LAJMET E MBRËMJES

Konfiskohen 64 armë dhe arrestohen 24 të dyshuar

U janë vënë prangat 24 anëtarëve të një grupi të dyshuar për kontrabandim armësh e narkotikësh. Operacioni është realizuar nga Policia e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, e gjatë të cilit janë kapur 64 armë dhe sasi e madhe municioni

Operacioni i përbashkët i Policisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, i koduar “Çmontimi”, ka vënë në pranga të enjten 24 persona të cilëve u janë gjetur 64 armë zjarri.

Aksioni është udhëhequr nga Prokuroria Speciale e Kosovës, ndërsa 14 nga të arrestuarit janë shtetas të Kosovës dhe 10 shtetas të Shqipërisë.

Ata janë të dyshuar si trafikantë të armëve, thanë përfaqësuesit e autoriteteve policore në një konferencë të mbajtur në pikën kufitare Vërmicë-Morinë.

“U kryen nëntë kontrolle, bastisje në lokacione të ndryshme në Prishtinë, Ferizaj dhe Skenderaj. Gjatë këtyre kontrolleve u sekuestruan prova materiale: 32 armë, pistoleta kryesisht të modelit ‘Zoraki’, pesë armë të gjata, 2629 municione, gjashtë copë-pjesë të ndryshme të armëve, gjashtë karikatorë, 2655 euro, dy automjete dhe telefona”, ka thënë Blerim Rama, drejtor i Operativës së Policisë Kufitare.

Sipas autoriteteve të të dyja shteteve, armët e kishin destinacion Shqipërinë, ndërsa droga e zënë e kishte destinacion Kosovën.

Drejtori i Drejtorisë së Policisë në Tiranë, Elton Alushi, tha se e mira e operacionit është që u luftua edhe trafikimi me droga të rënda.

“Gjatë hetimeve është provuar se grupi kriminal vepronte në mënyrë të organizuar për trafikimin e armëve dhe lëndëve narkotike, mes dy vendeve tona. Ky procedim ka çuar në goditjen përfundimtare të këtij rrjeti dhe ka parandaluar përdorimin e armëve për aktivitete të tjera të rënda kriminale, duke kontribuuar në rritjen e sigurisë publike”, ka thënë Alushi.

Operacioni është mbështetur nga EUROPOL-i dhe EUROJUST-i. 

Sipas Policisë së Kosovës, informata e parë është marrë pasi dy shtetas të Kosovës u arrestuan në pikën kufitare Kosovë-Serbi në Merdar nga Policia serbe, në janar të 2024-tës, tek kontrabandonin pistoleta “Zoraki”. Po në janar, në Kosovë u bënë arrestimet e para në kuadër të operacionit. E në qershor dy policitë themeluan ekip të përbashkët hetimor për rastin.