LAJMET E MBRËMJES

Kosova e Maqedonia e Veriut pritet të nënshkruajnë për pika të përbashkëta kufitare

Qeveria e Kosovës e ka ndarë agjendën për mbledhjen e përbashkët me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut. Deri më tani janë bërë të ditura tri marrëveshje që pritet të nënshkruhen gjatë takimit ku nikoqir është ekzekutivi kosovar. Për këtë mbledhje ka reaguar lideri i PDK-së Memli Krasniqi. Ai ka kërkuar që në mbledhje të trajtohet edhe ndalimi i ish-pjesëtarëve të UÇK-së nga autoritetet e Shkupit zyrtar, bazuar në fletarrestet e Serbisë

Qeveria e Kosovës ka miratuar të dielën dy nisma në prag të mbledhjes së përbashkët me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, që do të mbahet të hënën në Prishtinë.

Në një mbledhje elektronike ekzekutivi ka miratuar “Nismën për lidhjen e protokollit për zbatimin e marrëveshjes në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për Pikat e Përbashkëta të Kalimit Kufitar Hani i Elezit – Bllacë dhe Glloboqicë – Jazhincë dhe nismën për memorandum të mirëkuptimit në mes të dikastereve të ekonomisë së dy shteteve lidhur me sektorin e Energjisë.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka deklaruar se është mirë që dy Qeveritë po mblidhen.

Por sipas tij, është e papranueshme ajo që i ndodhi Blerim Ramadanit, ish-pjesëtarit të UÇK-së i cili u arrestua e edhe u paraburgos me një fletarrestim të Serbisë për krime lufte.

“Së pari, përndjekja dhe arrestimi i veteranëve të UÇK-së në Maqedoninë e Veriut, siç ndodhi gjatë këtij viti, është i papranueshëm dhe cenon raportet tona ndërshtetërore. Qeveria e Kosovës duhet të kërkojë me këmbëngulje që raste të tilla, të cilat po ndodhin tani me qeverinë e re në Maqedoni të Veriut, të mos përsëriten më. Qeveria e Kosovës, e posaçërisht politikanët shqiptarë që janë pjesë e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, duhet të ngrenë zërin dhe të angazhohen që përdorimi i gjuhës shqipe të mos i cenohet askujt dhe askund. Çdo përpjekje për t’i cenuar këto të drejta duhet të ndalet menjëherë”, ka thënë Krasniqi.

E gazetari nga Maqedonia e Veriut, Xhelal Neziri, ka thënë se mbledhja është shenjë e marrëdhënieve të mira dhe është mirë që fokusi të jetë në lehtësimin e jetës së qytetarëve nga të dyja vendet.

“Gjithsesi është një shenjë e mirë, një porosi e mirë që dërgohet në një rajon i cili përgjithësisht njihet si hot-spot turbulent, burim konfliktesh dhe rajon i cili njihet edhe për luftërat që janë zhvilluar në të kaluarën”, ka thënë Neziri.

Sipas Nezirit, në fillim Qeveria e udhëhequr nga Mickoski e zvarriste punën me dy pikat e përbashkëta kufitare, porse tash kjo çështje pritet të përmbyllet.

Krahas marrëveshjes për pikat kufitare dhe energjinë, zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka paralajmëruar edhe nënshkrimin e një marrëveshjeje për bashkëpunim në fushën e arsimit profesional.