LAJMET E MBRËMJES

Kosova merr statusin e anëtarit të asocuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s

Në mbledhjen e Asamblesë Parlamentare të mbajtur në Sofje të Bullgarisë, me shumicë votash është vendosur që Kosovës t’i avancohet statusi nga anëtar vëzhgues në anëtar të asocuar. Me gjithë fushatën agresive të Serbisë për ta penguar avancimin e Kosovës, në Asamble pati vetëm një votë kundër, derisa 14 vende abstenuan.

Asambleja Parlamentare e NATO-s e me shumicë votash e ka miratuar rekomandimin për avancim të statusit të Kuvendit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare të asocuar.

Vetëm një votë ka qenë kundër derisa 14 vende të tjera kanë abstenuar, në votimin e mbajtur të hënën në kuadër të punimeve të sesionit pranveror në Sofje.

Kryesuesi i delegacionit të Kosovës, Driton Hyseni, ka thënë se avancimi i statusit rrit kontributin e Kuvendit të Kosovës brenda Asamblesë.

“Nga deputet e Asamblesë Parlamentare morëm vendimin e shumëpritur ku na u mundësua që sot pas 10 vjetësh si anëtar vëzhgues nga sot të kemi një rol tjetër në AP-në e NATO-s, pra anëtar i asocuar. Ishte një lajm shumë pozitiv, kemi bërë një punë të madhe dhe ka qenë angazhim me të gjithë delegatët e Asamblesë Parlamentare të NATO, jo vetëm në këtë sesion por edhe në të kaluarën. Afrimi sa më afër strukturave të Asamblesë Parlamentare në NATO për neve paraqet si mundësi për të dhënë kontribut në këtë institucion, kur dihet se populli i Kosovës është shumë i lidhur me vlerat e NATO-së”, ka theksuar Hyseni.

Edhe pse Asambleja Parlamentare vepron institucionalisht e ndarë dhe e pavarur nga NATO-ja, sipas Hysenit, avancimi do të thotë afrim në proceset tjera integruese. 

“Asambleja Parlamentare mbledh deputetët e vendeve anëtare dhe vendeve partnere. Zhvillimet rreth NATO-s Asambleja Parlamentare i përçon tek vendet anëtare të NATO-së dhe në këtë rast është një sinjal pozitiv se po afrohemi drejt proceseve integruese dhe sigurisht jemi nën ombrellën e deputetëve që janë të vendeve anëtare të NATO-së dhe kanë mundësi të përçojnë mesazhe të qarta në komitetet përkatëse dhe vendet anëtare po ashtu”, është shprehur Hyseni.  

E udhëheqësit institucionalë e kanë quajtur hap të rëndësishëm avancimin e statusit në Asamblenë Parlamentare.

Kryeministri Albin Kurti e kryetari i Kuvendit shprehën mirënjohje për të gjitha vendet që votuan pro Kosovës.

“Urime të gjithë qytetarëve tanë dhe mirënjohje të gjithë anëtarëve të AP të NATO-s, që me votën e tyre e jetësuan këtë arritje shumë të rëndësishme! Një falënderim i veçantë shkon edhe për Delegacionin e Kuvendit të Republikës së Kosovës në AP të NATO-s! Përpjekja dhe angazhimi maksimal i këtij delegacioni u finalizua me këtë sukses të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe shtetit tonë në tërësi”, ka shkruar Konjufca.

Kurti ka theksuar se ky është hap i rëndësishëm.

“Me shumicë dërrmuese të votave të delegatëve nga vendet anëtare të NATO-s, Kuvendi i Republikës sonë tash ka statusin e anëtarit të asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s. Në prag të 25-vjetorit të çlirimit, Sofja, kryeqyteti i shtetit që 25 vjet më parë hapi hapësirën e vet ajrore për aeroplanët e NATO-s në fushatën kundër Serbisë, sot ishte vendtakimi në të cilin bëmë një hap të rëndësishëm në integrimin euro-atlantik, përkundër fushatës së Serbisë”.

Ndërkaq kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se avancimi i statusit të Kosovës në NATO është hap i rëndësishëm drejt anëtarësimit të plotë.

Avancimin e Kosovës nuk mundën ta ndalin as letrat e shumta dhe përpjekjet e vazhdueshme të delegacionit të Serbisë, për ta penguar procesin.

Në nisje sesionit të Asamblesë u prezantua një draft raport i Grupit Ndërkombëtar të Krizave, sipas të cilit KFOR-i ka negociuar tërheqjen e grupit paraushtarak serbë pas sulmi në Banjskë, më 24 shtator të vitit të kaluar. 

Por Misioni i KFOR-it në Kosovë e ka quajtur të pasaktë raportin tek kanë thënë se, në asnjë moment nuk kanë qenë të përfshirë në negociatat e supozuara.

“Pasi u ftua për të përforcuar praninë e tij, KFOR-i është koordinuar ngushtë me Policinë e Kosovës dhe me misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) për të rivendosur sigurinë në zonë. Dhuna që ndodhi në Banjskë erdhi pas një sulmi ndaj paqeruajtësve të KFOR-it në maj të 2023-s, i cili rezultoi në plagosjen e 93 pjesëtarëve të personelit të KFOR-it, disa prej të cilëve pësuan lëndime të rënda”.

Afro 400 deputetë nga 32 vendet anëtare të NATO-s dhe nga 25 vende partnere e organizata parlamentare për tri ditë morën pjesë në sesionin pranveror të Asamblesë Parlamentare.

Pjesëmarrësve u është drejtuar edhe Spekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, i cili ka rikonfirmuar mbrojtjen e aleatëve të kësaj aleance si dhe mbështetjen që do t’i ofrohet Ukrainës në përballje me agresionin e Rusisë.