LAJMET E MBRËMJES

Kosova plotëson pjesërisht kushtin për pjesëmarrjen në CEFTA e Procesin e Berlinit

Kryeministri Albin Kurti është shprehur i bindur se heqja e masës së sigurisë vetëm në pikën kufitare në Merdar është “më se e mjaftueshme” që Kosova të jetë pjesë e takimit të CEFTA-s këtë javë e në samitin e Berlinit, javën tjetër. Kurti, në një konferencë për media, sqaroi arsyet pse është zgjedhur vetëm njëra pikë kalimi me Serbinë e kur do të hiqet ndalesa edhe në pikat e tjera kufitare.

Maunat me produkte serbe do të mund të kalojnë pa ndonjë pengesë vetëm në pikë kalimin kufitar në Merdar.

Ndaj produkteve që kalojnë përmes kësaj pike nuk do të aplikohet ndalesa e vendosur qysh vitin e kaluar, por ato do t’i nënshtrohen një kontrolli të shtuar nga autoritetet kufitare.

Vendimi për ndryshimin e masës së sigurisë, është marrë të hënën nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, fiks një javë para mbajtjes së Samitit të Procesit të Berlinit, pjesëmarrjen në të cilën Kosova nuk e ka ende të garantuar. 

Hollësitë për ndryshimin e masës i ndau kryeministri Albin Kurti, derisa u shpreh optimist se vendimi do të ndikojë në ndryshimin e qasjes ndaj Kosovës për takimet e CEFTA-s e të Procesit të Berlinit.

“Me këtë punë është marrë edhe gjithë qeveria jonë prej meje e zv.kryeministrit Bislimi e deri te këshilltari im, Jeton Zulfaj. Këta kanë biseduar, kanë negociuar edhe me BE-në në veçanti me Gjermaninë dhe ne besojmë që ndryshimi i masës që e bëjmë është më se i mjaftueshëm që pasnesër në CEFTA dhe të hënën në Proces të Berlinit të kemi proces të plotë”, tha Kurti. 

Kryeministri ka bërë të ditur se masa e sigurisë në pikëkalimet e tjera kufitare do të jetë në fuqi derisa në to të vendosen skanerët. 

“Në momentin kur të na vijnë skanerët, atëherë ata vendosen në të gjitha pikat kufitare, por derisa nuk na vijnë skanerët, ne do ta hapim një pikë kufitare e cila do të ketë kontrollin e shtuar, për shkak se masat që i kemi ne janë masa të sigurisë”, tha Kurti. 

Kreu i Qeverisë sqaroi se vendimi për heqjen e ndalesës vetëm në Merdar lidhet me hapësirën e kësaj pike kufitare e afërsinë e terminalit doganor nga kufiri.

“Nëse do ta kishim ndonjë vendkalim tjetër kufitar, terminali doganor do të ishte shumë më larg, madje e kemi shumë të vështirë se çfarë ndodhë kur kalon një maune kufirin e derisa mbërrin në terminalin doganor, sa me shkurtër kjo distancë aq më kollaj për doganieret tanë dhe policët tanë por konkretisht si do të kontrollojnë aty nuk jam në dijeni por unë besoj në profesionalizimin e tyre”, tha Kurti. 

Lidhur me vendimin ka reaguar edhe Qeveria e Serbisë. 

Kryeministri serb, Millosh Vuçeviq, ka falënderuar Gjermaninë për presionin ndaj Kosovës, teksa ka thënë se ky vendim do të ulë tensionet mes dy vendeve.

Kosova ka ndalur importet nga Serbia pas arrestimit të tre policëve kosovarë nga forcat serbe, tensioneve në veri dhe dyshimeve se nëpërmjet mallrave janë futur ilegalisht armë vitin e shkuar. 

Masa e sigurisë më pas u ndryshua, duke u lejuar importimi i lëndës së parë dhe gjysmëprodukteve të nevojshme për prodhim final.

Heqja e masës së sigurisë ndaj produkteve serbe është kushti i Gjermanisë që Kosova të mos përjashtohet nga Samiti i Berlinit që do të nisë më 14 tetor.