LAJMET E MBRËMJES

Katër vjet burgim personit që shtyu në vetëvrasje të dashurën

Me katër vjet burgim është dënuar Leotrim Shala, i akuzuar për shtytje në vetëvrasje të Betina Imeri. Sipas gjykatës, Shala e ka pranuar se e ndjera i kishte thënë se është duke e menduar vetëvrasjen dhe se këtë e ka bërë derisa ishte e lidhur me kamerë, disa orë pas një mosmarrëveshjeje me të. I akuzuari në aktgjykimin e parë ishte shpallur i pafajshëm

Gjykata Themelore në Mitrovicë e ka dënuar në rigjykim Leotrim Shalën me katër vjet burgim për shtytje në vetëvrasje të Betina Imerit.

Vendimi i së martës i Gjykatës nuk është i njëjtë sikur në aktgjykimin e parë, të cilin e anuloi Apeli në vitin 2023. I akuzuari në aktgjykimin e parë ishte shpallur i pafajshëm për shtytjen në vetëvrasje që ka ndodhur në shtator të vitit 2022.

Në seancën ku nuk ishte prezent Shala, trupi gjykues bëri të ditur se ka marrë parasysh vërejtjet e shkallës së dytë, dhe është bazuar në një numër dëshmitarësh e edhe në komunikimet në rrjete sociale që e ndjera kishte me shoqen e ngushtë.

“E njëjta në shqyrtim gjyqësor ka shpjeguar se si e ndjera i kishte treguar për keqtrajtimet që po ia bënte tani i akuzuarit. Kjo u vërtetua edhe nga komunikimet mes këtyre të dyjave në rrjetin social Instagram, komunikime këto që u administruan si prova në këtë gjykim”, ka thënë kryetarja e trupit gjykues Marigona Lajçi.

Sipas gjykatës, Shala e ka pranuar në Polici se e ndjera i kishte thënë se është duke e menduar vetëvrasjen dhe se këtë e ka bërë derisa ishte e lidhur me kamerë, disa orë pas një mosmarrëveshjeje me të.

“Për këtë gjykatë, fakti se i akuzuar i ka qenë në dijeni për gjendjen jo stabile të të ndjerës dhe përkundër kësaj, prapë ka ushtruar presion ndaj të njëjtës. Derisa e ndjera ka ardhur në gjendje sa të kryhet vetëvrasje, të akuzuarin, e bën përgjegjës për këtë akt. Po ashtu fakti se i akuzuari me të ndjerën vetëm dy orë para ngjarjes kritike, kishin pasur një mosmarrëveshje lidhur me një sekret që e ndjera, sipas të akuzuarit pas asaj mosmarrëveshjeje sa ishte duke u përgatitur për të kryer vetëvrasje, e njëjta e thërret të akuzuarin dhe gjatë lidhjes me videon e kryen aktin e vetëvrasjes”, ka thënë Lajçi.

Vendimin e Gjykatës e mirëpritën familjarët e së ndjerës.

“Jam e kënaqur që është shpallur fajtor edhe pse dënimi është dashtë të rritet hala ma shumë, por jam shumë e lumtur që është shpallur fajtor. Për neve ka qenë shumë e vështirë se pas këtij rasti ndërroi jetë edhe babi prej mërzisë”, ka deklaruar Blondina Imeri, motra e së ndjerës.

Mbrojtja e familjes Imeri dhe aktivistë të shoqërisë civile shfaqën shpresën që gjykimi të ketë efekt edhe në raste të tjera.

“Konsideroj që vendimi i sotëm ndaj tij është i drejtë dhe është një vendim që do të ndikoj edhe të ardhmen që kryerësit e tjerë potencialë të mos kryerjnë vepra penale. Tani ai është shpallur fajtor dhe besoj që tani familja janë më të qetë pas këtij vendimi”, ka thënë Shyqyri Syla, avokat i familjes të së ndjerës.

Edhe Mehmet Salihu, aktivist i shoqërisë civile ka mirëpritur vendimin.

“Duhet që për secilin rast të merren vendime të tilla, të mos vonohen e të mos zvarriten këto raste, ngase ka mbi dy vite që ka ndodhur ky rast, njëherë është shpall i pafajshëm, pastaj me kthim të apelit në rigjykim është shpall i fajshëm, bëj thirrje që të mos ndalemi dhe të kërkojmë drejtësi për viktimat”, ka thënë ai.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 6 mars 2023 pati ngritur aktakuzë kundër të pandehurit, në të cilën thuhet se Leotrim Shala gjatë lidhjes së tij me Betina Imerin, vazhdimisht e ka rrahur atë, keqtrajtuar, kanosur dhe e ka ndaluar që të punojë, të shoqërohet dhe t’i vizitojë të afërmit e saj.