LAJMET E MBRËMJES

KFOR-i eviton përhapjen e zjarrit në Prevallë, AME: 36 zjarre këtë javë janë përhapur në Kosovë

Në 36 raste të përhapjes së zjarreve është intervenuar për shuarje të tyre brenda 2 ditëve, sipas Agjencisë së Menaxhimit Emergjent. Zjarri që ishte përhapur tash e një javë në Prevallë, këtë të mërkurë është shuar falë intervenimit nga ajri nga misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR.

Pas thirrjeve të shumta për intervenim, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, u ka dalë në ndihmë zjarrfikësve, të cilët tash e një javë po luftonin me flakët.

Brenda disa orëve të mërkurën u arrit të shuhej zjarri falë intervenimit nga ajri. 

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, përmes një postimi një rrjete sociale, njoftoi se zjarri u shua derisa shtoi se nuk ka rrezik të ripërhapet.

Mirëpo, në Agjencinë e Menaxhimit Emergjent në Kosovë janë raportuar 36 raste për zjarre, por megjithëkëtë kanë thënë se situata është e menaxhueshme.

“Aktualisht në Prishtinë janë bërë 8 intervenime, në Podujevë janë 5 zjarre fushore, mirëpo situata është e qetë. Në komunën e Vitisë janë 3 zjarre fushore, në Gjilan janë 5 zjarre fushore dhe 2 malore, në Lipjan janë 3 zjarre fushore dhe 1 zjarr malor, ndërkaq në Vushtrri janë realizuar 3 intervenime në zjarre fushore. Ndërkaq në komunat Hani i Elezit, Rahovec dhe Deçan janë aktive nga 1 zjarr, mirëpo situata është e qetë dhe e menaxhueshme.”

Kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve, Muharrem Beka, në një intervistë në emisionin “Interaktiv” në KTV, ka thënë se mund të ketë përhapje të zjarrit me qëllim që të fshihen gjurmët, duke aluduar në prerje të pyjeve.

“Shkaktarët janë të ndryshëm, duke filluar nga pakujdesia, një duq i cigares mjafton, pastaj qytetarët dalin edhe në shëtitje dhe pakujdesi i zjarrit me anë të përdorimit të grillit, mund të ketë zjarre edhe me qëllim për të fshehur gjurmë, p.sh., kur të bëhet prerja e pyjeve më pas fillon aty djegia në mënyrë që të asgjësohet dëmi që është bërë”, deklaroi Beka.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, tha se kategoria e fermerëve që shkaktojnë zjarre të qëllimshme do të përjashtohen nga subvencionet e ardhshme të ministrisë.

“Dua të përsëris njërin prej apeleve që e kam dhënë edhe më shumë, është prezenca e zjarreve që po dëmtojnë pyjet e Kosovës në disa zona, dua të përcjell mesazhin te kategoria e fermerëve dhe me atë që merret me aspektin e zjarreve. Kushdo që shkakton zjarre, vënie të qëllimshme në parcelat e punueshme do të përjashtohet në programet e ardhshme për tre vitet e ardhme në aspektin e subvencionimit të granteve. Jemi në koordinim me ministrinë përkatëse dhe me inspektorët e mjedisit dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme”, tha Peci.

Për shqyrtimin e mundësive ligjore që pronarëve të tokave të cilët i djegin hamulloret t’ua ndalë subvencionimin për të mbjella, pati njoftuar edhe më herët  Ministria e Bujqësisë.