Mediat, Prokuroria për Krime Lufte në Beograd si dhe ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, njoftuan për arrestimin e një shtetasi të Kosovës të shtunën në territorin e Serbisë. Mirëpo, në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, thonë se deri tani nuk kanë arritur të marrin kurrfarë informacioni për këtë rast dhe dyshojnë se lajmi mund të jetë i fabrikuar nga shteti fqinj. Po ashtu dyshohet se i njëjtë mund të jetë edhe lajmi për arrestimin e F.K. muaj më parë
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka ngritur pretendime se disa nga njoftimet e institucioneve të sigurisë në Serbi për arrestimin e shtetasve të Kosovës nën dyshimet për krime lufte, mund të jenë fabrikime.
Në një përgjigje për KOHËN, në MPJD thanë se për njoftimin mbi arrestimin e një qytetari të Kosovës me inicialet M.I. të shtunën, në pikën kufitare mes Serbisë dhe Hungarisë, nuk kanë arritur të sigurojnë kurrfarë informacioni mbi identitetin e tij nga Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi, por as nga misionet diplomatike të vendeve të QUINT-it dhe EULEX-i.
“Një zhvillim i tillë lë vend për dyshime që deklaratat për arrestime të tilla mund të jenë të fabrikuara dhe që kanë qëllime propagandistike të establishmentit qeveritar dhe shtetëror të Serbisë. Megjithatë, ditët në vijim mbetet të qartësohet, nëse kemi të bëjmë me një arrestim të ndodhur të shtetasit të Republikës së Kosovës me inicialet M.I., apo është një veprim i sajuar me qëllime politike dhe propagandistike i Serbisë”, ka bërë të ditur MPJD-ja.
Në këtë institucion thanë se zakonisht, në rastet kur shtetasit e Kosovës arrestohen njëmend në Serbi, atyre iu lejohet një telefonatë me anë të të cilës i njoftojnë familjarët, të cilët më pas u drejtohen institucioneve të Kosovës ose mediave.
Për arrestimin e së shtunës ekziston njoftimi në faqen zyrtare të Prokurorisë për Krime Lufte në Serbi.
“Prokuroria Publike për Krime Lufte ka lëshuar urdhër për kryerjen e hetimeve ndaj të dyshuarit M.I. për shkak të veprës penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile nga neni 142 paragrafi 1 i Kodit Penal të RFJ-së. Prokuroria ka propozuar caktimin e paraburgimit për të dyshuarin”, thuhet në njoftimin e kësaj prokurorie.
Për këtë arrestim, i pari që foli ishte ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiq, por nuk dha më shumë informacione me arsyetimin se mund të cenohet procesi hetimor.
Në MPJD po ashtu thanë se nuk kanë informacione as për njoftimin e arrestimit të shtetasit të Kosovës me inicialet F.K. në fillim të korrikut, për të cilin gjithashtu ekziston njoftimi zyrtar në faqen e prokurorisë në Beograd.
KOHA i ka nisur pyetje Gjykatës së Lartë në Beograd lidhur me identitetet e M.I. dhe F.K., vendbanimin e tyre, vendin ku po mbahen dhe masën e sigurisë që u është caktuar, mirëpo gjatë së mërkurës nuk ka marrë përgjigje.
Në Serbi, nën dyshime për krime lufte po mbahen në paraburgim Nezir Mehmetaj, Hasan Dakaj dhe Tefik Mustafa.
Dakaj u arrestua në janar të këtij viti e Mustafa në qershor.
Më së gjati në paraburgim është Nezir Mehmetaj, i arrestuar më 3 janar 2020.