LAJMET E MBRËMJES

KQZ-ja ndryshon tri lokacione të qendrave të votimeve në Leposaviq

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar disa vendime për organizimin e zgjedhjeve të 9 shkurtit, përshirë ndryshimin e tri lokacioneve të qendrave të votimit në Leposaviq. Në këtë mbledhje u emëruan edhe rreth 15 mijë komisionarë e që 12 mijë prej tyre do të jenë në vendvotime të rregullta

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim të enjten që të ndryshojë lokacionin e tri qendrave të votimit në Komunën e Leposaviqit.

Vendimi, sipas anëtarit të KQZ-së nga PDK-ja, Arianit Elshani, u mor pasi tri qendrat aktuale nuk i plotësojnë kushtet.

“Qendra në fshatin Borqan nuk i plotëson kushtet e objektit, kështu që do të bartet qendra e votimit për në fshatin Soqanicë e Epërme. Qendra në fshatin Kushtovë nuk i plotëson kushtet e objektit dhe do të bartet qendra e votimit në një objekt privat brenda fshatit. Edhe qendra 1210 nuk i plotëson kushtet dhe do të zhvendoset qendra në Jarinjë të Poshtme”, ka thënë Elshani.

Në mbledhjen e KQZ-së është vendosur edhe emërimi i rreth 15 mijë komisionarëve për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Prej tyre mbi 12 mijë do të jenë në vendvotime të rregullta, rreth 300 do të jenë në qendrat e votimit me kusht dhe 2 mijë e 343 do të jenë të angazhuar në qendrat komunale të numërimit.

“Në çdo klasë do të ketë kamerë të vëzhgimit. Çdo lëvizje, çdo veprim i cili mund të rrezikojë apo cenojë procesin zgjedhor në secilin vendvotim do të ndiqet penalisht nga KQZ-ja dhe do të procedohet tutje”, ka thënë Elshani.

E anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Alban Krasniqi, ka thënë se në disa komuna po bëhet vendosja e personave të subjekteve politike të një komuniteti, në emër të një komuniteti tjetër.

“Më konkretisht Komuna e Dragashit, që kemi marrë informacione të sakta. Ne e dimë që këtu i kemi adresuar maksimalisht kërkesat e komunitetit joshumicë kur kanë kërkuar vende për këshillat e vendvotimit. Kemi apeluar që këto vende të jenë të përcaktuara vetëm për anëtarët e tyre që vijnë prej komunitetit të tyre. Mirëpo, fatkeqësisht në disa pjesë kjo është keqpërdorur dhe një prej tyre është Komuna e Dragashit. Sheh emra të shqiptarëve që janë të vendosur në emër të partive boshnjake apo turke dhe e kundërta në vendvotime të caktuara”, ka deklaruar Krasniqi.

Kjo çështje, sipas tij, do të shqyrtohet e verifikohet dhe se në rastet kur subjektet politike kanë nominuar persona nga komuniteti tjetër, do të bëhet zëvendësimi i tyre.