LAJMET E MBRËMJES

Kostiq akuzohet për Masakrën e Reznikut, Miloviq për tortura ndaj civilëve

Para Gjykatës Themelore në Prishtinë kanë dalë dy të akuzuar për krime lufte në rajonin e Vushtrrisë, Zoran Kostiq dhe Dragan Miloviq. Seanca e shqyrtimit fillestar dështoi, meqë avokatët e të akuzuarve nuk janë pajisur me të gjitha provat. KOHA e ka siguruar aktakuzën, sipas së cilës Kostiq akuzohet edhe për pjesëmarrje në Masakrën e Reznikut, ndërsa Miloviq për keqtrajtim të civilëve shqiptarë

Dy të akuzuarve për krime lufte, Zoran Kostiq dhe Dragan Miloviq, nuk iu lexua aktakuza të enjten, ndonëse në Prishtinë nisi seanca e shqyrtimit fillestar për ta.

Kostiq, i cili ka kombësi serbe, akuzohet për pjesëmarrje në vrasje, dëbim, keqtrajtim dhe plaçkitje. Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale më 15 maj, ai ka marrë pjesë në Masakrën e Reznikut, ku më 6 prill 1999 u vranë 8 anëtarë të familjes Ujkani.

“Në mesin e pjesëtarëve të ushtrisë dhe paramilitarëve serbë ishte edhe Zoran Kostiq, i cili ka marrë pjesë në plaçkitjen e shtëpive të banorëve shqiptarë, pastaj ka djegur shtëpitë dhe ka vrarë civilë të paarmatosur në fshatin Reznik si: Imer Ujkani, Muhamet Ujkani me bashkëshorten, Behxhet Ujkani, Fehmi Ujkani, Sofije Ujkani, Faik Ujkani. Po ashtu, në ditën kritike vriten edhe Tefik Ujkani me bashkëshorten Halide Ujkani, dhe me qëllim për t’i zhdukur provat dhe për ta zbatuar planin në tërësi ua vunë zjarrin shtëpive dhe dogjën kufomat e familjes Ujkani”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale, një kopje të së cilës e ka siguruar KOHA. “Këtë ngjarje e ka parë dëshmitari Bilall Ujkani”.

E, Dragan Miloviq me kombësi malazeze, akuzohet së në maj të 1999-s ka keqtrajtuar, rrahur dhe torturuar civilë shqiptarë në Vushtrri.  

“I akuzuari me disa policë serbë të armatosur fillojnë t’i ndajnë popullatën civile shqiptare, si dhe i detyrojnë t’i vendosin duart e lidhura pas koke dhe të bien me gjunjë përtokë duke i goditur vazhdimisht me disa kërroçe të hekurta e disa me shkopinj druri dhe me kondak të armëve, ku ishin edhe Ali Asllani, Kadri Shaqiri, Hakif Kasumi, Fadil Bajrami, Murat Mema, Sami Rrustemi, Tahir Fazliu, e ku Kadri Shaqiri dhe Ali Asllani e kishin parë tani të akuzuarin Miloviq që ka qenë i veshur me uniformë të policisë serbe dhe me pajisje të policisë duke i goditur pandërprerë këta civilë shqiptarë me shkop metalik”, thuhet në aktakuzë.

Seanca e shqyrtimit fillestar nuk përfundoi të enjten. Gjykata kishte planifikuar që këtë ditë të lexohej aktakuza dhe që të akuzuarit të deklaroheshin lidhur me fajësinë, por kjo nuk ndodhi, meqë kryetari i trupit gjykues, Lutfi Shala, konstatoi se avokatët e të pandehurve nuk janë pajisur me shkresa nga Prokuroria Speciale. 

Gjyqtari Shala nuk e miratoi kërkesën e avokatëve të të pandehurve, që të dy të akuzuarve për krime lufte t’u ndërpritet masa e paraburgimit.