LAJMET E MBRËMJES

Ish-ushtari i UÇK-së flet për ndalim e vrasje “të kolaboracionistëve”

Në Gjykatën Speciale, të hënën, ka dëshmuar ish-pjesëtari i UÇK-së, Ahmet Rrahmanaj. Ai ka folur për ndalime e vrasje në Malishevë dhe Klinë të personave që, sipas tij, UÇK-ja i shihte si bashkëpunëtorë të Serbisë. Ai është dëshmitari i 92-të me radhë në rastin ndaj “Hashim Thaçit dhe të tjerëve”

Ish-pjesëtari i UÇK-së, Ahmet Rrahmanaj, ka dëshmuar të hënën në rastin më të madh të Dhomave të Specializuara në Hagë. 

Ai ka thënë se gjatë luftës ka qenë pjesë e policisë ushtarake të njësisë “Lumi” që ka vepruar kryesisht në rajonin e Malishevës. 

Është shprehur se e di një rast kur një rojë pylli është vrarë prej pjesëtarëve të UÇK-së, meqë merrte rrogë nga Serbia. 

Ka shtuar se rojtarin e pyllit e ka njohur dhe se nuk ishte kolaboracionist, siç pretendohej. 

“Keni folur për një rojë pylli të Komunës së Klinës që ishte vrarë se ishte kolaboracionist?”, ka pyetur prokurori Matthew Halling.

Dëshmitari Rrahmanaj zbuloi se bëhet fjalë për Abdyl Gashin 

“Në intervistën që ia keni dhënë ZPS-së keni thënë se ai është vrarë me pretekstin se është kolaboracionist. Një person si Abdyl Gashi, që ishte rojë pylli, pse konsiderohej si i tillë?, ka pyetur Halling. 

Dëshmitari më pas ka folur për atë që e dinte në lidhje me rojtarin.

“Për mua s’ka qenë kolaboracionist se e kam njohur, por ndoshta për arsye se ushtronte funksionin e rojtarit të malit në atë kohë, ku ishte i vetmi, pra ndër të rrallët e punësuar pranë autoriteteve të dhunshme të asaj kohe të Serbisë”, ka thënë dëshmitari. 

Në një rast tjetër, sipas tij, banorë të Bellanicës së Malishevës deshën të flisnin me forcat serbe në mënyrë që t’i bënin punët vjeshtore në arat e tyre pa telashe. E personi që, sipas tij, komunikoi me forcat serbe, Ramiz Hoxha, u cilësua menjëherë kolaboracionist dhe më pas u gjet i vrarë bashkë me një person tjetër.

Dëshmitari po ashtu ka thënë se edhe Fetah Rudi, që ishte pjesëtar i UÇK-së, ishte cilësuar si kolaboracionist meqë, sipas tij, ishte edhe pjesëtar i LDK-së. 

“Fetah Rudi më ka treguar se pas një problemi që ka ndodhur në mes disa ushtarëve të UÇK-së, Fetahun e kanë shoqëruar dhe arrestuar. Dyshimet e tij janë që për shkak të aktivitetit të tij politik, për arsye se ai bënte lëvizje në atë kohë. Edhe pse ishte ushtar i UÇK-së, ai udhëtonte drejt Prishtinës për të qenë pjesë e mbledhjeve të Lidhjes Demokratike të Kosovës njëkohësisht”, ka thënë dëshmitari. 
Sipas tij, Rudi është ndaluar nga pjesëtarët e UÇK-së në fshatin Bubël, ku ishte gjykuar e më pas ishte liruar pas dy ditësh. 

Dëshmitari Rrahmanaj është i 92-ti me radhë në rastin ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po gjykohen lidhur me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Të katër të arrestuarit janë deklaruar të pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës.