Drejtori i Zyrës për regjistrim, certifikim dhe kontrollim financiar të subjekteve politik në KQZ, Besnik Buzhala, ka deklaruar se vendimi për fondin e shpenzimeve të partive politike është mbështetur në të dhënat preliminare të votuesve. E krahas kufizimit të shpenzimeve për fushatë zgjedhore të partive politike, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e së mërkurës ka miratuar edhe rregulloren për zgjedhje të parakohshme dhe të jashtëzakonshme
Më 11 vota për dhe asnjë kundër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim të mërkurën që subjektet politike të kenë të drejtë t’i shpenzojnë 2 milionë e 47 mijë euro për fushatë në zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit.
Presidentja Vjosa Osmani ka caktuar mbajtjen e zgjedhjeve me nënshkrimin e dekretit javën e shkuar teksa e ka autorizuar KQZ-në që t’i nisë përgatitjet për votime.
Në mbledhjen e së mërkurës, drejtori i Zyrës për regjistrim, certifikim dhe kontrollim financiar të subjekteve politik në KQZ, Besnik Buzhala, ka deklaruar se vendimi për fondin e shpenzimeve të partive është mbështetur në të dhënat preliminare të votuesve.
“Numri i përgjithshëm, i cili është dy milionë e 47 mijë e 149 votues. Mbi bazën e këtij numri, llogaritja e kufizimit të shpenzimeve është bërë në bazë të paragrafit 2, të nenit 3 të rregullores zgjedhore numër 4/2024, ku kufizimi i shpenzimeve është kalkuluar në jo më pak se një euro për votues. Edhe ky kalkulim është bërë në vlerën minimale, siç është përcaktuar me rregulloren numër 7/2024. Andaj, në lidhje me bazën ligjore, Zyra i rekomandon KQZ-së ta aprovojë kufizimin e shpenzimeve të fushatës zgjedhore në vlerë prej dy milionë e 47 mijë e 149 euro”, ka thënë Buzhala.
Krahas kufizimit të shpenzimeve për fushatë zgjedhore të partive politike, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar edhe rregulloren për zgjedhje të parakohshme dhe të jashtëzakonshme.
Arianit Elshani, anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka theksuar se fushata zgjedhore për partitë politike do të fillojë më 11 janar teksa do të përfundojë në ditën e zgjedhjeve.
“Deklarimi i partive politike për formimin e koalicioneve zgjedhore ka një afat prej 16 gushtit deri më 30 gusht. Aplikimi për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve fillon më 1 shtator dhe përfundon më 11 dhjetor 2024. Tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim do të bëhet më 7 janar”, ka thënë Elshani.
Me ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, i cili është miratuar në Kuvend vitin e kaluar, periudha e fushatës zgjedhore për subjektet politike dhe për kandidatët e certifikuar do të nisë 30 ditë para mbajtjes së votimeve ndërsa do të përfundojë me hapjen e qendrave të votimit në ditën e zgjedhjeve.
Tek ka folur mbi zgjedhjet, Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë se kostoja e zgjedhjeve të përgjithshme të 9 shkurtit do të jetë më e larta ndonjëherë, për shkak të votimit preferencial.
Cakolli ka thënë të mërkurën në “60 Minuta” të KTV-së se ndikim të madh në rritjen e kostos së zgjedhjeve do të ketë edhe votimi jashtë vendit.
“Kostoja e zgjedhjeve në Kosovë po rritet vazhdimisht dhe unë besoj se në këto zgjedhje do të jetë më e larta ndonjëherë për shkak të votimit preferencial dhe numërimit nëpër qendra komunale për javë të tëra, por ndikimin më të madh në rritjen e kostos së zgjedhjeve do ta ketë votimi jashtë vendit”, ka thënë ai.
Cakolli ka shtuar se ndryshimet e bëra në legjislacionin zgjedhor para rreth një viti kanë përfshirë disa elemente të kërkuara nga ana e partive politike, shumë prej të cilave janë të paargumentuara dhe të paarsyetuara, e të cilat shkaktojnë edhe vonesa në procesin zgjedhor.
“Ndryshimet e bëra në legjislacionin zgjedhor para rreth 1 viti kanë qenë ndryshime teknike dhe kozmetike të procesit zgjedhor, kanë përfshirë edhe disa elemente të kërkuara nga ana e partive politike, ndonëse shumë prej tyre kanë qenë të paargumentuara dhe të paarsyetuara. Prej tyre është rritja e votës preferenciale nga 5 në 10 kandidatë brenda subjekteve politike. Ky ndryshim i pakërkuar as nga misionet vendore e as ndërkombëtare nuk ka qenë i arsyetuar pasi qytetarët nuk kanë më shumë se 3 apo 4 kandidatë të preferuar brenda partive politike. Së dyti, në vitin 2007 Kosova ka aplikuar një model të tillë, por që edhe në atë kohë mesatarja në nivel vendi sipas statistikave zyrtare ka qenë 5.6 vota, që nënkupton se më shumë se 4 vota të qytetarëve ose nuk janë shënuar fare, por mund të ketë ndodhur që janë plotësuar edhe nga ana e komisionerëve. Kjo rrezikon vonesa në procesin zgjedhor”, është shprehur Cakolli. Ai ka shtuar se në zgjedhjet e ardhshme do të ketë një rritje të numrit të votuesve prej rreth 150 mijë.
“Kemi të bëjmë me një rritje prej 150 mijë votuesish në listën e votuesve, që do të thotë 400 mijë votues më shumë sesa që kemi banorë në bazë të matjeve të fundit të Agjencisë së Statistikave, në kuadër të regjistrimit të popullsisë. Krahasuar me vitin 2021, kemi një rritje prej 150 mijë votuesish, që është afërsisht trendi i zakonshëm i votuesve të rinj që futen në listën e votuesve”, ka theksuar ai.
Presidentja Osmani e ka nënshkruar të premten dekretin me të cilin e ka caktuar datën e mbajtjes së zgjedhjeve të para të rregullta parlamentare, që prej shpalljes së pavarësisë.
Shpallja e datës së zgjedhjeve i ka pasuar këshillimet që Osmani i pati mbajtur më 31 korrik me udhëheqësit e partitë politike, të cilët patën shprehur preferencat e tyre për datën e zgjedhjeve. Bazuar në afatet ligjore, zgjedhjet mund të mbaheshin më 26 janar ose 2, 9 dhe 16 shkurt.
Edhe koalicioni i organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve, “Demokracia në veprim”, ka thënë se mirëpret vendimin e fundit të presidentes për caktimin e datës për zgjedhjet parlamentare. Sipas tyre, ky vendim shënon një hap pozitiv drejt sigurimit të përmbushjes së mandatit të plotë kushtetues të Kuvendit, pas ndërprerjes së mandateve të të gjitha legjislaturave paraprake për shkak të zgjedhjeve të parakohshme.