LAJMET E MBRËMJES

Thaçi qëndroi për pak orë në Kosovë

Ish-presidentit Thaçi iu lejua vizita, pasi babai i tij është i shtrirë në Qendrën Klinike Universitare. Gjatë gjithë kohës, ai ishte i shoqëruar nga pjesëtarë të EULEX-it. Kjo është vizita e tretë e tij që nga arrestimi, pas atyre të 29 majit dhe 2 shtatorit 2023, të cilat po ashtu ishin lejuar shkaku i gjendjes së familjarëve të tij të afërm

Ish-presidenti Hashim Thaçi të enjten mbërriti në Kosovë për ta parë babanë e tij, që është i shtrirë në Qendrën Klinike Universitare.

Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara në Hagë, Michael Doyle, ka thënë për KOHËN se vizita u bë me lejen e gjyqtarëve të të dyja proceseve penale që po zhvillohen kundër tij.

“Për arsye humanitare bindëse, Trupi Gjykues dhe gjykatësja e Procedurës Paraprake kanë udhëzuar Zyrën Administrative që të menaxhojë një vizitë nën mbikëqyrje në Kosovë të Hashim Thaçit për ta takuar babanë e tij. Gjatë kësaj vizite nën mbikëqyrje i akuzuari mbetet në paraburgim të Dhomave të Specializuara”, ka thënë Doyle. 

Vizita e tij u realizua pas të paktën dy refuzimeve sivjet nga Specialja.

Kjo është vizita e tretë e tij, pas atyre të 29 majit dhe 2 shtatorit 2023, të cilat po ashtu ishin lejuar shkaku i gjendjes së familjarëve të tij të afërm. 

Familjarë të pacientëve, kalimtarë e bashkëluftëtarë e pritën në afërsi të Klinikës Interne Thaçin për të përshëndetur. Për pak çaste edhe ai u ndal shkallëve dhe ngriti dorën.

Një pjesë e stafit mjekësor të QKUK-së po ashtu vëzhgonte nga dritaret.

Vizita e Thaçit nisi në orën 11:00 e vazhdoi deri në orën 14:30. Gjatë gjithë kohës, ai shoqërohej nga pjesëtarë të EULEX-it.

Hashim Thaçi mbajti postin e kryeministrit në dy raste, të zëvendëskryeministrit në një rast dhe të presidentit, deri në kohën kur edhe u akuzua nga Specialja.

Ish-përfaqësuesi politik i UÇK-së është i vetmi i akuzuar i Speciales në dy raste: për krime lufte e krime kundër njerëzimit, si dhe për vepra penale që lidhet me frikësimin e dëshmitarëve. Në aktakuzën e re, në tri pika përmendet ish-presidenti për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, në katër të tjera për shkeljen e fshehtësisë së procedurës dhe në tri pika të tjera për mosbindje ndaj urdhrave të Gjykatës. Në aktakuzë thuhet se vitin e kaluar i akuzuari Fahri Fazliu, bashkë me të birin që nuk është i akuzuar në këtë rast, vepruan sipas udhëzimeve të Thaçit për ta kontaktuar një dëshmitar.

“Hashim Thaçi dhe Fadil Fazliu e diskutuan edhe mënyrën se si duhet të jepen udhëzimet që i dha Thaçi, duke u pajtuar që i biri i Fadil Fazliut, Fahri Fazliu, do ta kontaktojë Dëshmitarin 1, për ta caktuar një takim. Fadil Fazliu dhe Fahri Fazliu u takuan paraprakisht me Dëshmitarin 1 më 29 qershor 2023 pas shkëmbimit të mesazheve më 26 qershor 2023. Më 3 korrik 2023, Fahri Fazliu shkëmbeu mesazhe me Dëshmitarin 1 më vonë gjatë ditës, në përputhje me udhëzimet që Hashim Thaçi ia dha Fadil Fazliut”, thuhet në aktakuzë. 

Në bazë të vendimit për konfirmim të aktakuzës Thaçi tentoi të ndikonte tek ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, dhe tek ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Bislim Zyrapi. Dëshminë e Zyrapit në rastin për krime lufte, ai e vlerësoi si “të rëndësishme”. Sipas këtij vendimi, ZPS-ja pretendon se ai u dha vizitorëve udhëzime për mënyrën se si duhet të dëshmojnë dëshmitarët dhe porositi mysafirët që t’i japë informatë kthyese.

“Z. Thaçi i këshilloi vizitorët që të ktheheshin për t’u takuar me të përsëri pas një muaji, dhe z. Smakaj e z. Behrami vizituan z. Thaçi sërish në institucionet e burgimit të Dhomave të Posaçme më 7 tetor 2023 (‘Vizita më 7 tetor 2023’), ku, sipas SPO-së, z. Thaçi i dha udhëzime shtesë lidhur me mënyrën se si W04752 duhet të dëshmojë. SPO pohon se gjatë një kontrolli më 30 tetor 2023, një dokument që trajtonte temën e dëshmisë së W04752 dhe që përmbante një narrativë të përputhshme me udhëzimet e z. Thaçi për mënyrën se si W04752 duhet të dëshmojë, u gjet në makinën e z. Smakajt”, thuhet në dokument.

Në rastin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë janë edhe ish-shefi i AKI-së, Bashkim Smakaj, ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, dhe ish-pjesëtari i UÇK-së, Fadil Fazliu. Ata akuzohen për “Tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare” dhe “Mosbindje ndaj gjykatës”.

Ndërsa, ish-ministri Kuçi akuzohet për shpërfillje të gjykatës.

E, në rastin tjetër ku të akuzuar janë edhe ish-anëtarët e tjerë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së: Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, Thaçi, ata akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në bazë të aktakuzës së ZPS-së e publikuar në shkurt të vitit 2023, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me rreth 100 vrasje, pastaj për tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës 1998-1999.

ZPS-ja pretendon se kryen ndërmarrje të përbashkët kriminale, që ndërlidhet me gjashtë akuza për krime lufte. Shumica e viktimave të krimeve, sipas ZPS-së, janë shqiptarë, civilë dhe pjesëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Sipas ZPS-së, të akuzuarit kanë qenë në dijeni apo është dashur të jenë në dijeni shkaku i pozitave udhëheqëse në Shtab të Përgjithshëm, lidhur me pretendimet për krimet që janë kryer dhe kanë pasur qëllim që ta marrin pushtetin në Kosovë përmes tyre.

Ish-drejtuesit e UÇK-së i kanë mohuar të gjitha këto akuza. Ata kanë thënë se UÇK-ja nuk kishte hierarki të tillë, meqë peshën e kishin komandantët e zonave dhe se kishte për qëllim ta luftonte Serbinë e jo civilët.