të Prokurorisë Speciale.

Fazliu ia pati bashkëngjitur në kallëzim penal edhe emailet, në të cilat Nikçi e ka kërcënuar atë me ndërmarrje të masave ngase vartësi i tij, Vehbi Malaj, inspektor i Punës në DKR Mitrovicë, e ka dërguar të skanuar lëndën e kërkuar nga polici hetues, Gjon Berisha, nga Njësia e Hetimeve të Integruara Financiare.

KOHA ka mësuar se ndaj të dyve ka dyshime edhe për raste të tjera të largimit nga puna dhe degradimit në pozita.