Në seancën e shqyrtimit fillestar në rastin e njohur si “KEK 2”, ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, dhe i akuzuari tjetër, Isuf Zejna, janë deklaruar të pafajshëm. E ish-shefi i prokurimit, Ymer Dragusha, e ka pranuar propozimin e Prokurorisë për pranim të fajësisë dhe rekomandimin për shqiptim të dënimit
Ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, dhe avokati Isuf Zejna janë deklaruar të pafajshëm për rastin e njohur “KEK 2”, gjatë seancës së shqyrtimit fillestar në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Ata akuzohen se gjatë viteve 2021-2023, me veprime të kundërligjshme i kanë shkaktuar dëme buxhetit të Kosovës, mbi 36 milionë euro duke kryer veprat penale: “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, “Zbulim i fshehtësisë zyrtare” dhe “Ndihmë në keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar”. Të dy i mohuan akuzat.
“Deklarohem plotësisht i pafajshëm”, ka deklaruar Krasniqi.
Njëjtë është deklaruar edhe Zejna.
Paraprakisht në seancë, Gjykata aprovoi marrëveshjen e fajësisë mes Prokurorisë Speciale dhe të akuzuarit Ymer Dragusha, i cili është ish-shef i prokurimit në KEK.
“I pandehuri Ymer Dragusha është pajtuar me llojin e dënimit të rekomanduar. Për pikën 1 është rekomanduar dënimi me kohëzgjatje prej 8 muajsh, për pikën 2 në kohëzgjatje prej 6 muajsh, për pikën 3 prej 6 muajsh dhe pikën 4 me dënim 6 muaj. E që me dënim unik është llogaritur, prej 2 vjetësh, i cili nuk do të ekzekutohet nëse i pandehuri i përmbush kushtet si dëshmitar bashkëpunues”, ka thënë ajo.
“Qëndroj pranë kësaj marrëveshjeje dhe kjo është bërë me vullnetin tim”, ka thënë Dragusha.
Pas deklarimit të palëve kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri, me aktvendim aprovoi marrëveshjen, ndërsa shpallja e aktgjykimit për të akuzuarin Dragusha, sipas gjyqtarit Beqiri, do të shtyhet deri në përfundim të çështjes penale.
Në aktakuzë është evidentuar edhe komunikimi që i akuzuari Krasniqi ka pasur me koordinatoren e komiteteve të Vetëvendosjes, Dejona Mihali. Bazuar në të, ai ia ka dërguar me mesazhe në WhatsApp emrat dhe një përshkrim të profileve të tre punëtorëve të KEK-ut, kurse nëpërmjet aplikacionit Signal, tabelën e çmimeve të aplikuesve në tenderin për riparimin e kaldajës.
Me përcjelljen e këtyre informatave te zyrtarja e LVV-së, sipas Prokurorisë, Krasniqi ka kryer veprën penale “Zbulim i fshehtësisë zyrtare”.