Drejtësi dhe mbështetje për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë u kërkua në një konferencë ndërkombëtare, organizuar në 25-vjetorin e themelimit të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës. Në këtë ngjarje, të mbijetuarat dhanë kritika ndaj institucioneve, e liderët shtetërorë theksuan nevojën për drejtësinë që duhet vendosur për viktimat
Varëse, çanta e piktura janë punuar nga duart e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, e mbrapa të cilave qëndrojnë rrëfime të shumta që përçojnë shpresë e forcë.
Promovimi i këtyre produkteve artizanale u bë gjatë konferencës ndërkombëtare mbi dhunën seksuale në konflikt, organizuar në 25-vjetorin e themelimit të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT).
Me emocione e kujtoi periudhën e ‘99-s Vasfije Krasniqi-Goodman, e mbijetuara e dhunës seksuale, që gjashtë vjet më parë foli publikisht për krimin e përjetuar.
“Ky mund të jetë vetëm një tregim për gjithë juve, por për mua në këtë moment po i kthehem 14 prillit 1999 dhe pavarësisht sa kohë ka kaluar, kurrë nuk do të largohet nga unë”, ka thënë Krasniqi-Goodman. “Lufta kurrë nuk sjell diçka të mirë, por kur është një luftë e drejtë, është ndërmjet ushtarëve dhe është ndryshe, mirëpo kur je civil, kur je grua, kur je fëmijë, kur je në duart e armikut, atëherë nuk ka diçka që mund të krahasohet me të në këtë botë”.
Aktivistja Feride Rushiti, e cila e drejton QKRMT-në, tregoi momentin kur dëgjoi për herë të parë historitë e përdhunimit në luftë.
“Ishin disa histori të trishtuara, të fshehta, të cilat nuk kishin zë fare. Ishin të mbijetuarit e dhunës seksuale, që për mua ishin një sfidë e veçantë, sepse si mjeke nuk mund t’i përballoja gjithë ato histori të paimagjinuara dhe të paharruara njerëzore”, ka thënë Rushiti. “Duke punuar me ta ndieja frikën, turpin, pasigurinë që ata ndienin për të ardhmen e tyre. Dhe kuptova se përtej ndihmës mjekësore si mjeke e re, ata kishin nevojë të merrnin përkrahje emocionale, shpirtërore dhe siguri”.
E përfaqësues të shtetit theksuan nevojën për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës dhe për drejtësinë që duhet vendosur për viktimat.
Presidentja Vjosa Osmani ka theksuar se institucionet janë të vendosura për të siguruar drejtësi për viktimat.
“Keni arritur që ta dëshmoni çdo kund në botë që ata që menduan që mund ta çnderojnë Kosovën, në fakt asnjëherë nuk kanë arritur dhe nuk do të arrijnë ta bëjnë një gjë të tillë sepse ju jeni heroinat, ju jeni krenaria dhe ju jeni vetë nderi i Kosovës”, ka thënë presidentja Osmani. “Për këta 25 vjet e kemi kujtuar dhimbjen e së shkuarës, por kemi dëshmuar se përkundër kësaj dhimbjeje, ka guxim, shpresë, por mbi të gjitha ka edhe një vendosmëri të palëkundur për drejtësi”.
Edhe kryeministri Albin Kurti shtroi nevojën për drejtësi.
“Përkundër traumave të pashlyeshme, të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës kanë treguar forcë të jashtëzakonshme për të ndërtuar një jetë të re. Andaj krahas mbështetjes së përhershme dhe të thellë e kemi mirënjohjen për to. Si shtet e shoqëri ne po ecim përpara, teksa po punojmë për ballafaqimin me të kaluarën, me përkushtimin tonë të përbashkët për të luftuar padrejtësitë dhe për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe më të ndjeshme”, ka thënë kryeministri Kurti.
Por, e mbijetuara Vasfije Krasniqi-Goodman e akuzoi edhe qeverinë për padrejtësi ndaj viktimave.
“Ka të mbijetuar që u premtohet të aplikojnë për një pension dhe pastaj shkojnë të aplikojnë dhe u mohohet kjo. Kjo është diçka që nuk mund t’ia fali qeverisë sime”, ka thënë ajo. “Duhet të bëjë pak më shumë për këta të mbijetuar. Nuk mund të dëshmosh te mjeku për diçka që ka ndodhur para 25 vjetësh”.
E, aktivisti Denis Mukwege, i cili në 2018-n mori Çmimin Nobel për Paqe, bëri thirrje që shoqëritë t’i pranojnë të mbijetuarat e dhunës seksuale.
“Mospranimi dhe përjashtimi që riviktimizon dhe ritraumatizon të mbijetuarit çdo ditë, duhet të ndalet. Le të ripohojmë këtu me zë të lartë dhe të qartë se viktimat nuk janë kurrë fajtorë për krimet”, ka thënë Mukwege. “Stigma, përçmimi dhe turpi duhet të transferohet në vendin e tyre të duhur, mbi supet e porositësve të tyre, të cilët janë përgjegjësit e vetëm për këto krime të rënda”.
Në konferencën ndërkombëtare mbi dhunën seksuale në konflikt, morën pjesë edhe ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier dhe ai britanik Jonathan Hargreaves, e të cilët i dënuan përpjekjet për mohim dhe minimizim të krimeve të kryera gjatë luftës.
“Dëshiroj që të dënoj të gjitha ato përpjekje për të ju ulur dhe për t’i mposhtur të gjitha viktimat apo për të minimizuar të gjitha ato që kanë ndodhur. Ngjarjet të cilat sugjerojnë që nuk ka pasur spastrim etnik apo gjenocid, nuk kanë vend në një shoqëri të civilizuar të shekullit 21”, ka thënë ambasadori Hovenier. “Dhe të gjithë ata që kanë përjetuar traumë gjatë luftës, meritojnë që të ju shprehet mirënjohje dhe t’iu pranohet ajo që ka ndodhur dhe të mos e hedhim anash”.
Sipas të dhënave të organizatave të shoqërisë civile, në Kosovë janë rreth 20 mijë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës.