Në 25-vjetorin e futjes së forcave ushtarake të NATO-s në Kosovë, shumë shtete aleate e kanë kujtuar periudhën që pasoi si të lavdishme dhe si histori suksesi. SHBA-ja e Gjermania janë zotuar se do të vazhdojnë të qëndrojnë përkrah Kosovës. E ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, urimit për Ditën e Çlirimit ia ka bashkangjitur videon ku më 1999 shihet ai duke dhënë njoftimin për përfundimin e bombardimeve dhe futjen e ushtarëve të NATO-s, uroi Ditën e Çlirimit
Në 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, ish-presidenti Bill Clinton ka rikujtuar rolin udhëheqës të SHBA-së në fushatën ajrore të NATO-s ndaj caqeve ushtarake serbe dhe më pas në vendosjen e trupave të kësaj aleance në vend.
Në urimin e tij në rrjetin X, të mërkurën, ai ka bashkëngjitur edhe videon kur njoftoi për fundin e bombardimeve, duke thënë se më në fund qiejt e Jugosllavisë janë të heshtur, ushtria dhe policia serbe po tërhiqen nga Kosova dhe se një milion burra, gra dhe fëmijë të dëbuar nga vendi i tyre po përgatiten të kthehen në shtëpi.
"Njëzet e pesë vjet më parë Shtetet e Bashkuara udhëhoqën trupat aleate të NATO-s në një fushatë ajrore që dëboi me sukses forcat serbe, duke i dhënë fund një dekade represioni, një fushate brutale të spastrimit etnik dhe duke i dhënë fund luftës në Kosovë. Veprimi ushtarak ndihmoi në rivendosjen e vetëqeverisjes së krahinës dhe çoi në pavarësinë e Kosovës në vitin 2008”, ka thënë Clinton.
E ambasadori i këtij vendi në Kosovë, Jeffrey Hovenier, e ka cilësuar si të jashtëzakonshme atë çka ka arritur Kosova për çerekshekulli liri. Ai përmes një videomesazhi ka garantuar se mbështetja e SHBA-së për Kosovën do të vazhdojë.
“25 vjet më vonë, jemi krenarë për gjithçka që keni arritur. Ju keni ndërtuar shtetin tuaj sovran, demokratik dhe shumetnik nga themeli. Ajo që keni arritur është e jashtëzakonshme. SHBA-ja është krenare që është partnere e juaja, ndërsa shënoni këtë moment historik të rëndësishëm. Dëshiroj të theksoj se përkushtimi i SHBA-së ndaj popullit të Kosovës është po aq i fortë dhe i qëndrueshëm si gjithmonë. Ne qëndrojmë me popullin e Kosovës kundër autoritarizmit, kundër çdo përpjekjeje për të shtypur brutalisht dhe për të ndarë shoqërinë në vija etnike ose fetare, kundër shkatërrimit me dhunë të jetës dhe jetesës së njerëzve dhe kundër vullnetit të tyre. Dhe ne qëndrojmë me krenari dhe plotësisht përkrah popullit të Kosovës. Kemi qenë me ju që nga fillimi. Jemi me ju tash. Dhe mirëpresim të qëndrojmë përkrah jush në vitet në vijim. Urime!”, ka thënë Hovenier.
Në Ditën e Çlirimit, edhe Gjermania është zotuar se do të qëndrojë përkrah Kosovës. Ambasadori Jorn Rohde tha se 25 vjet pas çlirimit Kosova është histori suksesi.
“Sot, para 25 vjetësh, filloi misioni i NATO-s, KFOR. Për ta cituar ish-sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Lord Robertson: ‘Qëllimi ishte largimi i forcave të Milosheviqit, hyrja e NATO-s dhe kthimi i refugjatëve’. Misioni është kryer. Kosova deklaroi pavarësinë në vitin 2008 dhe është një histori suksesi. Gjermania është dhe mbetet ndër partneret më të afërta të Kosovës”, ka thënë Rohde.
Kosovën për Ditën e Çlirimit e kanë uruar edhe liderë të tjerë, përfshirë kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
“Një urim nga zemra të gjithë popullit të Kosovës për përvjetorin e hyrjes së forcave të NATO-s krah për krah me luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar Rama në Facebook.
Kosova të mërkurën ka shënuar 25-vjetorin e Ditës së Çlirimit. Çerekshekulli më parë trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë pas bombardimeve kundër caqeve ushtarake e policore serbe në Kosovë dhe Serbi. Në 25-vjetor janë organizuar disa ceremoni, ndër të cilat edhe parakalimi i Forcës së Sigurisë dhe i Policisë së Kosovës në shesh.