Në Hagë për të dytën ditë me radhë ka dëshmuar Naser Krasniqi, ish-pjesëtar i Policisë Ushtarake të UÇK-së, në kuadër të Brigadës 121. Ai tha se mërgimtarët janë obliguar të ndajnë mjete financiare për UÇK-në dhe se tarifa u zbatoheshin edhe automjeteve që qarkullonin në zonat e kontrolluara nga UÇK-ja
Ish-pjesëtari i Policisë Ushtarake në kuadër të Brigadës 121 të UÇK-së, Naser Krasniqi, ka dëshmuar të martën në Hagë se si, sipas tij, Ushtria Çlirimtare ka mbledhur taksa nga mërgimtarët, se cilat procedura janë ndjekur për ndalimin dhe arrestimin e të dyshuarve si bashkëpunëtorë, si dhe për qendrën e ndalimit në Kleçkë.
Në ditën e dytë të dëshmisë në kuadër të rastit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, dëshmitari ka treguar për mënyrën e mbledhjes së mjeteve financiare nga diaspora.
“Shuma e kontributeve ka qenë sipas shteteve. Kanë qenë të specifikuara në atë vendim dhe kjo varet nga shtetet dhe varionte nga 1.000 deri në 2.000 marka apo franga zvicerane”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka thënë se nëse mërgimtarët nuk i përmbushnin obligimet, atyre u merrej pasaporta.
Këtë ai e ka thënë pas prezantimit të një dokumenti nga prokuroria, në të cilin përmendej kjo formë e mbledhjes së mjeteve. Pranimi i dokumenti si provë u kundërshtua nga avokati i Kadri Veselit.
“Dëshmitari nuk është në gjendje të identifikojë këtë dokument, nuk është një dokument që e ka shkruar ai dhe ai nuk mund të thotë asgjë tjetër lidhur me këtë dokument, pasi që ky dokument pretendohet që të ketë ardhur nga Shtabi i Përgjithshëm”, ka thënë avokati Rodney Dixon.
Megjithëkëtë, dokumenti është pranuar si provë gjyqësore. E dëshmitari më pas është pyetur nëse mjete mblidheshin edhe nga veturat.
“Unë u mundova ta sqaroj në aspektin teorik se si ka qenë detyra që të gjitha automjetet që lëviznin nëpër territorin e UÇK-së me tabela të sistemit të atëhershëm, do të thotë të okupatorit, është dashur që të paguanin një tarifë 300 deri në 900 marka diku ka qenë. Zbatimi i saj varet, diku ka mundur të zbatohet, diku jo, diku më shumë, diku më pak, por si një detyrë e tillë ka qenë”, ka thënë dëshmitari.
Për këtë ai ka thënë se urdhri është dhënë nga komanda e brigadës që ka vepruar në emër të Shtabit të Përgjithshëm.
E tek ka folur për Kleçkën, Krasniqi ka thënë se aty ndodhej një hapësirë që kryetari i Gjykatës Ushtarake, Sokol Dobruna, e ka shfrytëzuar për intervistim.
“Aty ku ka qenë qendra e ndalimit, sipër saj ka qenë një kat i shtëpisë, përkatësisht një dhomë e cila ka shërbyer për intervistimin e të ndaluarve nga zotëri Dobruna dhe për shkak të mundësive të limituara të objekteve e kemi përdorur në disa raste edhe ne me pëlqimin e zotit Dobruna”, ka dekalruar ai.
Ai e ka mohuar pretendimin e prokurores Vega Iodice se në Kleçkë janë keqtrajtuar të ndaluarit.
“Nuk ka qenë e vërtetë absolutisht sepse, së pari nuk e di që ka pasur keqtrajtime dhe, e dyta, nuk ka qenë në domenin tim që ta di. Do të thotë që për rrethanat që po flasim ka qenë e pamundur që ta di, duke shtuar që unë fillimisht nuk e di që kanë ndodhur ato gjëra”, ka thënë ai.
Krasniqi ka qenë i akuzuar në rastin e njohur si Kleçka, bashkë me Fatmir Limajn dhe disa ushtarë të tjerë dhe janë shpallur të pafajshëm.