Lista Serbe është certifikuar nga Komisioni Qendror Zgjedhor për të marrë pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit. Në mbledhjen e së martës, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se vendimi i PZAP-së obligon Komisionin për certifikimin e Listës Serbe dhe konsideroi që nuk ka nevojë për votim. Më herët gjatë ditës, Gjykata Supreme ka hedhur poshtë ankesën e Vetëvendosjes ndaj vendimit të PZAP-së.
Komisioni Qendror Zgjedhor u mblodh, por nuk votoi lidhur me certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet që do të mbahen më 9 shkurt.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, konsideroi se votimi i anëtarëve nuk është i nevojshëm, pasi vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa obligon KQZ-në për certifikim.
“Konstatoj se vendimi i PZAP-së, sipas nenit 118 paragrafit 5 është i detyrueshëm për ne dhe për këtë do ta lëshoj një vendim për zbatimin e vendimit”, tha Radoniqi.
Anëtari i Vetëvendosjes në Komision, Alban Krasniqi, tha se me vendimin e së martës po cenohet pavarësia e KQZ-së.
Gjatë replikës së tij shumë anëtarë e lëshuan mbledhjen.
“Certifikimi bëhet me votim, me votim shkruan. Nëse PZAP-ja paska ardhur të na zëvendësoj ne këtu ose Supremja, në këtë rast por PZAP-ja se Supremja s’është marrë me lëndën, atëherë ky është cenim pikërisht i pavarësisë së institucionit”, tha Krasniqi.
Gjatë së martës, Gjykata Supreme njoftoi se është hedhur poshtë ankesa e Lëvizjes Vetëvendosje, ku kundërshtohej vendimi i PZAP-së i cili obligon KQZ-në për certifikimin e Listës Serbe.
Anëtari tjetër i KQZ-së nga radhët e Vetëvendosjes, Sami Kurteshi, tha se vendimet, ai i Supremes dhe PZAP-së janë të mangëta, pasi, sipas tij, nuk e kanë marrë për bazë kodin e sjelljes.