LAJMET E MBRËMJES

Katër persona arrestohen në Pejë, dyshohet se planifikonin vrasje

Katër persona janë arrestuar nga Policia nën dyshimin se po planifikonin një vrasje. Ata u kapën në flagrancë, teksa po i pranonin armët për kryerjen e veprës. Rasti po hetohet nga Prokuroria Speciale

Teksa planifikonin vrasjen e një personi, katër persona u kapën në flagrancë nga Policia në Pejë.

Të dyshuarit janë arrestuar në momentin kur po i pranonin armët për kryerjen e veprës, thuhet në njoftimin e Policisë të enjten.

“Janë arrestuar katër të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi të njëjtit dyshohet se kanë planifikuar përgatitjen e vrasjes së viktimës. Të dyshuarit janë zënë në flagrancë duke pranuar armët për kryerjen e veprës”, thuhet në  njoftim.

E gjatë kontrolleve në vendbanimet e katër të arrestuarve, sipas Policisë, janë gjetur dhe sekuestruar dy armë, municion të kalibrave të ndryshëm, si dhe dëshmi të tjera të rëndësishme.

Rasti është duke u trajtuar nga Prokuroria Speciale, të cilin e ka vlerësuar me ndjeshmëri të lartë.

“Për shkak të ndjeshmërisë dhe fazës në të cilën gjendet rasti për të cilin keni pyetur, deri në një fazë tjetër të hetimit, Prokuroria Speciale nuk mund ta ndajë me opinionin publik asnjë informacion”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Speciale.

Sipas vendimit të prokurorit, tre nga të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa njëri është liruar në procedurë të rregullt.

Rasti është cilësuar si “Pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar” dhe “Detyrim”.