LAJMET E MBRËMJES

KQZ-ja vendos të rinumërojë 50 vendvotime, 35 prej tyre në Vushtrri

Procesit të numërimit do t`i nënshtrohen edhe një herë 50 vendvotime. Vendimi është marrë të hënën nga KQZ-ja. Pjesa më e madhe e vendvotimeve do të rinumërohen për shkak të dallimeve në rezultatet e kandidatëve të LDK-së në Vushtrri, derisa pjesa tjetër për shkak të dallimeve të nënshkrimeve në listat e votuesve. Derisa ky proces pritet të fillojë të hënën, në dy ditët në vijim për rivlerësim të votave të pavlefshme të ardhura nga diaspora do të hapen edhe 177 kuti

50 vendvotime, 35 prej të cilave të Vushtrrisë, do të rinumërohen, ka marrë vendim KQZ-ja të hënën.

Rinumërimi është rekomanduar nga Këshilli për Operacione Zgjedhore.

Arianit Elshani, nga ky këshill, ka thënë se në 15 vendvotime është hasur në mospërputhje të nënshkrimeve të votuesve e fletëvotimeve. E rekomandimi për rinumërim të 35 vendvotimeve të tjera në Vushtrri u bë pas dallimeve në vota të kandidatëve të LDK-së.

“Këto 15 vendvotime është rekomanduar që të procedohen për një rinumërim të plotë për të gjitha subjektet politike të cilat janë të shpërndara në tërë Kosovën…Këtë raport të ndryshmeve mes rezultateve të etabluara në Qendrën Komunale të Numërimit dhe Rezultateve të dala nga hetimi në QNR ka ardhur si rekomandim që 35 vendvotime për të cilat vërehet diferenca mes votave të kandidatëve të hidhen në rinumërim të plotë”, ka thënë Elshani.

Nga Sekretariati u shprehën të gatshëm të nisin me rinumërimin qysh të hënën.

Udhëheqësi i kësaj trupe, Besnik Buzhala, bëri të ditur se në dy ditët në vijim pritet të fillojnë edhe me hapjen e kutive me vota të ardhura me postë, për t’i rivlerësuar votat e pavlefshme.

“Pasi të konsumohet afati i ankesave në Gjykatën Supreme nesër orientimisht mund të fillojmë me hapjen e 177 kutive me qëllim të vlerësimit të fletëvotimeve të pavlefshme në përputhje me vendimin e PZAP-se ose më së voni të mërkurën në mëngjes”, ka thënë Buzhala.

Pos kësaj, diskutim mes anëtarëve e kryetarit të KQZ-së ka nxitur vendimmarrja e javës së kaluar.

Anëtari i PDK-së, Ilir Gashi, ka akuzuar kryetarin Kreshnik Radoniqi për tjetërsim të vendimmarrjes. Bëhet fjalë për mosaprovimin e rekomandimit të Sekretariatit të KQZ-së për rivlerësim të votave të pavlefshme, para se Lëvizja Vetëvendosje të ankohej në PZAP.

Nga 7 anëtarë sa ishin prezentë, pro patën votuar 4 anëtarë derisa 3 të tjerë nuk kanë marrë fare pjesë në votim, veprim të cilin Radoniqi e ka vlerësuar si abstenim.

“KQZ-ja atë ditë nuk ka nxjerrë vendim dhe ju si kryesues e keni lëshuar një vendim të cilin ju e keni ofruar si dëshmi PZAP-së e cila nuk qëndron. Për mua është shqetësim nëse vazhdohet të tjetërsohet vendimmarrja në këtë institucion”, ka thënë Gashi.

E Radoniqi u bazua në ligj.

“Arsyeja pse e kam konstatuar që kanë qenë 3 abstenime është që ligji për procedurën e përgjithshëm përmbarimore i njeh tri mundësi: me votu për, kundër apo abstenim. Nuk parasheh diku që me qenë anëtari prezent edhe me thanë nuk marr pjesë në votim”, ka thënë ai.

Por kjo nuk e bindi Gashin.

“Unë konsideroj që në qoftë se kjo përsëritet atëherë do të përballemi me ankimime të vendimmarrjes në këtë institucion, sepse nëse unë nuk e ngre dorën ju nuk mund të më konstatoni votën time se a është pro, kundër apo abstenim”, ka deklaruar Gashi.

Pas mbledhjes së KQZ-së anëtari i Vetëvendosje, Sami Kurteshi, njoftoi se si parti do të ankohen në Supreme mbi vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për votimin jashtë Kosovës.

Të dielën ankesën e Vetëvendosjes PZAP-ja e konsideroi të pasafatshme.

Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit nxorën fituese Vetëvendosjen me mbi 40 për qind të votave e pasuar nga PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja.