Pa praninë e ish-presidentit Hashim Thaçit është zhvilluar të martën seanca e radhës në Dhomat e Specializuara. Thaçi nuk ka mundur të marrë pjesë në seancë për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, ka konfirmuar se Thaçi ka njoftuar nëpërmjet sekretarisë se nuk ndihej mirë. E avokati i tij, Luka Mishetiq, ka thënë se nuk ka më shumë informacione lidhur me mungesën e tij
Seanca gjyqësore e së martës në rastin e ish-udhëheqësve të UÇK-së para Gjykatës Speciale në Hagë është mbajtur pa praninë e ish-presidentit Hashim Thaçi, si pasojë e gjendjes së tij shëndetësore.
Në procesin në të cilin krahas Thaçit të akuzuar për krime gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë janë edhe Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, avokati i Lluka Mishetiq ka thënë se nuk ka informacion lidhur me mospraninë e klientit të tij në gjykatore.
“Zotëri Veseli, Krasniqi dhe Selimi janë të pranishëm në sallën e gjyqit. Zotëri Mishetiq, doni të na thoni diçka lidhur me pamundësinë e zotit Thaçi për të qenë i pranishëm”, e ka pyetur avokatin e Thaçit kryetari i trupit gjykues, Charles Smith.
“As unë nuk kam asnjë informacion, sekretarja e seancës më njoftoi që klienti nuk ndihej mirë dhe nuk mund të merrte pjesë në seancën e sotme”, i është përgjigjur Mishetiqi.
Pas këtij komunikimi, gjyqtari Smith i ka kërkuar avokatit Mishetiq që ta marrë pëlqimin e Thaçit për vazhdimin e seancës, pa praninë e tij.
Kjo i ka hapur rrugën thirrjes së një dëshmitari të ri, i cili ka dëshmuar të martën në seancë të mbyllur për publikun.
Mirëpo, prokurori James Pace ka bërë një prezantim të shkurtër të përmbajtjes së dëshmisë së tij, para se seanca të kalonte në sesion privat.
“Dëshmitari (W04419) dhe një person tjetër janë arrestuar nga anëtarë të UÇK-së në korrik të 1998 dhe janë mbajtur në dy vende, ku i kanë rrahur dhe i kanë akuzuar se janë spiunë. Dëshmitari (W04419) do të japë dëshmi lidhur me ndalimin dhe keqtrajtimin e një personi të tretë, në vendin e dytë ku është mbajtur i ndaluar dëshmitari (W04419)”, ka theksuar prokurori Pace.
Dëshmitari i 122-të pritet që dëshminë e tij ta vazhdojë edhe të mërkurën. E si prova materiale gjatë seancës të së martës janë pranuar deklaratat e dëshmitarit, të cilat janë dhënë më herët, së bashku me materialet përcjellëse.
Dhomat e Specializuara kanë njoftuar po ashtu se kanë marrë vendim për vazhdimin e masës së paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë për ish-presidentin Thaçi dhe për ish-kryetarin e Kuvendit, Veseli.
Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, akuzohen lidhur me ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në bazë të aktakuzës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) e publikuar në shkurt të vitit 2023, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me rreth 100 vrasje, pastaj për tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës 1998-1999.
ZPS-ja pretendon se kryen ndërmarrje të përbashkët kriminale që ndërlidhet me gjashtë akuza për krime lufte: Përndjekje (Pika 1), Burgosje (Pika 2), Akte të tjera çnjerëzore (Pika 4), Torturë (Pika 6), Vrasje e paligjshme (Pika 8), Zhdukje me dhunë (Pika 10), si dhe katër akuza për krime kundër njerëzimit, përfshirë këtu; Arrestim dhe ndalim i paligjshëm ose arbitrar (Pika 3), Trajtim mizor (Pika 5), Torturë (Pika 7) dhe Vrasje e paligjshme (Pika 9). Shumica e viktimave të krimeve sipas ZPS-së janë shqiptarë, civilë dhe pjesëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Sipas ZPS-së, të akuzuarit kanë qenë në dijeni apo është dashur të jenë në dijeni shkaku i pozitave udhëheqëse në Shtab të Përgjithshëm, lidhur me pretendimet për krimet që janë kryer dhe kanë pasur qëllim që ta marrin pushtetin në Kosovë përmes tyre. Ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha këto akuza. Ata kanë thënë se UÇK-ja nuk kishte hierarki të tillë, meqë peshën e kishin komandantët e zonave dhe se kishte për qëllim ta luftonte Serbinë e jo civilët.