Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka kritikuar përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell, e emisarin Miroslav Lajcak për qasjen që kanë pasur në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Në prag të përmbylljes së mandatit të dy zyrtarëve evropianë, Konjufca ka thënë se ata nuk kanë vepruar sipas standardeve evropiane.
“Preferencat e tyre private dhe individuale kanë pasur ndikim të madh në mënyrën se si e kanë formësuar ata dialogun. Dhe mendoj se njëra prej konsekuencave më të mëdha në këtë qasje ka qenë favorizimi i padiskutueshëm i Serbisë në këtë proces negociator si dhe vendosja e Kosovës në një pozicion të pafavorshëm. Po them kështu se Kosova veprimet më të vogla apo gjestet ma të vogla të cilat I ka ndërmarrë janë dënuar ashpër prej BE ndonjëherë edhe më ashpër sa që është dënu prej BE-së sulmi i Banjskës më 24 shtator”, ka deklaruar Konjufca.
Konjufca ka thënë se institucionet ndajnë të njëjtin qëndrim sa u përket kushteve të vëna nga kryeministri Albin Kurti për takimin me presidentin Aleksandër Vuçiq.
Sipas tij, nuk mund të flitet për fqinjësi të mirë e paqe në rajon pa u vënë para drejtësisë organizatori i sulmit të Banjskës, Milan Radojciq dhe grupi i tij.
“Dhe derisa ne po flasim këtu institucionet tona kanë informacione të sakta se një grup tjetër prej qindra personash sërish po e bëjnë të njëjtën gjë në Serbi po ushtrojnë, po përgatiten për ndonjë sulm eventual që mund ta përjetojmë. Por ne jemi gjithmonë të përgatitur dhe institucionet e tona të sigurisë janë në vigjilencën më të lartë që ta përballim çka do që na vjen ose sulm ose provokim nga ana e Serbisë..”
Këto komente Konjufca i ka bërë pas takimit me kryetaren e Kuvendit të Sllovenisë, Urška Klakočar Zupančič.
Zupançiç ofroi përkrahje për integrimin euroatlantik të Kosovës e për dialogun me Serbinë.
Bëri thirrje për ndryshim të qasjes së Serbisë, e kërkoi që problemet të zgjidhen përmes dialogut, për të mos u parë situata si ajo në Ukrainë.
“Kemi marrëveshje të cilat nuk janë implementuar dhe kemi këtë sulmin terrorist për të cilin e ka marrë përgjegjësinë e plotë një person, por nuk është i dënuar për këtë. Ka frustrim të madh. Është e kuptueshme, është e qartë. Por unë dua që autoritetet e Serbisë të tregojnë një ndryshim, t'i ndryshojnë këndvështrimet e tyre dhe të jenë më të hapura për bisedime, sepse në fund të ditës dialogu është ai i cili do t’i shpejtojë të gjitha gjërat. Historia na ka treguar që dhuna dhe sulmet asnjëherë nuk sjellin gjëra të mira”, ka thënë ajo Zupančič.
Kryetarja e Kuvendit të Sllovenisë, Urška Klakočar Zupančič është pritur edhe nga presidentja Vjosa Osmani.