LAJMET E MBRËMJES

Kërkohet dënimi i ish-deputetit të LDK-së “për manipulim me vota”

Në seancën e fundit para shpalljes së aktgjykimit në rastin ku ish-deputeti Shkumbin Gashi dhe Sylë Balaj akuzohen për keqpërdorim me vota është shfaqur një fotografi. Në bazë të saj, prokuroria pretendon se njëri prej të akuzuarve është me stilolaps duke plotësuar fletëvotime. Derisa prokuroria i kërkoi Gjykatës Themelore në Prishtinë dënimin e dy të pandehurve, mbrojtja u shpreh se në këtë gjykim nuk u paraqitën prova që vërtetojnë fajësinë e të akuzuarve

Në fjalën përfundimtare për rastin ku ish-deputeti i LDK-së, Shkumbin Gashi dhe Sylë Balaj akuzohen për veprat penale “Keqpërdorimi i së drejtës së votimit” dhe “Vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes”, Prokuroria Speciale ka kërkuar të martën dënimin e të pandehurve.

Prokurori special, Ilir Morina, ka shfaqur fotografinë, ku siç u shpreh shihet Balaj bashkë me katër të dënuar tek plotësojnë fletëvotimet.

Prokurori pretendon se ish-deputeti Gashi dhe Balaj abuzuan me të dhënat e 71 bashkatdhetarëve në Austri, duke mbushur fletëvotimet pa pëlqimin e tyre në favor të rezultatit zgjedhor të vetë Gashit.

Siç ka thënë Morina, këtë provë e ka nxjerrë Agjencia e Kosovës për Forenzikë, prej telefonit të njërit prej të katër të dënuarve më herët në këtë rast.

“Kjo provë është marrë në mënyrë të ligjshme, është provë që është administruar gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe është nxjerrë nga telefoni i tashmë të dënuarit Kastriot Blakaj. Ky është Sylë Balaj duke i rrumbullakuar, këtu është dora e tij duke i plotësuar këto fletëvotime dhe këtu është zmadhimi i asaj që ka në tavolinë, bashkë me lapsin dhe pyetja është se çfarë mund të kenë këto dokumente: e keni fotografinë tjetër, e cila gjendet në shkresat e lëndës dhe këto janë dokumentet të cilat të pandehurit i kanë pasur në tavolinë ditën kur kanë bërë manipulimin me vota dhe ky është njëri prej formularëve, njëri nga modelet të cilin e kanë përdorur kur i kanë plotësuar formularët”, ka thënë Morina.

Prokurori Morina i ka kërkuar Gjykatës Themelore në Prishtinë ta mbrojë demokracinë.
“Tani nuk e kemi trenin bullgar, kemi një autobus me zarfe. Tash kjo është një metodë e re e cila nuk ka ndodhur vetëm në zgjedhjet e shkurtit 2021, por është përsëritur edhe në zgjedhjet lokale më 2021, prandaj kemi disa raste të hapura. Në hetim kanë qenë 12 persona. Prej tyre pesë e kanë pranuar fajësinë, i ke dy që nuk e kanë pranuar fajësinë dhe i ke katër persona për të cilët i kemi pushuar hetimet”, ka deklaruar Morina.

Ai është shprehur po ashtu se më 2019, ish-deputeti Gashi mori mandatin duke manipuluar me procesin zgjedhor.  

“Lidhur me deklaratën e dëshmitarit Atdhe Mujaj dhe Agon Berisha, për atë që e thotë mbrojtja, fatkeqësisht është e vërtetë që shihet nga deklarimi i tyre që ky edhe më 2019 mandatin e ka marrë në atë mënyrë. Ne nuk jemi lëshuar në hetimin e asaj periudhe kohore për shkak se s’kemi pasur prova të mjaftueshme. Agon Berisha thotë: një ditë Kastriot Blakaj më shkroi të vijnë do kode nga Gmail-i e atyre emailave që i kemi hapur, domethënë do emaile që i kanë hapur më herët po duan t’i riaktivizojnë. Kujt ja ka dërguar? Të gjithë këto emaile që janë hapur në emër të 71 qytetarëve në Austri i janë dërguar Kastriot Blakajt”, ka pretenduar Morina. 
Mbrojtësit e të akuzuarve kanë thënë se në këtë gjykim nuk u paraqitën prova që vërtetojnë fajësinë e të akuzuarve, as nuk u bë ekspertiza e fotografisë. Avokati i Fatmir Kurmehaj, mbrojtës i ish-deputetit Shkumbin Gashi, e ka kundërshtuar deklaratën e prokurorit, i cili përmendi hetimin e mbyllur për rastin e 2019-s.

“Nuk tolerohet një deklarim i tillë pa asnjë bazë se i mbrojturi im në vitin 2019 ka bërë diçka jashtëligjshëm. Nëse ka diçka prokurori mund të na e thotë”, ka thënë Kurmehaj. 
Në fjalën përfundimtare, avokati i Gashit ka deklaruar se gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk është vërtetuar se ish-deputeti ka prekur ndonjë fletëvotim me dorë apo se i ka shtyrë të pandehurit e tjerë në ndonjë mënyrë që ta shkelin ligjin për t’i siguruar vota atij.

“Me asnjë element përveç komunikimeve të cilat i potencon, nuk ke arritur të sigurosh asnjë provë të vetme se i njëjti ka qenë organizator apo ka shtytur dikë të kryejë ndonjë vepër penale”, ka theksuar Kurmehaj.  

Ai është shprehur po ashtu se prej raporteve të Forenzikës figuron se nuk janë gjetur shenja të gishtërinjve të të akuzuarit e as dorëshkrim i tij në fletëvotime. Mbrojtje të ngjashme ka dhënë edhe mbrojtësi i të akuzuarit Sylë Balaj, Xhafer Tahiri – njëherësh ish-deputet i LDK-së.

“Kur kemi dyshime për faktet ato janë në favor të palës. Dhe pikërisht të kthehemi te kjo foto. Prokurori po thotë shiheni me laps në dorë Sylë Balaj duke plotësuar fletëvotimin e ndërkohë që ekspertiza e AKF-së ka dalë që nuk ka gjurmë në të...Po të ishte bërë ekspertiza e kësaj fotografie, do të vërtetohej se koha në të cilën është bërë kjo fotografi nuk është koha për të cilën flitet në aktakuzë e as vendi”, ka thënë Tahiri.

Avokati i Balajt ka thënë po ashtu se nuk duhet të rëndojë mbi të akuzuarit fakti se në këtë rast janë dënuar katër të tjerë, sepse veprimet inkriminuese duhet të vërtetohen lidhur me secilin të akuzuar veç e veç. Të dy avokatët insistuan po ashtu se dëshmia e dy anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Alim Rama dhe Sami Kurteshi, ishin kontradiktore dhe kanë krijuar paqartësi edhe për atë se prej ku erdhi kutia në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) në Fushë Kosovë.

Nga procesi gjyqësor në këtë rast janë dënuar me burgim me kusht: Kastriot Blakaj me 24 muaj, Tahir Shala me 20 muaj, Milot Blakaj me 20 muaj e Dardan Blakaj me 11 muaj, pasi kanë bërë marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë, e cila qe miratuar nga trupi gjykues.

Prokuroria Speciale në aktakuzën e ngritur më 29 dhjetor 2022 pretendon se ish-deputeti Gashi, kandidati numër 32 i LDK-së për zgjedhjet nacionale të 2021-tës, dhe Balaj, abuzuan me të dhënat e 71 qytetarëve që jetojnë në Austri, duke i përdorur për të aplikuar dhe për të votuar në emër të tyre e pa pëlqimin e tyre. Prokuroria pretendon se ata dhe katër të dënuarit, fillimisht i dërguan fletëvotimet me autobus nga Peja për në Vjenë e më pas i kthyen Kosovë ku u pranuan si vota të diasporës. Shpallja e aktgjykimit për këtë rast është caktuar për 4 prill.

Gashi nuk u zgjodh deputet në zgjedhjet e fundit parlamentare, të mbajtura në shkurt të vitit 2021.