LAJMET E MBRËMJES

Komuna e Prishtinës ndan 277 mijë euro për parkun e ri në lagjen “Arbëria”

277 mijë euro ka ndarë Komuna e Prishtinës për ndërtimin e parkut në lagjen “Arbëria”. Parku u emërtua me emrin e ish-kryeministrit japonez, Shinzo Abe. Ambasadori i Japonisë në Kosovë, Ryuta Mizuuchi, në ceremoninë inauguruese, të martën, u shpreh falënderues dhe lexoi edhe një letër të vesë së Abes

Një park i inauguruar të martën në Prishtinë synon të afrojë edhe më shumë Kosovën me Japoninë.

Parku i ri në lagjen “Arbëria” u emërtua “Shinzo Abe”, në nderim të ish-kryeministrit japonez.

Ambasadori i Japonisë në Kosovë, Ryuta Mizuuchi, teksa shprehu nderimin për punën e bërë nga Komuna e Prishtinës, lexoi edhe një mesazh falënderimi të së vesë së Shinzo Abes. Tha se emërtimi “Shinzo Abe” e ka gëzuar shumë.

“Unë besoj që ky park do të na përafrojë mes vete si popuj ashtu siç edhe burri im dëshironte, kjo është edhe dëshira ime. Sot e kam lutur ambasadorin që ta lexojë mesazhin tim. Unë shpresoj shumë që në të ardhmen e afërt të vijë dhe ta vizitojë parkun dhe t’iu falënderojë të gjithëve për këtë gjest”, tha Mizuuchi.

Parku i ndërtuar nga Komuna kushtoi 277 mijë euro.

E kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e quajti të martën ditë historike. Tha se kjo u bë për ta përforcuar partneritetin mes dy vendeve.

“Për nder të gjithë këtij partneriteti që kanë dy shtetet tona dhe çdo gjëje që shteti japonez ka bërë për ne. Kemi vendosur që ta ndërtojmë këtë park dhe ta emërojmë si Shinzo Abe, me emrin e kryeministrit japonez tashmë të ndjerë. Ne e falënderojmë familjen e Abe që kanë pranuar që ne ta quajmë kështu parkun. Jam i lumtur që është me ne edhe ambasadori në këtë ditë historike”, tha Rama.

Ish-kryeministri japonez, Shinzo Abe, u vra në gusht të vitit 2022. Ai u qëllua me armë zjarri gjersa po mbante një fjalim gjatë fushatës zgjedhore.