LAJMET E MBRËMJES

Ish-sekretari i MPJD-së fajëson Enver Hoxhajn për punësimet e diplomatëve në vitin 2011

Ish-sekretari i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporë, Behar Isma, ka bërë fajtor ish-ministrin Enver Hoxhaj për punësimet e disa diplomatëve në vitin 2011. Sipas tij, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës ka konstatuar se ata nuk janë pranuar në bazë të Ligjit për shërbimet e jashtme dhe Ligjit për shërbimin civil, raporton Ekonomia Online.

Ai këto deklarata i bëri të premten në Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Isma kishte punuar si sekretar i Ministrisë së Jashtme për mbi dy vjet gjatë kohës së Donika Gërvallës. Isma ishte njëri nga personat që Shoqata Sindikale e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm kishte konsideruar se janë “punësuar kundërligjshëm”. Tash zëvendësues i drejtorit të Departamentit Ligjor në MPJD, Isma ishte propozuar që të intervistohej nga deputetja e VV-së, Arbëresha Kryeziu-Hyseni.

Deklaratat e ish-sekretarit të MPJD-së përplasen deputetët e pushtetit me atë të PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi.

Deputeti i VV-së, Haxhi Avdyli, ka pyetur Ismën në lidhje me konkursin e hapur në vitin 2011, e që në vitin 2022 ish-sekretari Isma me një vendim të tij i kishte larguar nga puna këta të fundit.

“Ky komision është ngrit edhe për tërheqjen e disa diplomatëve që janë bërë në vitin 2022, dhe arsyeja gati gjithë kësaj ka qenë ky komision të themelohet, pse keni tërheq disa diplomatë në vitin 2022 të cilët janë emëruar në vitin 2011, kush e ka mundësuar pranimin e tyre, me çfarë ligji janë pranuar, dhe a ka dhënë ndonjë vendim këshilli i pavarur mbikëqyrës i shërbyesve civil rreth kësaj tërheqjeje, dhe në bazë të asaj a është konstatuar ndonjë shkelje”, ka pyetur Haxhiu.

Ish-sekretari Isma tha se në bazë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës ka konstatuar se të gjitha këto emërime janë kundërligjore.

“Përmes procedurave të këtij konkursi del se janë propozuar disa kandidatë të cilët janë jashtë dispozitës ligjore, ministri i asaj kohe kishte përzgjedhur persona konkret të cilëve u ka lëshuar vendim për t’i dërguar në misione diplomatike. Përzgjedhja e tyre dhe vendimi i lëshuar për ta është bërë sipas praktikës së ngjashme me atë që bëhen emërime dhe angazhime të emëruarve politik. Vendimi për angazhimin e tyre në mision, duke pasur si referencë atë konkurs, përmban vendimin, gradën, misionin, si dhe pagën në të njëjtën vendim. Se ky konkurs dhe kjo procedurë e dërgimit të emëruarve politikë me vendim të ministrit nuk ka qenë as për së afërmi në përputhje me legjislacionin në fuqi për shërbyesit civil të cilët edhe e ka bërë vlerësimin Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për shërbimin civil ndër disa vendime të tij. Me rastin e kthimit nga misioni i tyre një pjesë e tyre janë sistemuar në Ministri dhe kanë udhëhequr me departament. Edhe Këshilli e konfirmon se këta nuk janë pranuar më bazë të ligjit për shërbimet e jashtme dhe ligjit për shërbimin civil. Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës ka vlerësuar si kundërligjore këto sisteme edhe në shumë raste”, ka thënë ai.

Deputetja e VV-së, Fitore Pacolli, ka pyetur ish-sekretarin se a ka pasur shkelje në emërimin e këtyre pozitave në atë vit.

Ish-sekretari Isma ka thënë se këto janë edhe konstatimet e Këshillit.

“Për hir të vërtetës së këtyre fajeve që po i them, janë vendimet e Këshillit për të cilat emra nuk jam i interesuar të jap. Këto janë tri vendimet e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, tri vendime me numra të ndryshëm që u referohen ankesave që zyrtarët në mënyrë të kundërligjshme janë avancuar kanë bërë në Këshill dhe për të cilat Këshilli i ka refuzuar të tria dhe ka konfirmuar ligjshmërinë e vendimeve të cilat unë i kam marr”, ka thënë ai.

Deputetja Pacolli ka pyetur se cili ministër ka qenë në atë kohë kur kanë ndodhur këto emërime.
“Ministër ka qenë i opozitës së tanishme i koleges deputet këtu, Enver Hoxhaj, në përudhen më të gjatë të gjithë këtyre emërimeve edhe sigurisht ministrave të tjerë. Një pjesë e këtyre vendimeve ka ndodhur edhe në periudha të tjera”, ka thënë Isma.

E pas këtyre deklaratave pati përplasjes mes deputetëve të VV-së dhe deputetes së PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi.

“Rasti është në gjykatë për të cilën ti nuk ke kompetencë, rasti është në gjykata, gjykata jep verdiktin final. Nuk je personi kompetent me dhënë konkluza të tilla me i shku ministra që kanë qenë”, ka thënë ajo.

Kryetarja e Komisionit, Time Kadrijaj, ka pyetur se a ka qenë në bazë të ligjit pozita që ai ka pasur.
“Ju si jurist, ku mbështetet ligjërisht avancimi juaj me rritjen e koeficientit mbi 100 për qind. Ku bazohen ligjërisht gradat ju që i keni dhënë dhe pesë gradat tuaja që i keni marrë në prill të këtij viti”, ka thënë Shoshi.

Ish-sekretari Isma tha se pozitën e U.D e ka mbajtur sipas ligjit dhe rregullave.

Ai ka thënë se edhe për gradimet nuk ka pasur kapërcim të ligjit dhe rregullores për shërbimin e jashtëm.

“Çështja e avancimit tim dhe pozicionimi që mbaj. Në bazë të rregullores ne fakt, vendimin e qeverisë, për themelimin e akademisë diplomatikë në kuadër të MPJD, është në diskrecion të ministrit të vlerësojë dhe caktojë drejtor të akademisë. Ndërkaq prej atij pozicioni më 10 janar të vitit 2022 jam caktuar si UD i sekretarit të përgjithshëm i MPJD. Vlerësimi im është që kjo pozitë është mbajtur konform ligjit dhe rregullave. Sa i përket çështjes së gradave, janë të rregulluara me rregulloren për  shërbimin e jashtëm dhe vlerësoj se sipas këtij ligji dhe kësaj rregulloreje, nuk ka asnjë kufizim në përcaktimin e gradës së parë të diplomatëve që janë të punësuar në MOJD, dhe vlerësoj se çdo gjë ka qenë konform rregullave”, tha Isma.

Ai ka folur edhe për gjendjen në të cilën e ka gjendur ministrinë kur marrë pozicionin në vitin 2022. Ka treguar se ka pasur mungesë të raportimeve dhe mungesë të rregullsive sa i përket regjistrimit të pasurisë. Shpenzimet e misioneve si avance që kishin arritur në vlerën 2.2 milionë eurove, sipas tij, brenda dy vjetëve të fundit janë ulur në vetëm 18 mijë euro. (EO)