LAJMET E MBRËMJES

Katër fëmijë lëndohen nga sulmi i qenit në një shkollë në Suharekë

Njëri nga fëmijët që ka pësuar lëndime si pasojë e kafshimit nga qeni është nxënësi i klasës së parë, një tjetër është i klasës së dytë, ndërsa dy të tjerë, të klasës së pestë. Pasi i ka sulmuar fëmijët në oborrin e shkollës, qeni i ka ndjekur ata dhe ka hyrë edhe brenda objektit të shkollës. Dy prej tyre kanë marrë ndihmë mjekësore në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Suharekë, ndërsa dy të tjerë, për shkak të plagëve më të rënda të pësuara, janë dërguar për trajtim në Spitalin e Prizrenit

Nxënës, të cilët të mërkurën patën dalë në oborrin e shkollës “17 shkurti” në Shirokë të Suharekës për t’i kaluar minutat e paraparë për pushimin e gjatë, janë sulmuar nga një qen në afërsi të rrethojave të objektit. 

Katër fëmijë kanë pësuar lëndime si pasojë e kafshimit nga qeni. Njëri nga fëmijët e sulmuar është nxënës i klasës së parë, një tjetër është i klasës së dytës ndërsa dy të tjerë, të klasës së pestë. 

Banori i fshatit Shirokë, Leonard Lumi, i cili jeton afër shkollës dhe e ka parë se si ka ndodhur ngjarja, ka thënë se fëmijët janë kapluar nga paniku që në momentin që janë sulmuar nga qeni.

“I pashë fëmijët që po bërtasin, kur shikova e pashë një qen të bardhë që i sulmonte. Mora kerrin dhe erdha këtu, brenda pak sekondave. E pashë një fëmijë që e kishte kapur qeni dhe nuk e lëshonte, u afrova edhe nuk kisha çfarë t’i bëja dhe fillova ta godas me shqelma. (Qeni) e lëshoi fëmijën dhe vrapoi e u fut në oborr të shkollës”, ka treguar ai.

E pasi i ka ndjekur fëmijët, qeni ka hyrë edhe brenda objektit të shkollës.

Hidajete Bytyqi, drejtoreshë në shkollën “17 Shkurti”, ka thënë se fëmijët nuk do ta pësonin sikur shkolla ta kishte sigurimin fizik. 

“Fëmijët me shpejtësi të madhe, duke vrapuar për të hyrë në shkollë, edhe qeni mbrapa tyre vjen dhe hyn në lokalet e shkollës. Atëherë ne është dashur ta thërrasim policinë... Shkolla nuk ka sigurim, po të kishte ndoshta nuk do vinte deri te kjo”, ka theksuar Bytyqi. 

Brenda korridoreve të shkollës, qeni është izoluar, nxënësit dhe stafi i shkollës janë mbyllur nëpër klasa dhe zyra deri në momentin kur Policia ka arritur dhe e ka qëlluar qenin.

Dy nga fëmijët e lënduar si pasojë e sulmit nga qeni kanë marrë ndihmë mjekësore në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Suharekë, ndërsa dy të tjerë, për shkak të plagëve më të rënda të pësuara, janë dërguar për trajtim në Spitalin e Prizrenit. 

Hekuran Veçgishti, shefi i Emergjencës në Prizren, ka thënë se pacientja 8-vjeçare e pranuar në këtë qendër ka pësuar lëndime më të rënda në kokë. Ai ka treguar se asaj i janë qepur plagët dhe se po vazhdon që të mjekohet në Klinikën Infektive.

“Në emergjencën e Spitalit të Përgjithshëm në Prizren janë pranuar dy të lënduar, fëmijë, si pasojë e kafshimit nga qeni. Të dy pacientët kanë pasur plagë në pjesë të ndryshme të trupit, ku njëri prej tyre është pranuar në repartin e Infektives për trajtim të mëtejmë, kurse tjetra është lëshuar për në shtëpi”, ka theksuar Veçgishti.

Lidhur me ngjarjen, në Polici kanë konfirmuar për KOHËN se është arrestuar pronari i qenit që ka sulmuar fëmijët.