LAJMET E MBRËMJES

Kosova alarmon për afrimin e sërishëm të ushtrisë serbe në kufi, KFOR-i hesht

Afrimin e ushtrisë dhe të xhandarmerisë së Serbisë pranë kufirit, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, e kualifikoi si dëshmi se Kosova kërcënohet nga aspiratat hegjemoniste të Serbisë. Ai paralajmëroi se çdo shkelje të bërë nga Serbia, Kosova do ta prezantojë te faktori ndërkombëtar, si dëshmi e mosgatishmërisë së Beogradit zyrtar për bashkëpunim. E në KFOR kanë heshtur karshi shqetësimeve të ngritura lidhur me rastin, nga autoritetet në Kosovë

Misioni i NATO-s në Kosovë – KFOR – nuk ka komentuar shqetësimet e ngritura nga autoritetet shtetërore për dy rastet e fundit të afrimit të xhandarmërisë dhe të ushtrisë së Serbisë pranë kufirit me Kosovën.

Në KFOR nuk iu përgjigjën pyetjeve rreth çështjes, pasi misioni ka qenë referencë e përfaqësive diplomatike në Kosovë për informacione. E në Bashkimin Evropian, në një përgjigje për KOHËN, thanë të mos kenë informacione lidhur me rastet.

Ushtria e Serbisë i është afruar kufirit me Kosovën fillimisht fundjavën e shkuar, si dhe të hënën mbrëma, kur Policia njoftoi për praninë e një patrulle të xhandarmërisë në pikëkalimin kufitar në Merdar.

Këto raste, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, i ka kualifikuar si shkelje të marrëveshjes për menaxhimin e përbashkët të pikave kufitare.

“Ne patjetër që jemi të gatshëm me u ballafaqua me çdo shkelje të tyre dhe në të njëjtën kohë edhe t’i prezantojmë ato te partnerët tanë, si dëshmi shtesë se si Serbia nuk është e gatshme për të bashkëpunuar pavarësisht marrëveshjet të cilat ajo i ka nënshkruar”, ka thënë Sveçla.

Veprimet e tilla, sipas tij, tregojnë qartë që Kosova është e kërcënuar nga synimet nënshtruese të Serbisë. 

“Është e qartë se Kosova është e kërcënuar nga aspiratat hegjemoniste të Serbisë. Gjithë aparati i tyre shtetëror punon për të përmbushur qëllimet e tyre, të cilat jo vetëm që janë të papranueshme për ne, por edhe kriminale në realitetin tonë. Institucionet e Kosovës po forcohen çdo ditë që këto qëllime të Serbisë të zmbrapsen në çdo moment, tash edhe në të ardhmen”, ka shtuar ai.

E ish-koloneli i Policisë, Rrahman Sylejmani, tek i kualifikoi rastet si provokim të radhës të Serbisë, e quajti të papranueshëm mosreagimin e KFOR-it, ndonëse e ka në përgjegjësi mbikëqyrjen e vijës kufitare.

“Është për t’u habitur se, edhe në të kaluarën nuk është vetëm ky rast, nuk ka reaguar asnjëherë KFOR-i në mënyrë decidive dhe të duhur. Kur shukatin para një ndodhie që ndodh në atë zonë, ku ata janë përgjegjës, mund të kuptohet se është si lloj miratimi”, ka deklaruar Sylejmani.

Për rastin e parë, autoritetet e Serbisë kanë thënë se iu afruan kufirit për të luftuar kontrabandën me dru, e për rastin e dytë nuk janë deklaruar.

Një ditë më parë, në KFOR kanë thënë se si pjesë e veprimeve të ndërmarra nën komandën e Turqisë, janë shtuar patrullimet përgjatë vijës kufitare administrative. Krahas kësaj, përmendën edhe patrullimet e përbashkëta me Policinë e Kosovës dhe ato të sinkronizuara me Forcat e Armatosura të Serbisë, përgjatë kësaj vije.