Mesazhi që do të përçojë këtë vit monumenti “Newborn” është përhapja dhe ndikimi i Inteligjencës Artificiale. Krijuesi i tij, Fisnik Ismaili, e cilësoi Inteligjencën Artificiale si temën më aktuale në të gjithë botën, për çka tha se edhe e përzgjodhën si pamje të re për “Newborn”. Ndërsa, pavarësisht thirrjes për ndihmë që bëri gjatë së dielës te qytetarët, Ismaili tha se nuk ka rrezik që ngjyrosja e këtij monumenti të mos përfundohet në kohë.
Për të përfunduar punimet me kohë u desh të thirrej edhe ndihma e vullnetarëve.
Në prag të 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, monumenti “NewBorn” njësoj si çdo vit tjetër, ndryshon pamjen.
“Sivjet kujtuam se kemi me e kry, por më mirë t’i kemi edhe disa njerëz për të na ndihmuar, e bëmë një thirrje e të shohim. Gjithmonë del dikush dhe gjithmonë e kemi kryer para të 17-it, s’ka dyshim se edhe sivjet nuk e kryejmë”, ka deklaruar Ismaili.
Ideatori i tij, Fisnik Ismaili, deklaroi se sivjet “Newborn” do të përfaqësojë Inteligjencën Artificiale.
Sipas Ismailit, përhapja e Inteligjencës Artificiale, përfshin edhe Kosovën, duke e cilësuar si temën më aktuale momentalisht.
“Sivjet më aktuale se Inteligjenca Artificiale s’ka asgjë edhe e deshe apo jo, e dashurove apo e urrejtje, është bërë pjesë integrale e jetëve tona. Ideja dhe mesazhi është që me i vetëdijësu njerëzit për prezencën e Inteligjencës Artificiale, qoftë benefitet dhe rreziqet potenciale që i ka ajo”, u shpreh ai.
Qytetarë dhe vizitorë në Prishtinë u shprehën të kënaqur me pamjen e re të “Newborn-it” .
“Shumë e mirë. Kjo përfaqëson me të vërtetë një gurthemel të Republikës së Kosovës, ndryshimet e mëdha dhe faktikisht ndryshimi për çdo vit, për çdo 17 shkurt e ka vlerën e vet”, ka deklaruar Mustafë Morina.
“Për herë të dytë që vij në Kosovë, ne jemi vizitorë, vijmë nga Maqedonia, nga Ohri dhe mua më pëlqen shumë”, ka thënë Normanda Jashar, vizitore.
Monumenti “Newborn” simbolizon shtetin e ri të Kosovës dhe u zbulua në ditën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008.
Përmes tij synohet që çdo vit të dërgohet nga Kosova një mesazh nëpër botë.
Ndërsa për të hënën, programi i manifestimeve shtetërore fillon me mbledhjen festive të Qeverisë, e ndjekur nga ngritja e flamurit dhe homazhe për personalitete të rëndësishme historike, si Adem Jashari, Ibrahim Rugova dhe Adem Demaçi.
Në mesditë do të vazhdohet me parakalimin e trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe atyre të Policisë.
Ndërsa manifestimet do të kulmojnë me një koncert festiv nga Filharmonia e Kosovës.