Dënim të njëjtë me aktgjykimin e parë u ka dhënë Gjykata Themelore në Ferizaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut - njëri i akuzuar për vrasje e tjetri për ndihmën në vrasjen e 18-vjeçares Marigona Osmani. Krivaqa u dënua me burgim të përjetshëm e Sejdiu me 15 vjet burgim. Derisa Gjykata e Ferizajt deklaroi se i ka marrë parasysh rekomandimet e Apelit, avokati i familjes së viktimës dhe avokatja e njërit prej të akuzuarve paralajmëruan ankesë
Gjykata Themelore në Ferizaj e ka dënuar të hënën Dardan Krivaqën me burgim të përjetshëm, kurse Arbër Sejdiun me 15 vjet burgim, për vrasjen e 18-vjeçares Marigona Osmani në vitin 2021.
Shkalla e dënimit është e njëjtë sikur në aktgjykimin e parë, të cilin e anuloi Gjykata e Apelit vitin e kaluar. Të njëjta ishin edhe kualifikimet për veprat penale për të cilat u dënuan të akuzuarit.
Krivaqa u dënua për vrasje të rëndë, ndërsa Sejdiu për ndihmë në kryerjen e vrasjes së rëndë.
Të dy të akuzuarit u liruan prej akuzave për dhunimin e Osmanit. Trupi gjykues i kryesuar prej Sahit Krasniqit tha se janë marrë parasysh vërejtjet e Gjykatës së Apelit.
“Është dëgjuar edhe eksperti i mjekësisë ligjore profesor doktor Naim Haliti, i cili ka përpiluar raportin e autopsisë dhe në dëshminë e tij të dhënë në këtë gjykatë vetëm sa e konfirmon vdekjen në mënyrë mizore të së ndjerës Marigona Osmani, i cili veç tjerash ka deklaruar se vdekja e së ndjerës ka ardhur si pasojë e lëndimeve të shumëfishta që ndryshe quhen si politraumë, të cilat lëndime kanë ardhur si pasojë e lëndimit të organeve vitale trupore”, tha Krasniqi.
Për motivin e vrasjes nuk ka folur trupi gjykues gjatë shpalljes së aktgjykimit, por ka theksuar se ajo që po e lexon është shpallja e aktgjykimit, derisa aktgjykimi i plotë, i detajuar e në formë të shkruar do t’u dorëzohet palëve në kohë.
Ndër shkeljet që i konstatoi Apeli në aktvendimin e nxjerrë më 22 shkurt 2024 se motivi "xhelozia" është nxjerrë prej deklaratës së vetë të të pandehurit në Psikiatri Forenzikë dhe se mizoria që përmendej në aktgjykim nuk është gjë që është vërtetuar prej deklaratave të ekspertëve të Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML).
Avokatët e familjes së Marigona Osmanit, si dhe të të akuzuarit Arbër Sejdiu u shprehën të pakënaqur me vendimin e së hënës. Avokati Gazmend Rexhepi që përfaqëson familjen e viktimës tha se nga videoincizimet vërehet se edhe Arbër Sejdiu është përfshirë në vrasje.
“Do të isha edhe më i kënaqur nëse edhe i dënuari i dytë do të merrte vendimin meritor, pra vendimin e përjetshëm. Janë provat për burgimin e përjetshëm... Atë mizorinë që e sqaroi trupi gjykues dhe që e parasheh edhe Kodi Penal i Kosovës është konstatuar në bazë të provave të xhirimit... Është e çuditshme herën e parë si është kthyer në rigjykim pa u cituar faktet kryesore, nuk janë cituar provat kryesore, qoftë në aktgjykim, qoftë në ankesën e prokurorit, qoftë në ankesën time, të gjithë jemi thirrur në videoxhirimet nga momenti që është bërë (krimi)... Jam pak i kufizuar në të drejtën e ankesës meqë vetëm sanksioni penal mund të bëjë ankesë, por sigurisht që për këtë vrasje sanksioni është i ulët si përfaqësues i familjes dhe sigurisht që unë do ta ankimoj”, është shprehur Rexhepi.
Edhe avokatja e të akuzuarit Sejdiu, Arbnora Shefkiu, është shprehur se do të paraqesin ankesë.
“Edhe arsyetimi ka qenë po i njëjti sikurse herën e kaluar për të cilin edhe Gjykata e Apelit ka dhënë vërejtje… Me atë që u komunikua po shpresoj që gjykata të paktën ta japë një arsyetim se mbi cilat prova e ka bazuar këtë rikualifikim dhe patjetër që do të paraqesim ankesë në afatin e lejuar ligjor”, ka thënë Shefkiu.
Gjykata konstatoi se Krivaqa me vetëdije e ka goditur për dy ditë rresht me shkop druri të ndjerën duke i shkaktuar dhimbje fizike dhe psikike, lëndime të rënda në organe vitale e thyerje eshtrash, duke kulmuar kështu me vrasjen mizore të vajzës, me të cilën bashkëjetonte.
E, për të akuzuarin tjetër, Sejdiu, gjykata ka konstatuar se ai shpesh ka hyrë e ka dalë në banesën ku Krivaqa e rrahu Osmanin për vdekje, duke përcjellë situatën nëse po i dëgjon ose po i sheh ndokush, si dhe duke i siguruar ushqim nga shitorja e lagjes.
Pos këtyre provave, sipas trupit gjykues, vetë qëndrimi i Sejdiut tërë natën në banesë dëshmon qëllimin e tij për t’i ndihmuar Krivaqës në vrasjen e ish-të dashurës së tij. Vrasja e 18-vjeçares Marigona Osmani më 21 gusht 2021, në banesën ku po bashkëjetonte me Dardan Krivaqën, e pati tronditur opinionin publik.