LAJMET E MBRËMJES

Kosova, Shqipëria e Kroacia zotohen ta rrisin gatishmërinë e forcave ushtarake

Deklarata e ministrave të Mbrojtjes që ka alarmuar Serbinë, përmban zotimin e Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë për ta rritur gatishmërinë e forcave ushtarake dhe parasheh ndihmë specifike për Kosovën. Në të, ministrat kanë shprehur zotimin edhe për të identifikuar hapësira për bashkëpunimin industrial të mbrojtjes, duke nxitur aksesin në burime dhe zinxhirë furnizimi për të krijuar një industri konkurruese dhe të qëndrueshme të mbrojtjes

Është publikuar deklarata që në fillimjavë e kanë nënshkruar ministri i Mbrojtjes i Kosovës, dhe homologët e tij të Shqipërisë dhe Kroacisë. Dokumenti që ka alarmuar Serbinë, përmban zotimin e të tria shteteve për ta rritur gatishmërinë e forcave ushtarake dhe parasheh ndihmë specifike për Kosovën.

Deklarata, përpos pjesës së preambulës, është e ndarë në katër pjesë.

Nëpërmjet të parës, ministrat kanë shprehur zotimin për t’u angazhuar për promovimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe bashkëpunimin për industrinë përkatëse duke: “Eksploruar zhvillimin dhe blerjen e kapaciteteve mbrojtëse nëpërmjet zgjidhjeve të bashkëpunimit shumëkombësh për të rritur gatishmërinë e forcave tona ushtarake; Identifikuar hapësira për bashkëpunimin industrial të mbrojtjes, duke nxitur aksesin në burime dhe zinxhirë furnizimi për të krijuar një industri konkurruese dhe të qëndrueshme të mbrojtjes; Rritur përpjekjet për të investuar në teknologji dhe inovacione të reja për të përshpejtuar dhe siguruar një qasje të unifikuar ndaj transformimit të sigurisë dhe mbrojtjes”.

Pjesa e dytë i referohet rritjes së ndërveprueshmërisë nëpërmjet edukimit, trajnimeve dhe stërvitjeve. Kjo parashihet të bëhet duke: “Ndarë ekspertizën dhe praktikat më të mira në rekrutimin, zhvillimin dhe mbajtjen e personelit të kualifikuar, duke përfshirë shkëmbimin e koncepteve të forcave rezerviste, për të rritur kapacitetet parandaluese dhe mbrojtëse; Rritur mundësitë e edukimit dhe trajnimit individual dhe kolektiv përmes akademive dhe kolegjeve ushtarake përkatëse, me qëllim që të ketë kuptueshmëri më të mirë nga ana strategjike të kërcënimeve dhe sfidave të përbashkëta; Forcuar stërvitjet dypalëshe dhe/ose trepalëshe për të përmirësuar ndërveprueshmërinë, në përputhje me Politikat e NATO-s dhe BE-së për Trajnimet dhe Stërvitjet, për t’u siguruar që forcat të jenë të përgatitura në mënyrë adekuate.

Pjesa e tretë ka të bëjë me kundërpërgjigjen ndaj kërcënimeve hibride dhe rritjen e qëndrueshmërisë. Kjo synohet të arrihet duke: “Forcuar hapat e përbashkët për t’iu kundërpërgjigjur kërcënimeve hibride, duke përfshirë kërcënimet kibernetike, fushatat e dezinformimit, si dhe ndikimin dashakeq të huaj që mund të komprometojë ose të ndikojë në sigurinë kombëtare dhe rajonale; Shkëmbyer informacione dhe shërbime të inteligjencës për ndërgjegjësimin dhe koordinimin strategjik dhe operacional të situatës ndërmjet institucioneve të mbrojtjes për të parandaluar, zbuluar dhe reaguar në mënyrë efektive kundër sfidave që hasin vendet tona përkatëse; Eksploruar opsione të reagimit që adresojnë një gamë të gjerë kërcënimesh të mundshme për infrastrukturën tonë kritike dhe rrjetet e komunikimit dhe që mbështesin kohezionin dhe ndihmën e ndërsjellë”.

Pjesa e katërt ka të bëjë me ofrimin e mbështetjes së plotë për integrimin euroatlantik. Kroacia dhe Shqipëria janë pjesë e NATO-s, ndërsa Kosova ka shprehur ambicien për t’u bërë pjesë e saj.

Nëpërmjet deklaratës, shtetet kanë dhënë zotim për të përafruar politikat dhe pozicionet me institucionet dhe strukturat shumëpalëshe euroatlantike për sigurinë dhe mbrojtjen, për të çuar përpara interesat dhe objektivat tona kombëtare dhe të përbashkëta rajonale.

Është përmendur edhe ndihma specifike për Kosovën, duke: “Treguar angazhim për bashkëpunim dhe koordinim më të ngushtë për integrimin e plotë të Kosovës në iniciativat rajonale për sigurinë e mbrojtjen; Mbështetur perspektivën euroatlantike të Kosovës duke ofruar mbështetje për statusin e saj në Partneritetin për Paqe të NATO-s”.

E në preambulë tregohet se deklarata është firmosur duke njohur marrëdhëniet e forta dhe të qëndrueshme ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Republikës së Kroacisë dhe Republikës së Kosovës, të bazuara në vlerat e përbashkëta, orientimet strategjike dhe angazhimet reciproke drejt sigurisë dhe bashkëpunimit rajonal. Po ashtu, edhe duke riafirmuar synimin për të forcuar bashkëpunimin trepalësh të sigurisë dhe mbrojtjes për të rritur sigurinë dhe stabilitetin në Evropën Juglindore dhe në rajonin Adriatiko-Jonian.

Po ashtu, në preambulë theksohet se deklarata është arritur, edhe duke theksuar rëndësinë e përpjekjeve të përbashkëta për t’iu përgjigjur sfidave të reja të sigurisë, kërcënimeve hibride dhe rreziqeve të tjera që mund të dëmtojnë stabilitetin rajonal, evropian dhe ndërkombëtar.

“Marrja e veprimeve të menjëhershme për zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse duke pranuar ambiciet që rrjedhin nga Koncepti Strategjik i NATO-s dhe Busulla Strategjike e Bashkimit Evropian, të konceptuara për të rritur aftësinë tonë për të mbrojtur territoret dhe njerëzit tanë, si dhe për të kontribuar për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”, vijohet tutje në preambulë. “Avancimi i hapave të përbashkët për të rritur bashkëpunimin dhe prodhimin industrial të mbrojtjes në përputhje me Zotimin e NATO-s për Zgjerimin Industrial dhe planin e Bashkimit Evropian për ‘Riarmatosjen e Evropës”.

Deklarata është nënshkruar në Tiranë, më 18 mars. Në të, ministrat kanë shprehur vendosmërinë “për t’u siguruar që jemi të pozicionuar mirë për t’u bërë ballë kërcënimeve aktuale dhe në zhvillim, si dhe për të arritur objektivat tona të mbrojtjes dhe sigurisë”.

Një ditë më parë, presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Serbia është shteti i vetëm i Ballkanit Perëndimor, i cili përbën kërcënim për rajonin. Këtë ajo e ka theksuar, pasi që homologu i saj serb, Aleksandër Vuçiq, ka alarmuar se shteti që ai e udhëheq është i kërcënuar nga marrëveshja ushtarake të cilën Kosovë-Shqipëri-Kroaci.

Presidentja Osmani ka insistuar të premten se marrëveshja e synon të kundërtën. Ajo ka thënë po ashtu se është praktikë që ndodh tërë kohën brenda shteteve të Aleancës Veriatlantike të NATO-s që firmosin marrëveshje mbi bazën e vlerave të njëjta që i ndajnë. Ajo ka insistuar se Serbia ka përhapur propagandë, pas firmosjes së dokumentit ndërmjet tri shteteve.