LAJMET E MBRËMJES

“Korrektohet” Ligji për KPMSHCK-në

Ligji për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civilë do të dërgohet për dekretim te presidentja, pa nenet që Gjykata Kushtetuese i shpalli të pavlefshme. Në mbledhjen e Komisionit parlamentar për Administratë Publike, deputetë të opozitës akuzuan partinë në pushtet për shkelje të qëllimshme të Kushtetutës

Kuvendi do ta dërgojë për dekretim te presidentja Ligjin për Këshillin e Pavarur për Mbikëqyrës Civilë pa shtatë nenet që Kushtetuesja i shpalli të pavlefshme.

Kryetari i Komisionit për Administratë Publike, Valon Ramadani, ka kërkuar që në përputhje me aktgjykimin të bëhet teksti i ligjit pa nenet e shpallura të pavlefshme.

“Në bazë të nenit 91, paragrafi 2 të Rregullores së Kuvendit, kërkohet nga Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal që në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të përgatisë tekstin e ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligji për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës pa nenet e shpallura të pavlefshme, nenet 2, 6, 7,8, 9, 10 dhe 11”, ka thënë Ramadani.

Në mbledhjen e komisionit ku u vendos për këtë, deputetë opozitarë akuzuan pushtetin për hartimin dhe miratimin e ligjeve që bien ndesh me Kushtetutën.

Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, tha se Ligji për Këshillin e Pavarur për Mbikëqyrës Civilë nuk përbën rast të izoluar.

“Ne kemi kritikuar vazhdimisht këtë qeveri që ka ardhur me ‘stupc’ në krahë për arsye se e ka kundërshtuar qëllimshëm edhe duke e ditur që do të ketë shkelje kushtetuese. Dhe nuk është hera e parë që kemi një shkelje kushtetuese. Janë mbi 10 shkelje kushtetuese që qeveria dhe mazhoranca në këtë legjislaturë në krye me Vetëvendosjen e kanë sjellë vendin tonë. Me këtë aktgjykim realisht Vetëvendosja me prapaskenë Dejona Mihallin dhe shumë të tjerë kanë dashur që të kapnin këto institucione dhe të denigronin shërbyesit civilë duke ia larguar edhe kompetencat Këshillit”, ka thënë Lushtaku.

E deputeti i LDK-së, Agim Veliu, tha se partia në pushtet qëllimshëm ka shkelur Kushtetutën me aprovimin e këtij ligji.

“Gjatë gjithë procesit në gjitha fazat kemi tërhequr vërejtjen se komisioni është në tentativë të shkeljes së Kushtetutës, me aprovimin e disa neneve në projektligjin e cekur. Megjithatë ky komision ka vazhduar dhe e ka proceduar në Kuvend. Po ashtu edhe në Kuvend është tërhequr vërejtja se me aprovimin e këtij ligji po shkelet Kushtetuta. Prapëseprapë nuk është dëgjuar zëri i opozitës. Jemi në shkelje të Kushtetutës dhe si komision sot ne jemi në humbje të kohës”, ka thënë Veliu.

Në qershor Kushtetuesja pati rrëzuar shtatë nene të Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, i cili u dërgua për shqyrtim nga deputetët e PDK-së dhe ata të LDK-së.

Nëpërmjet neneve që i ka rrëzuar Kushtetuesja janë prekur kriteret dhe procedurat për emërimin e anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës; është eliminuar dispozita që garanton imunitetin në vendimmarrje, e edhe është zhveshur Këshilli nga kompetencat për të vendosur lidhur me ankesat e nëpunësve civilë dhe kandidatëve për pranim në pozita të larta drejtuese.