LAJMET E MBRËMJES

Kosova e Shqipëria zotohen për zbatim të marrëveshjeve të mëhershme e finalizim të të rejave

Zotim për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tash e finalizim të marrëveshjeve të reja mes Kosovës e Shqipërisë, kanë paralajmëruar ministrat e Drejtësisë të të dyja vendeve. Në konferencë për media, ministrja Albulena Haxhiu dhe ministri Ulsi Manja kanë thënë se së shpejti do të fillojë njohja e zbatimit të dënimeve alternative për qytetarët e të dyja vendeve

Një marrëveshje e re mes Kosovës e Shqipërisë, në fushën e drejtësisë është paralajmëruar se do të nisë së zbatuari së shpejti. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe homologu i saj nga Shqipëria, Ulsi Manja, pas takimit të mbajtur sot, kanë shprehur vullnetin për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tash, derisa treguan për finalizimin e marrëveshjes për njohjen e zbatimit të dënimeve alternative për qytetarët e të dyja vendeve.

“Në takimin tonë theksova se Ministria e Drejtësisë është e nderuar që ka nisur punimet me Ministrinë e Drejtësisë të Shqipërisë me qëllim të realizimit të zotimeve tona që lidhen me negocimin dhe arritjen e një marrëveshjeje për njohjen e zbatimit të dënimeve alternative, e cila do të mundësojë që shtetasit kosovarë të liruar me kusht nga organet e Shqipërisë të mbikëqyren nga Shërbimi Sprovues i Kosovës dhe anasjelltas. Besoj se në këtë drejtim do të përfitojnë qytetarët e Kosovës, por edhe qytetarët e Shqipërisë”, ka thënë Haxhiu.

“Është një numër rreth 284 shtetas të Kosovës që paraqiten çdo muaj në Shërbimin e Provës në Shqipëri, por tash e prapa pas finalizimit dhe zbatimit të kësaj marrëveshjeje do të jetë Shërbimi Korrektues në Kosovë që do t’i mbikëqyrë dënimet alternative të shqiptuara nga gjykatat në Shqipëri. Kemi rënë dakord dhe shumë shpejt do ta konkretizojmë edhe njohjen reciproke të provimeve të jurisprudencës”, ka deklaruar Manja.

Ministri i Drejtësisë i Shqipërisë foli edhe për raportin e Dick Martyt, dhe tha se qëndron prapa asaj që ka thënë kryeministri Edi e Rama dhe rezolutës të cilën e ka votuar Kuvendi i Shqipërisë.

“Unë nuk kam të shtoj asnjë gjë më tepër sesa ç’ka thënë kryeministri Rama dhe çfarë ka thënë Parlamenti i Shqipërisë me rezolutën që ka miratuar së fundmi. Pra, ka një qëndrim të qartë të Republikës së Shqipërisë edhe në nivel të adresimit që ka bërë kryeministri, por tashmë kemi edhe një rezolutë të Parlamentit për çështjen e Rezolutës së Dick Martyt”, ka theksuar Manja.

Në konferencën për media u bë e ditur se ka nisur monitorimi i zbatimit të marrëveshjeve të arritura mes dy shteteve, derisa ministrja Haxhiu tha se janë duke synuar që brenda një muaji ta dërgojnë për ratifikim në Kuvendin e Kosovës marrëveshjen për dhënien e qelive me qira për të burgosurit e Danimarkës.

Ministri i Drejtësisë i Shqipërisë dhe delegacioni që e shoqëron atë, nga e hëna janë duke qëndruar në Kosovë.