LAJMET E MBRËMJES

Kërkohet burgim i përjetshëm për të akuzuarit për sulmin në Banjskë

Në seancën e parë gjyqësore për sulmin terrorist në Banjskë, avokati i familjes së policit të vrarë në Banjskë, Afrim Bunjaku, ka kërkuar që ndaj tre të akuzuarve për rastin të shqiptohet dënimi me burgim të përjetshëm. Avokati Arianit Koci këtë kërkesë e ka justifikuar, duke thënë se sulmi terrorist është ndërmarrë kundër gjithë shtetit të Kosovës. E të akuzuarit Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq, të cilët janë arrestuar pas sulmit të kryer nga një grup i armatosur i serbëve që është udhëhequr nga ish-nënkryetari i Listës Sërpska, Millan Radojiçiq, janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për terrorizëm, për financim të terrorizmit dhe për vepra të rënda penale

Burgim të përjetshëm për tre të akuzuarit për sulmin terrorist të 24 shtatorit të 2023-tës në Banjskë ka kërkuar të enjten avokati Arianit Koci, i cili e përfaqëson familjen e policit të vrarë në këtë sulm, Afrim Bunjaku, gjatë seancës së parë gjyqësore lidhur me rastin, të mbajtur në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Që në fillim të seancës, të akuzuarit Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq, të cilët janë arrestuar pas sulmit të kryer nga një grup i armatosur i serbëve që është udhëhequr nga ish-nënkryetari i Listës Sërpska, Millan Radojiçiq, janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për terrorizëm, për financim të terrorizmit dhe për vepra të rënda penale.

Krahas tyre, aktakuza për sulmin terrorist më të rëndë, të cilin e ka përjetuar Kosova, i përfshinë edhe 41 persona të tjerë fizikë që janë në arrati dhe një juridik, kompaninë (RAD), për të cilët Gjykata Themelore në Prishtinë ka vlerësuar se nuk e ka mundësi ligjore për ndërmarrë gjykim në mungesë.

Naim Abazi, prokurori special, ka thënë gjatë paraqitjes së fjalës hyrës se të pandehurit kanë marrë mbështetje shtetërore dhe politike nga strukturat shtetërore të Serbisë për ta kryer sulmin terrorist me qëllim të nisjes së procesit të shkëputjes së veriut, të banuar kryesisht me serbë, nga Kosova. E tek ka paraqitur materiale të shumta në ekran, prokurori Abazi ka deklaruar se fajësia e të pandehurve do të vërtetohet pa mëdyshje gjatë gjykimit.

“Në vendin ku është arrestuar i janë gjetur mjete ushtarake, armë të tij dhe gjithashtu nga dokumenti i nxjerrë nga pajisjet elektronike vërtetohet se ishte pjesë e strukturës organizative. Ndërsa nga ekspertiza e ADN-së vërtetohet se tani i akuzuari Vladimir Toliq kishte ardhur në fshatin Banjskë me veturën e tij Mitsubishi Pajero, pa targa, i cili automjet ishte i mbushur me armatim dhe armë të rrezikshme të cilat i kishin përdorur”, ka theksuar prokurori.

Abazi ka thënë se veprimet e të pandehurve kanë rrezikuar thelbin e rendit kushtetues në Kosovë.

“Ishte sulm i planifikuar qartë, për kohë të gjatë dhe me synim të qartë për cenimin e rendit kushtetues të Kosovës dhe krijimin e mundësisë së shkëputjes së komunave në veri të Kosovës. Grupi ishte i organizuar dhe i armatosur me lidhje të qarta me strukturat shtetërore të Serbisë. Ky rast nuk është thjesht penal, por sfidon thelbin e rendit kushtetues, bashkëjetesën ndëretnike”, ka thënë ai.
Abazi ka shfaqur në ekran edhe pamje nga një takim i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i organizatorit të sulmit të Banjskës, Radoiçiq dhe ish-drejtorit të Agjencisë për Siguri dhe Informacione (BIA), Aleksandar Vulin, me persona për të cilët ai ka thënë se janë përfshinë në sulm. Sipas Prokurorisë, në këtë takim të mbajtur më 13 tetor 2021 në Rashkë është vendosur themeli për sulmin në Banjskë.
Në seancën e së enjtes, para trupit gjykues kanë folur policët Mirsad Kryeziu, Çlirim Shaqiri dhe Sead Dushi, të cilët patën marrë plagë gjatë sulmit të 2023-tës. 
“Shpreh keqardhje dhe ndihem shumë i pikëlluar me humbjen e kolegut tonë”, ka thënë Kryeziu.

“Ndjej keqardhje se sot na mungon heroi i Kosovës që pardje, më 15, e ka pasur edhe ditëlindjen”, është shprehur polici Dushi, tek ka folur për rreshterin Bunjaku, i cili ka mbetur i vrarë në Banjskë.

E avokati i familjes së Bunjakut, kërkesën për dënimin e përjetshëm për të pandehurit e ka justifikuar, duke thënë se sulmi terrorist është ndërmarrë kundër gjithë shtetit të Kosovës.

“Kjo nuk është çështje penale, por është edhe çështje shtetërore, sepse Kushtetuta jonë u shkel me armë. Kërkoj që të akuzuarit të dënohen me burgim të përjetshëm, ky është minimumi që i takon gruas dhe fëmijëve të Afrim Bunjakut”, ka thënë ai.
Ndërsa avokatët e të pandehurve kanë shprehur vërejtje për mangësi në aktakuzë, ani se ajo është konfirmuar nga Gjykata e Apelit. Sipas tyre, dokumenti nuk i paraqet konkretisht veprimet e secilit të pandehur dhe as ndërlidhjen e saktë të veprimeve të tyre me vrasjen e rreshterit Bunjaku.

E tek është deklaruar lidhur me akuzën që i vihet në barë, i akuzuari Bllagoje Spasojeviq ka mohuar se ka sulmuar policinë.

“Nuk e kam vrarë askënd, e as nuk e kam lënduar askënd. As nuk kam pasur për qëllim ta shkëpus veriun e Kosovës dhe ta bashkoj me Serbinë”, ka theksuar Spasojeviq. 
Qëndrim të ngjashëm ka shprehur edhe i akuzuari Vlladimir Tolliq.

“Kam qenë në Banjskë. Është e qartë. Por arsyet, motivet e mia për pjesëmarrjen time atje dallojnë shumë nga ato që janë në aktakuzë... Unë, Vlladimir Tolliq, më datën 24 shtator 2023 nuk e kam qëlluar askënd (me armë zjarri) dhe nuk kam pasur qasje në eksploziv dhe këtë gjë e them me përgjegjësi”, është shprehur ai. E i pandehuri i tretë, Dushan Maksimoviq, nuk ka bërë deklarim shtesë përtej asaj që të avokates së tij, Jovana Fillipoviq, e cila ka thënë se klienti i saj nuk ka qenë i përfshirë në sulmin në Banjskë.

“Me asnjë provë nuk vërtetohet se Dushani ka lidhje me këtë incident, përveç se u lind në Banjskë – kjo nuk është vepër penale”, ka thënë ajko.

Seancat e radhës lidhur me rastin janë caktuar të mbahen më 9, 11, 12 dhe 13 qershor. Burime në gjykatë kanë thënë se Prokuroria Speciale ende nuk e ka marrë shkresën, në të cilën bëhet e ditur zyrtarisht se Themelorja në Prishtinë nuk sheh mundësi për gjykim në mungesë të mbi 40 të akuzuarve që nuk janë prezentë, e në mesin e të cilëve bën pjesë edhe Radojçiqi, pasi që për këto vepra penale nuk parashihet gjykimi në mungesë.

E siç kanë thënë brenda gjykatës, shkresa që i është dërguar nuk paraqet vendim përfundimtar, meqë Prokuroria Speciale mund të parashtrojë ankesë në shkallën e dytë e të tretë të gjyqësorit.

Lidhur me sulmin terrorist në Banjskë, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj 45 të pandehurve - Millan Radoiçiq, Bllagoje Spasojeviq, Vlladimir Tolliq, Dushan Maksimoviq, Vlladimir Radivojeviq, Uglesa Jarediq, Millorad Jevtiq, Vllastimir Andriq, Aleksandar Millosavleviq, Llazar Smigiq, Velko Gjorgjeviq, Vlladimir Vuçetiq, Stefan Jovanoviq, Millovan Kërstoviq, Urosh Milliq, Trajko Vasiq, Danillo Vasiq, Vukashin Jarediq, Sasha Periq, Nemanja Stankoviq, Momçillo Vuçkoviq, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviq, Marko Arsiq, Zharko Cvetkoviq, Kërsto Damjanoviq, Stefan Millosavleviq, Marko Saviq, Aleksandar Jevremoviq, Radosh Gvozdiq, Ivan Milliq, Gojko Zubaq, Nemanja Radivojeviq, Radak Adziq, Milosh Millenkoviq, Gjorgje Balloviq, Danijell Dukiq, Danillo Virijeviq, Alleksandar Tanaskoviq, Millosh Kragoviq, Milan Nedeljkoviq, Nikolla Illiq dhe Vladan Illiq.

Aktakuza i ngarkon ata me vepra terroriste dhe vepra kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës. Në aktakuzë thuhet se ky grup, nëpërmjet përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, ka tentuar që “ta shkëpusë pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe, dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojë Republikës së Serbisë”. Si lider i këtij grupi është identifikuar Radoiçiqi, për të cilin thuhet se ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin e sulmit dhe aktivitetet kriminale. Radoiçiqi gjendet në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara dhe të Mbretërisë së Bashkuar për lidhjet me krimin e organizuar ndërkombëtar dhe korrupsionin.

Në Kosovë, ai gjithashtu lidhet me vrasjen e një politikani opozitar serb, si dhe me frikësimin e dëshmitarëve në një proces gjyqësor për disa ndërtime ilegale.

Në aktakuzë, Prokuroria përmend 34 dosje me prova, në mesin e të cilave ka video-incizime, analiza të pajisjeve elektronike, përgjigje të ndryshme nga Luksemburgu, Bosnjë-Hercegovina, bankat dhe institucione të ndryshme, deklarata të dëshmitarëve etj.

Autoritetet në Kosovës e kanë kualifikuar sulmin në Banjskë si akt terrorist dhe e kanë akuzuar Serbinë se qëndron prapa tij.