LAJMET E MBRËMJES

Kërkohet dënimi i dy të akuzuarve për vrasjen e Lulëzim Fejzullahut në Podujevë

Gjykata Themelore Prishtine

Të hënën, me dyer të mbyllura për publikun, është mbajtur fjala përfundimtare në çështjen e vrasjes se 18-vjeçarit nga Podujeva, Lulëzim Fejzullahu. Ky rast është në rigjykim. Fillimisht dy të akuzuarit, që ditën e kryerjes së veprës nuk i kishin mbushur 18 vjet, ishin dënuar me 10 dhe 9 vjet burgim. Shpallja e aktgjykimit për këtë rast do të bëhet të mërkurën

Ka përfunduar procesi i shqyrtimit gjyqësor në rastin ku për vrasjen e Lulëzim Fejzullahut, 18 vjeç, akuzohen dy të rinj. 

Të hënën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, u mbajt fjala përfundimtare, me dyer të mbyllura për publikun. Çështja është në rigjykim. 

Të akuzuarit në maj ishin dënuar nga shkalla e parë, njëri me 10 vjet burgim e tjetri me 9. Në ditën e kryerjes së veprës penale ata nuk e kishin mbushur moshën 18-vjeçare.

Pas seancës Rrahim Fejzullahu, xhaxhai i të ndjerit, që njëkohësisht ishte edhe kujdestar i tij, tha se do të protestojë në rast se të akuzuarit nuk dënohen në mënyrë meritore, sipas tij.

“Nëse këta persona nuk e marrin dënimin e merituar, unë jam ai, axha i Lulit të ndjerë që do e marr krejt popullatën shqiptare kudo qoftë që e kanë parë me sy, do vij do protestoj para gjykatës. Me gjithë se i besoj drejtësisë, të shohim si po reagojnë. Mua edhe po të ma falin krejt Kosovën nuk më duhet më asgjë, mashkulli më ka shkuar. Jepja dënimin edhe u krye puna”, tha Fejzullahu. 

Avokati i familjes Fejzullahu, Tomë Gashi, u shpreh se gjatë seancës e ka përkrahur fjalën e prokurorisë. Sipas tij, rrethanat tregojnë se ishte vrasje e rëndë dhe mizore.

“Njëri nga të miturit ka pasur një mori veprash penale duke përfshirë edhe vrasje në tentativë, ku ka qenë shumë më herët edhe një person i sulmuar dhe i therur në një shkollë në Besianë dhe një mori veprash të tjera penale", tha Gashi.

Rastin e ktheu në rigjykim Gjykata e Apelit para 12 ditësh, pasi gjeti shkelje në procedurë.

Shpallja e aktgjykimit për këtë rast do të bëhet të mërkurën.

Sipas aktakuzës, Lulëzim Fejzullahu u rrah brutalisht me mjete të forta më 14 janar 2024 në Podujevë dhe më 20 janar vdiq në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.  Më 1 prill Prokuroria Themelore në Prishtinë ngriti aktakuzë ndaj dy të dyshuarve për vrasjen e Fejzullahut. E më 23 maj të akuzuarit i gjeti fajtorë.

Policia fillimisht e pati raportuar rastin si vrasje në tentativë dhe therje me thikë, e në Emergjencë e patën konstatuar vdekjen e Fezullahut si pasojë e lëndimeve në kokë.