LAJMET E MBRËMJES

KQZ-së i hapet rruga për certifikimin e rezultateve

I është hapur rruga Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për ta certifikuar rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit. Të mërkurën, Gjykata Supreme ka refuzuar ankesat që i ka pasur në shqyrtim. Me vendimin e Supremes, nuk është pajtuar Lëvizja Vetëvendosje dhe ka paralajmëruar se do ta kontestojë atë në Kushtetuese

Gjykata Supreme i ka refuzuar të mërkurën dy ankesat që i janë adresuar asaj pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Vendimet lidhur me ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe të Partisë Demokratike të Ashkalinjve (PDAK) janë publikuar në ditën e fundit, nga pesë syresh sa i ka pasur në dispozicion Supremja për të vendosur.

Në arsyetimin e refuzimit të ankesës së Vetëvendosjes, Supremja ka konstatuar se pretendimet për keqpërdorime gjatë procesit të votimit me postë të mërgatës nuk kanë qenë të bazuara në prova.

“Edhe pse ka pasur disa pretendime për shkelje të mundshme, nuk është provuar se procesi zgjedhor ka ndodhur në mënyrë të paligjshme ose që ka cenuar të drejtat e qytetarëve për të ushtruar votën e tyre. Në këtë kontekst, Gjykata Supreme e pranon në tërësi arsyetimin e dhënë nga PZAP-ja lidhur me mungesën e provave për të bazuar pretendimet e parashtruara”, është thënë në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Në të njëjtin konstatim gjykata ka ardhur edhe pasi që e ka shqyrtuar ankesën e Partisë Demokratike të Ashkalinjve.

“Provat që janë paraqitur nga ankuesi nuk kanë arritur të dëshmojnë në mënyrë të mjaftueshme se ka pasur manipulime gjatë procesit. Po ashtu, nuk është vërtetuar se ndonjë nga anëtarët e ekipeve të numërimit në QKN apo vëzhgues, që kanë verifikuar aplikimet apo vëzhguar procesin, kanë kryer apo evidentuar ndonjë shkelje të rregullave të përcaktuara”, ka vendosur Gjykata Kushtetuese.

Ndaj vendimit të Supremes ka reaguar zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, i cili është përfaqësues ligjor i Lëvizjes Vetëvendosje. Ai ka paralajmëruar ankesë në Gjykatën Kushtetuese teksa vendimin e ka kualifikuar si politik.

“Jemi në kohën kur Prokuroria fillon hetimet në lidhje me dyshimet e bazuara për këtë proces dhe Supremja që hedh poshtë ankesën mbi këto. Kemi informacione nga brenda se diskutimi gjatë vendimit në Supreme ka qenë kryekëput politik dhe larg të qenit juridik e ligjor, gjë që tregon pak a shumë për natyrën e vendimit. Por, si Lëvizje Vetëvendosje do të ndjekim të gjitha hallkat ligjore në mënyrë që të sjellim drejtësi për këtë skemë krimi e manipulimi”, ka theksuar Sallahu.

Dy ditë më parë, Gjykata Supreme e ka hedhur poshtë edhe ankesën e kandidatit për deputet të Partisë Demokratike (PDK), Petrit Hajdari. Ai i pati kërkuar Supremes që ta vlerësojë vendimmarrjen e Panelit Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa (PZAP) që e vendosi si të pabazuar ankesën e tij, me të cilën ka pretenduar se votat për të nuk janë përputhur në disa vendvotime.

Vendimet e Supremes për ankesat e subjekteve politike ndaj vendimmarrjes së PZAP-së i hapin rrugën certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Me t’u certifikuar zgjedhjet, nis të rrjedhë afati prej 30 ditësh, brenda të cilit presidentja Vjosa Osmani duhet të ftojë seancën për konstituimin e Kuvendit.

Javë më parë, KQZ-ja e ka miratuar rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare, në të cilat Lëvizja Vetëvendosje ka dalë subjekti fitues, duke i marrë mbi 390.000 vota apo 42.30 për qind. E dyta ka dalë Partia Demokratike me mbi 190.000 vota apo 20.95 për qind, e pasuar nga Lidhja Demokratike (LDK) me mbi 170.000 mijë vota, apo 18.27 për qind. Në vendin e katërt është koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismës Social-demokrate me mbi 66.000 vota apo 7.06 për qind.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – ka siguruar mbi 39.000 vota apo 4.26 për qind.

Me këto përqindje, LVV-ja i ka siguruar 48 ulëse në Kuvend, PDK-ja 24, LDK-ja 20, Lista Serbe nëntë dhe koalicioni AAK-Nisma, tetë vende.