Faton Selmanaj, Muharrem Lulaj e Xhavit Kuçi, si dhe organizatat “Pishtarët” dhe GLPS, ia kanë adresuar të mërkurën Gjykatës Kushtetuese shqetësimet mbi operimin e tri hidrocentraleve në shtratin e lumit Lumbardh, në Komunën e Deçanit. Ata kanë kërkuar nga gjykata që ta bëjë vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Gjykatës Supreme, e cila i pati vlerësuar si të ligjshme vendimet për dhënien e lejeve ujore dhe atyre mjedisore për hidrocentralet “Belleja”, “Deçani” dhe “Lumbardhi II”. E, me këtë vendim ata kanë pretenduar se Supremja ka shkelur katër nene të Kushtetutës
Tre qytetarë e dy organizata të shoqërisë civile i janë drejtuar instancës së fundit të drejtësisë në Kosovë për ta fituar betejën ligjore për mbrojtjen e mjedisit.
Faton Selmanaj, Muharrem Lulaj e Xhavit Kuçi, si dhe organizatat “Pishtarët” dhe GLPS ia kanë adresuar të mërkurën Gjykatës Kushtetuese shqetësimet mbi operimin e tri hidrocentraleve në shtratin e lumit Lumbardh në Komunën e Deçanit.
Ata kanë kërkuar nga gjykata që ta bëjë vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Gjykatës Supreme, e cila i pati vlerësuar si të ligjshme vendimet për dhënien e lejeve ujore dhe atyre mjedisore për hidrocentralet “Belleja”, “Deçani” dhe “Lumbardhi II”. E, me këtë vendim ata kanë pretenduar se Supremja ka shkelur katër nene të Kushtetutës.
“Me kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese kemi dhënë argumente të mjaftueshme se ky aktgjykim i Gjykatës Supreme është marrë në kundërshtim me nenet 31, 32, 52 dhe 54 të Kushtetutës”, është shprehur Liridon Salihu nga Qendra për Rastet Gjyqësore Strategjike, në kuadër të Grupit për Studime Politike dhe Juridike, në një konferencë shtypi të mbajtur të mërkurën.
Palët që i janë drejtuar Kushtetueses janë mbështetur në argumentimin e tyre se lejet ujore dhe ato mjedisore janë lëshuar në kundërshtim me ligjin dhe se është shpërfillur tërësisht dëmi i pariparueshëm mjedisor. Dëmi u pati konstatuar edhe nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), por për këtë nuk ka ndërmarrë veprime.
Si rrjedhojë, në aktgjykim Supremja ka vlerësuar se për aq kohë sa MMPH-ja nuk ka vepruar, as Gjykata “nuk ka tagër që të veprojë në këtë drejtim”.
“Kemi kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që, përveç vlerësimit të këtyre argumenteve, të konstatojë se ka pasur shkelje në vendosjen për çështjen e hidrocentraleve të Deçanit, si dhe këtë çështje ta kthejë në rivendosje në Gjykatën e Apelit”, ka theksuar Salihu.
Në një raport të nxjerrë nga grupi punues i MMPH-së për çështjen e licencimit të hidrocentraleve është theksuar se përveçqë është dëmtuar rrjedha e lumit dhe nuk është respektuar minimumi ekologjik, janë evidentuar edhe shkelje ligjore në ndërtimin e objekteve të hidrocentraleve.
“Ndërtesat e dy HC (Lumëbardhi II dhe Belaja) janë ndërtuar në pronë ujore në afërsi të drejtpërdrejtë të lumit, në kundërshtim me Ligjin për ujërat (neni 48) 12, që përcakton distancën prej minimumi 30 metra për ndërtimin e objekteve nga vija e plotë (ujërat 100-vjeçare)”, ishte shkruar në raport.
Kundërligjore te këto hidrocentrale kishte rezultuar të jetë edhe një marrëveshje për shfrytëzim të tokës pyjore, të cilën kompania “Kelkos Energy” e pati nënshkruar me Agjencinë e Pyjeve të Kosovës. Sipas raportit, shpeshherë gjatë ndërtimit të hidrocentraleve janë bërë ndërhyje në projekte pa pëlqimin e Ministrisë.
“Në HC ‘Lumëbardhi II’ janë bërë ndryshime në projekt pa pëlqimin e Ministrisë, siç kërkohet me vendim për leje ndërtimore”, ishte thënë tutje në raport.
Aty është theksuar edhe se dy nga hidrocentralet e Deçanit - HC “Deçani” dhe HC “Belleja” - janë ndërtuar brenda Zonës së Veçantë të Mbrojtur të Manastirit të Deçanit.