Nga 19 shtatori, qytetarë të Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në Izrael. Marrëveshja për udhëtime pa viza u nënshkrua midis ministres së Jashtme, Donika Gërvalla dhe ministrit izraelit të Punëve të Brendshme, Moshe Arbel. E gjatë vizitës së tij në Prishtinë, Arbel diskutoi edhe për çështje të tjera në takimet që i pati me kryeministrin Albin Kurti dhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca
Me marrëveshjen e nënshkruar në Prishtinë midis ministres së Jashtme, Donika Gërvalla e ministrit izraelit të Punëve të Brendshme, Moshe Arbel, qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në Izrael, duke nisur nga 19 shtatori.
Nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, Gërvalla nëpërmjet një njoftimi në rrjete sociale e kualifikoi si hap të rëndësishëm për promovimin dhe zhvillimin ekonomik e arsimor të vendit.
Krahas me Gërvallën, ministri izraelit, Arbel, gjatë qëndrimit të tij të martën në Kosovë mbajti takime edhe me kryeministrin, Albin Kurti e kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca.
Kryeministri Kurti e quajti nënshkrimin e marrëveshjes për heqjen e vizave, gjashtë muaj pas liberalizimit të vizave për në zonën Schengen, si një zhvillim pozitiv në marrëdhëniet Kosovë-Izrael.
E kryeparlamentari Konjufca bëri të ditur në Facebook se krahas çështjes së vizave në takim është diskutuar edhe për raportet midis Kosovës e Izraelit.
“Në takim u diskutuan çështje të ndryshme të interesit të përbashkët, që përfshijnë bashkëpunimin ekonomik, marrëdhëniet diplomatike dhe kulturore, çështje të sigurisë dhe mundësitë për të forcuar edhe më tej raportet mes dy vendeve. Palët vlerësuan se kjo gjë përbën një hap shumë domethënës në zhvillimin e raporteve mes dy shteteve, si dhe është një mundësi shumë e mirë për të rritur shkëmbimet e dyanshme, ku qytetarët e dy vendeve tona do të jenë ata që do të përfitojnë më së shumti”, shkroi Konjufca.
Për pajtimin e Izraelit që t’ua heqë vizat shtetasve të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani pati njoftuar më 29 janar të këtij viti.
Kosova e Izraeli kanë zyrtarizuar marrëdhëniet diplomatike në shkurt të vitit 2021.
Atyre u parapriu Marrëveshja e Washingtonit, të cilën Kosova dhe Serbia e nënshkruan më 4 shtator të vitit 2020, me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve ekonomike.
Në këmbim të njohjes së pavarësisë së saj nga Izraeli, Kosova hapi ambasadën e saj në Jerusalem, në korrik të 2021-s. E pas kësaj, Izraeli është bërë shteti i fundit që e ka njohur pavarësinë e Kosovës.