Në takim me presidentin e Këshillit Kombëtar të Zvicrës, Eric Nussbaumer, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka kërkuar ndëshkimin e Serbisë për sulmin e kryer në Banjskë. Konjufca ka thënë se mosndëshkimi i Serbisë lë hapësirë për përsëritjen e një sulmit tjetër të Beogradit. Ndërsa, Nussbaumeri bëri thirrje që Kosova dhe Serbia të kthehen në tavolinë të bisedimeve
Disa ditë pasi ka paralajmëruar se një grup prej qindra personash është duke u përgatitur në Serbi që ta sulmojë Kosovën, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se ka rrezik për një sulm tjetër të Serbisë në Kosovë.
Në takim me presidentin e Këshillit Kombëtar të Zvicrës, Eric Nussbaumer, të martën në Prishtinë, Konjufca ka thënë se nëse Serbia nuk ndëshkohet për sulmin e kryer në Banjskë të Zveçanit, një skenar i njëjtë i përmasave më të mëdha mund të përsëritet.
“Ia shpreha shqetësimin tim deputetit Nussbaumer, se po qe se Serbia lihet e pandëshkuar, lidhur me agresionin terrorist në Banjskë, që u krye në shtator të vitit të shkuar, Serbia ka për ta përsëritur këtë skenar, por në përmasa shumë më të mëdha. Si një nga shtetet që nuk e ka mbështetur sanksionimin e Rusisë përballë luftës në Ukrainë dhe vazhdon të kultivojë bashkëpunim ushtarak me Rusinë, Serbia duhet të shihet si rrezik jo vetëm në Kosovë, por përtej stabilitetit dhe paqes në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Konjufca.
Në sulmin në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023, një grup serbësh të armatosur e të uniformuar, e sulmuan policinë, me ç’rast vranë rreshterin Afrim Bunjaku dhe e plagosen një pjesëtar tjetër.
Në operacionin që pasoi, Policia vrau tre terroristë serbë, arrestoi disa të tjerë dhe konfiskoi sasi të madhe të armatimit e municionit. Përgjegjësinë për sulmin e mori deri atëherë nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq.
Ndërkohë, duke folur për Marrëveshjen me Serbinë, kryeparlamentari ka deklaruar se Beogradi është duke i shkelur parimet e dakordimeve të arritura gjatë bisedimeve në Bruksel.
“Kjo çështja e pozicionit të Kosovës po ndërlikohet pa nevojë. E para marrëveshja përbëhet prej parimeve dhe çështjet konkrete. Parimet e përbejnë frymën e marrëveshjes. Parimet nuk kanë afat, nuk mund të thotë Serbia me Kosovën mund të sillet agresore dhe në një moment mund të bëhet fqinj i mirë. Çështjet konkrete mund të kenë afate. Problemi është se Serbia po i shkel parimet e marrëveshjes. Atë barazinë sovrane mes shteteve duke mos e pranuar Kosovën fare si shtet dhe e dyta pengimin e Kosovës për anëtarësim në institucionet e BE-së. Nuk mund të kesh barazi sovrane mes shteteve kur Ana Bernabiq dërgon letrën për ta zhvlerësuar marrëveshjen. Ne kemi subjektivitetin ndërkombëtar edhe pa Serbinë. Fakti që Serbia po i shkel këto parime kjo na jep të drejtë që të mos e hedhim hapin tjetër, keni dëgjuar për Asociacionin, po është pika e shtatë. Asociacioni ka afat”, ka thënë Konjufca në konferencë të përbashkët me Nussbaumer.
E, Nussbaumeri ka bërë thirrje që Kosova dhe Serbia të kthehen në tavolinë të bisedimeve, që të parandalojnë konfliktet e mundshme.
“Ne kemi pasur një takim të frytshëm, diskutimet tona i kanë theksuar marrëdhënie dinamike dhe të fuqishme. Kosova dhe Zvicra kanë bashkëpunuar edhe në fushën e diplomacisë parlamentare. Unë e kam përshëndetur bashkëpunimin e ekspertizave parlamentare. Zvicra është një mbështetëse e vazhdueshme e Kosovës, Zvicra është krenare me komunitetin e integruar mirë në shoqërinë tonë, të kosovarëve. Zvicra është e shqetësuar për tensionet në rritje në lidhje me pakicat serbe në Kosovë. Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës dhe Serbisë që të ndërmarrin hapa që t’i parandalojnë tensionet. Zvicra e mbështet dialogun, Kosova ka Zvicrën një aleate të besueshme për zhvillim dhe integrimin evropian”, ka thënë ai.
Nussbaumer takimin e cilësoi të frytshëm për rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Ai po ashtu ka theksuar mbështetjen për Kosovën, në proceset për integrim evropian.