LAJMET E MBRËMJES

Ish-presidenti Thaçi deklarohet i pafajshëm për akuzat për ndikim në dëshmitarë

Ish-presidenti Hashim Thaçi nuk e ka pranuar asnjë nga akuzat për frikësim të dëshmitarëve. Ai është deklaruar i pafajshëm nëpërmjet një shkrese që ia ka dërguar Gjykatës Speciale.

Ish-presidenti Hashim Thaçi është deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat e listuara në aktakuzën e ndryshuar, për veprat penale për pengim të administrimit të drejtësisë.

Këtë deklarim, ai e ka bërë me shkrim nëpërmjet mbrojtjes, njoftoi Gjykata Speciale me seli në Hagë.

Më shumë se katër vjet më parë, Thaçi dha dorëheqje nga posti i presidentit, pasi Specialja ngriti aktakuzë për krime lufte ndaj tij dhe ish-kryeparlamentarëve Jakup Krasniqi e Kadri Veseli, si dhe ndaj ish-deputetit Rexhep Selimi. Ata akuzohen për rolin që kanë pasur si anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

E, vitin e shkuar ndaj Thaçit u ngrit aktakuzë e re për frikësim të dëshmitarëve. Atëkohë, ai paralajmëroi se do të deklarohej brenda afatit ligjor mbi pretendimet e prokurorisë.

“Unë nuk kam pasur mundësi për shkak të angazhimeve tjera që të diskutoj në thelb dokumentin e konfirmuar nga ana e juaj, prandaj do të deklarohem me kohë brenda afatit të rregullt kushtetues dhe ligjor”, pati thënë ai.

Ish-presidenti u ankua se veprimet e Speciales kanë prapavijë politike.

“E di se Kosova është në prag të zgjedhjeve të përgjithshme elektorale. Por, unë nuk jam pjesë e garës elektorale. Unë nuk paraqes rrezik politik për askënd”, pati deklaruar Thaçi.

Bashkë me Thaçin, për ndikim në dëshmitarë janë akuzuar edhe Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Kilaj dhe Hajredin Kuçi.

Ndërkaq, për akuza të natyrës së njëjtë, në marrëveshje me prokurorinë e kanë pranuar fajësinë Haxhi Shala, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari. Shala është dënuar me 3 vjet burgim, ndërsa dy të tjerët me nga dy vjet burgim.