LAJMET E MBRËMJES

Konjufca: Vetëvendosje nuk mund ta bëjë qeverinë vetë

Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka thënë se Vetëvendosje nuk do të mund ta bëjë qeverinë vetë. Tek ka folur për ftesën që partia së cilës i përket ia dërgoi LDK-së para PDK-së si parti e dytë, ai tha se ka një qëllim. E, përfaqësues të LDK-së deklaruan se mes kësaj partie dhe asaj të kryeministrit Kurti ekziston një mur i palëvizshëm. Ndërkaq përfaqësues të PDK-së theksuan se opsion për koalicion i kanë partitë me të cilat për katër vjet kanë qenë në opozitë

Për përgatitjet e seancës konstituive të Kuvendit kryeparlamentari Glauk Konjufca mblodhi në takim përfaqësuesit e partive politike.

Në këtë mbledhje, që nuk zgjati as 30 minuta, u diskutua vetëm për çështjet procedurale, që përfshijnë vendet e partive në sallë dhe caktimin e rendit të ditës, që parasheh formimin e komisionit për verifikimin e mandateve të deputetëve, betimin e deputetëve, zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve.

Ndonëse seanca do të mbahet një javë pas, të martën e 15 prillit, dhe Kuvendi konstituohet vetëm pas zgjedhjes së kryetarit, Konjufca tha se Vetëvendosje, si subjekti më i madh, ende nuk e ka emrin e kryeparlamentarit.

Nuk tregoi as nëse i ka votat e sigurta për zgjedhjen e tij.

Ndërkaq për formimin e Qeverisë tha se Vetëvendosje nuk e bën dot vetë.

“Qëllimi ynë ka qenë të vazhdojë një qeverisje siç e kemi, mundësisht pa partitë e tjera opozitare dhe pastaj ti e merr rezultatin e zgjedhjeve dhe e sheh që nuk ke mundur ta arrish atë qëllim. Kjo është demokraci dhe pastaj e modifikon rrugën. Nuk është kurrfarë mëkati kjo në demokraci”, ka thënë Konjufca.

Ai ka theksuar se në vazhdën e përpjekjeve për ta bërë Qeverinë, pas komuniteteve, LDK-ja është partia e parë dhe e vetme që është ftuar deri tash nga LVV-ja dhe tha se kryeministri ka pasur një qëllim pse e ftoi atë para PDK-së, të cilën rezultati zgjedhor e ka renditur parti të dytë.

“Akti i parë me të cilin po fillon përpjekja për konstituimin e institucioneve të reja sa i përket koalicionit të ardhshëm janë konsultimet që kryeministri i ka kërkuar me LDK-në. Jashtë kësaj dhe jashtë letrës drejtuar nga ana e kryeministrit të gjitha janë spekulime”, ka thënë ai. “Kryeministri ka pasur një qëllim pse i është drejtuar LDK-së”.

Por, nënkryetarja e LVV-së, Albulena Haxhiu, e cila ka përfaqësuar këtë parti në takimin e ftuar nga Konjufca, ka thënë se nuk përjashtohet mundësia që deri të martën e ardhshme do të ketë përpjekje edhe për takime të tjera. 

Edhe pse i është dërguar ftesë për bashkëpunim LDK-së, ajo tha se nuk tërhiqen nga qëndrimet që kanë dhënë kundrejt lidershipit të kësaj partie.

“Qeverinë mund ta bëjë Lëvizja Vetëvendosje dhe në anën tjetër nuk mendoj që mundet opozita ta bëjë qeverinë si e vetme. Prandaj duke qenë kështu, ose e bëjmë Qeverinë ne, ose shkojmë në zgjedhje dhe ne jemi të interesuar ta bëjmë qeverinë. Unë jam e bindur që Qeveria do të bëhet”, ka deklaruar ajo.

Nënkryetarja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili ka thënë se LDK-ja nuk i ndryshon qëndrimet që i ka mbajtur para e pas zgjedhjeve. 

Mes partisë që përfaqëson dhe LVV-së tha se është një mur i palëvizshëm.

“Një parti politike në Kosovë e ka shfaqur sheshitur një hendek shumë të madh me LDK-në, hendek ky që u shndërrua më pas në një mur të palëvizshëm pas zgjedhjeve, jo vetëm për shkak të diskursit të kryeministrit të vendit, por në përgjithësi për shkak të mënyrës se si ai ka qeverisur Republikën e Kosovës në këta katër vjet”, është shprehur ajo.

E përfaqësues të PDK-së thanë se para një koalicioni me LVV-në, opsion e kanë bashkëpunimin me subjektet politike që kanë qenë në opozitë deri tash.

“Si opozitë kemi thënë se i takon partisë që ka dalë e para, që të ketë aftësinë, bashkëpunimin, komunikimin, ta krijojë Qeverinë. Nëse nuk arrin është obligim institucional i partisë së dytë… Opsionet janë brenda partive opozitare”, ka thënë nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili.

Ai ka thënë se grupi parlamentar i PDK-së nuk rrezikon që ndonjë nga deputetët t’i bashkohet ndonjë partie tjetër.

“Natyrisht që ka unitet, jemi legjislaturë e cila është mjaft e bashkuar dhe të zellshëm për ta përfaqësuar PDK-në. Kështu që do të kemi një përfaqësim të jashtëzakonshëm. Nuk vjen në komnsideratë të pakohemi si grup, mirëpo a do të rritemi si grup nuk i dihet”, ka theksuar Ismaili.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, fillimisht ka takuar përfaqësues të subjekteve politike që u përkasin komuniteteve, përjashtimisht ata të Listës Serbe. Po kështu, edhe kryetarin e Listës Socialdemokrate, Fatmir Limaj. Por, të dielën ai e ftoi Këshillin e Sigurisë, pas mbledhjes së të cilit është theksuar se me ndërhyrjen e Serbisë dhe Milan Radoiçiqit, është duke u minuar procesi i konstituimit të institucioneve të reja.

“Në këtë mbledhje u konstatua se përveç ndërhyrjeve të Serbisë në fushatën zgjedhore dhe në zgjedhjet parlamentare në Kosovë të 9 shkurtit 2025, përmes Listës Serbe dhe kryeterroristit Milan Radoiçiq si kryetar ‘de facto’ i saj, Serbia tash po ndërhyn te disa prej deputetëve të komuniteteve joshumicë e joserbë, që ta sabotojë themelimin e institucioneve të reja të legjislaturës së nëntë. Me kërcënime e joshje, dhe sidomos me shantazhe, ajo po orvatet të nxisë tensione ndëretnike e ndërpartiake në Kosovë dhe ta destabilizojë Kosovën. Kjo paraqet ndërhyrje flagrante ndaj sovranitetit shtetëror, funksionimit demokratik dhe integritetit institucional të vendit tonë”, është thënë në njoftimin e Qeverisë pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë.

Një nga deputetët e komuniteteve, ai i Partisë Unike Gorane, Adem Hoxha, ka thënë të martën se partia e tij ka ende dyshime se a ta mbështesë liderin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për formimin e qeverisë së re.

“Mua nuk me pengon Kurti dhe askush. Por e kam vendosur pikëpyetjen [për mbështetjen], marrë parasysh përvojën që e kemi pasur me kryeministrin Kurti në katër vjetët e kaluar”, ka thënë Hoxha për REL-in.

Hoxha – i cili në të kaluarën ka qenë pjesë e Grupit Parlamentar të Listës Serbe – e mohoi se ka pasur ndonjë lloj trysnie nga “Serbia apo kushdo qoftë”, pasi Këshilli i Sigurisë së Kosovës tha se Serbia po tentonte ta sabotonte “themelimin e institucioneve të reja” dhe legjislaturës së nëntë, të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

“Nuk më ka thirrur askush nga Serbia, nuk kam marrë asnjë kërcënim, shantazh apo sugjerim”, ka thënë Hoxha, i cili nuk ka shpjeguar cila ka qenë përvoja me Kurtin gjatë mandatit të tij të kaluar katërvjeçar dhe as cilat do të ishin kushtet e tij për t’ia dhënë votën Kurtit për mandatin e tretë.

Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, Kurti i ka shkruar kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, me kërkesën për t’u takuar dhe për të folur rreth mundësisë së koalicionit.

“Me qëllim të konstituimit të plotë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe procesit të zgjedhjes së qeverisë së re, për t’u konsultuar paraprakisht, ju ftoj në takim të mërkurën, më datë 9 prill, në orën 15:00, apo të enjten, më datë 10 prill, në orën 9:00 ose në 14:00. Mirëpres përgjigjen tuaj për këtë takim”, thuhet në letrën e Kurtit.

Seanca e 15 prillit është caktuar nga presidentja Vjosa Osmani dhe do të drejtohet nga deputeti më i vjetër, Avni Dehari nga LVV, dhe deputetja më e re, Sala Jashari nga PDK-ja.

Vetëvendosje i fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit me rreth 42 për qind të votave, apo 48 ulëse nga 120 sa i ka Kuvendi i Kosovës. Asaj i nevojitën të paktën 61 ulëse për ta formuar qeverinë e re.