LAJMET E MBRËMJES

KQZ-ja e kufizon në 47 mijë numrin e personave që mund të votojnë jashtë vendit

Në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e 9 shkurtit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e miratoi listën e qendrave të votimit jashtë Kosovës. Me shumicë të votave, anëtarët e shtynë përpara propozimin e KQZ-së, duke e shpërfillur atë që një ditë më parë e paraqiti Ministria e Punëve të Jashtme, e që e tejkalonte edhe numrin e votuesve të përcaktuar me ligj. Gjithsej 47 mijë votues mund të përfshihen në votim jashtë vendit

Gjithsej 35 ambasada me 47 vendvotime do të jenë në dispozicion të mërgimtarëve në 22 shtete për të votuar fizikisht në zgjedhjet parlamentare të Kosovës, që do të mbahen më 9 shkurt. 

Lista e qendrave të votimit jashtë Kosovës, numri i vendvotimeve dhe numri maksimal i votuesve u miratua me shumicë votash në mbledhjen e së enjtes të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. 

Anëtarët e KQZ-së nuk e morën parasysh propozimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, që një ditë më parë u prezantoi një listë me të dhëna të ndryshuara e që e tejkalonte numrin e votuesve të përcaktuar me ligj. Kryeshefi ekzekutiv i sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, ka thënë se sipas kësaj liste votimi do të organizohet brenda 22 shteteve jashtë vendit, në gjithsej 35 qendra të votimit dhe 47 vendvotime. 

“Pra këto janë parimisht të konfirmuara edhe nga Ministria që realisht këto qendra do të mund të përdoren si qendra të votimit. Si grup punues është përcaktuar edhe numri i votuesve të cilët do të jenë brenda një vendvotimi të votimi jashtë vendit, mirëpo ndërkohë ka ardhur edhe një propozim nga Ministria që ta kemi një numër tjetër, pra propozimi është që të kemi numër ndryshe nga ajo që është përcaktuar nga grupi punues dhe numri është tepër i madh kështu që sipas vlerësimeve të KQZ-së dhe praktikave konsiderojmë që numri i propozuar për votues brenda një vendvotimi të jetë sipas propozimit që ka dhanë KQZ-ja bashkangjitur në listën me tabela”, ka thënë Ahmetaj.

KQZ-ja vendosi që numri maksimal i votuesve të jetë rreth 47 mijë. 

E para kësaj, anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Sami Kurteshi, propozoi që numri të mos kufizohet.

“Kemi dy mundësi qe i kemi diskutuar. Me një anë kemi propozimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme me një numër relativisht të madh, me kërkesën se ata mund të sigurojnë hapësirë për votim. Ministria e Punëve të Jashtme ka propozuar një numër shumë të madh, ndërsa nga KQZ-ja ka propozuar se mund të votojnë 47 mijë mërgimtarë. Mendoj se numri mërgimtarëve ka me qenë shumë i vogël. I kemi dy mundësi, me e hap edhe një vendvotim, ose me ju thanë të votojnë me postë. Ky është propozimi im që mos të kufizohet që tani numri i mërgimtarëve që duan të votojnë fizikisht”, ka thënë Kurteshi. 

Propozimi i Kurteshit nuk e mori përkrahjen e anëtarëve të tjerë të KQZ-së, për çka i doli në mbrojtje bashkëpartiaku, Alban Krasniqi. 

“Nuk e di pse Gashi po ekzaltohet që po ua ndalon mërgimtarëve... edhe të subjektit të tij nga vjen dhe të këtyre që po mundohen në emër të kësaj me nxjerr përfitime politike. Fytyra e vërtete e KQZ-së sot po kallëzohet. Po tentohet kështu qëllimshëm me ua kufizu një të drejtë që ju takon, por nuk mundeni me ua ndal, se kanë me të vërshu këtu”, ka thënë Krasniqi. 

Regjistrimi i mërgimtarëve në platformë për votim jashtë vendit do të duhej të fillonte të enjten. Por, kjo nuk u bë e mundur pasi KQZ-ja nuk arriti që një ditë më parë ta shqyrtojë e ta miratojë numrin e vendvotimeve dhe listën e qendrave të votimit, pasi Ministria e Jashtme ua përcolli anëtarëve, pak para mbledhjes, listën me të dhëna të ndryshuara.