Puna e Kuvendit të Kosovës në sesionin pranveror është kritikuar nga Instituti Demokratik i Kosovës, për të cilin u tha se legjislativi ka shënuar rënie në aktivitetin e tij. U përmend edhe fakti se për 13 javë pune nuk është mbajtur asnjë seancë. Nga janari deri në fund të korrikut Kuvendi zhvilloi 29 seanca, nga të cilat një numër i madh nuk arritën të përfundonin për shkak të mungesës së kuorumit. Deputetët munguan 525 herë
Ardona Popova
Instituti Demokratik i Kosovës ka publikuar të hënën një raport për punën e Kuvendit të Kosovës për sesionin pranveror.
Aty thuhet se nga janari deri në fund të muajit korrik në Kuvendin e Kosovës janë zhvilluar vetëm 29 seanca, e në to kanë marrë pjesë vetëm 24% për qind e deputetëve.
Violeta Haxholli, menaxhere e projektit, ka thënë se Kuvendi gjatë këtij sesioni ka shënuar rënie në aktivitetin e tij, ku për disa javë pune nuk ka pasur asnjë seancë.
“Gjatë këtij sesioni Kuvendi ka shfaqur mangësitë e zakonshme, seanca të cilat janë zhvilluar apo kanë përfunduar shume herë në mungesë të kuorumit, deputetët të cilët kanë munguar duke pamundësuar përfundimin e seancave, mbikëqyrje të ulët dhe pak ligje në krahasim me sesionet e kaluara. Gjatë këtij sesioni Kuvendi ka mbajtur gjithsej 29 seanca, 10 prej tyre ishin seanca plenare, 6 të jashtëzakonshme dhe 6 seanca solemne”, ka thënë ajo.
Sipas vlerësimit të KDI-së, rendi i ditës në të gjitha seancat e rregullta ishte i stërngarkuar, andaj pikat e rendit të ditës janë bartur nga seanca në seancë.
Ajo ka thënë se vetëm në këtë sesion deputetët munguan 525 herë apo mesatarisht për çdo seancë munguan 24,3% e deputetëve.
Në prezantim të raportit Haxholli ka thënë se janë miratuar 36 projektligje, tetë më pak se në sesionin e njëjtë të vitit të kaluar.
“Kuvendi ka përmbushur agjendën në 28 për qind, por e cila përfshin projektligje që janë grumbulluar ndër vite. Vetëm tri projektligje që janë miratuar nga sesioni pranveror janë të agjendës së qeverisë së vitit 2024, që do të thotë që vetëm një për qind e agjendës legjislative të Qeverisë është përmbushur dhe 99 për qind e kësaj agjende mbetet për trajtim gjatë sesionit vjeshtor”, ka shtuar Haxholli.
Sa i përket mbikëqyrjes parlamentare, Haxholli ka shtuar se gjatë këtij sesioni nuk u ftua asnjëherë në raportim kryeministri dhe nuk u organizuan interpelanca.
KDI-ja ka kërkuar që Kuvendi t’i shmangë mangësitë që e karakterizuan sesionin pranveror dhe ta miratojë Kodin e Sjelljes së Deputetëve.