Derisa arratisjen e tij të enjten e ka përgëzuar udhëheqësi i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Faton Klinaku, i cili në një postim në Facebook e ka akuzuar shtetin maqedonas për zbatim të urdhrave të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në Maqedoninë e Veriut akterët shtetërorë kanë shkëmbyer akuza ndaj njëra-tjetrit, ndërsa në Serbi e kanë akuzuar gjyqësorin maqedonas
Reagime të shumta ka nxitur në Kosovë dhe në Maqedoni të Veriut arratisja e ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Blerim Ramadani, nga arresti shtëpiak, masë kjo që i është shqiptuar nga drejtësia në Shkupin zyrtar pas arrestimit të tij muajin e shkuar, bazuar në një fletarrestim të lëshuar nga Serbia.
Ramadani është arrestuar më 17 korrik në pikëkalimin kufitar Jazhincë, midis Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, pasi Gjykata në Beograd e ka akuzuar për krime lufte.
Arratisjen e tij të enjten e ka përgëzuar udhëheqësi i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Faton Klinaku, i cili në një postim në Facebook e ka akuzuar shtetin maqedonas për zbatim të urdhrave të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
“Shteti artificial i Maqedonisë paska lëshuar fletarrestim ndaj tij, sepse do që të zbatojë urdhrat e Vuçiqit. Ky pushtet i ardhur në Maqedoni, e që fatkeqësisht në emër të ndryshimit u ndihmua nga Kurti, po i përndjek veteranët e luftës së UÇK-së. Por, le ta kuptojnë se nëse vazhdohet kjo politikë e përndjekjes së shqiptarëve, për çdo eskalim të situatës do të jenë përgjegjës”, ka shkruar ai.
Në Maqedoni të Veriut akterët shtetërorë kanë shkëmbyer akuza ndaj njëri-tjetrit teksa në Serbi e kanë akuzuar gjyqësorin maqedonas.
Ivica Daçiq, ministër i Brendshëm i Serbisë, e ka quajtur skandaloze arratisjen e Ramadanit, teksa i ka kërkuar sqarime Shkupit zyrtar lidhur me ikjen e tij.
“Ai është pjesëtar i UÇK-së, i cili ka kryer krime kundër serbëve në Kosovë, të cilin Serbia po e kërkon në mënyrë që të përballet me gjyqin”, ka thënë ai, bazuar në një njoftimit të Ministrisë së Brendshme të Serbisë.
E në Maqedoninë e Veriut, ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski, ka akuzuar gjyqësorin për rastin.
“Në rastin e arratisjes së Blerim Ramadanit pyetja do të duhej të ishte përse gjykata vendosi që në vend të paraburgimit efektiv t’i vendoset arrest shtëpiak. Unë njoh juristë të shkolluar në LSDM të cilët e kuptojnë ndarjen e pushtetit dhe e dinë se MPB-ja dhe gjykata janë institucione të ndryshme, por është për të ardhur keq që Kryesia e LSDM-së dhe sektori i tyre për marrëdhënie me publikun i injorojnë këto fakte dhe akuzojnë që të fitojnë pak pikë politike”, ka shkruar Toshkoski në Facebook.
Arben Taravari, i cili e përfaqëson koalicionin VLEN, ka shprehur qëndrimin se Ramadani është dashur që të lirohej qysh nga fillimi.
“E di se Blerim Ramadani është dashur prej ditës së parë të lirohet, por fatkeqësisht një prokuror prej Kërçove nuk e la atë mundësi që atë ditë të lirohet dhe e komplikoi situatën. Më tutje, çfarë ka ndodhur nuk kam dijeni, por besoj që institucionet përkatëse do të japin informata”, ka thënë Taravari në një konferencë për media gjatë një përurimi në Spitalin e Tetovës.
Në BDI, subjekt ky opozitar shqiptar në Maqedoninë e Veriut, e kanë fajësuar koalicionin VLEN për zhbërjen e arritjeve të politikës shqiptare, duke lejuar arrestimin e pjesëtarëve të UÇK-së.
“Poshtërimi çdo ditë po thellohet dhe nuk kalon asnjë ditë e vetme pa skandal të përmasave dekadëshe. Për vetëm 50 ditë qeverisje pa legjitimitet, VasaLENi i zhbëri të gjitha të arriturat kombëtare dhe së fundmi duke poshtëruar edhe ish-ushtarët e UÇK-së me urdhër të drejtpërdrejtë nga Vuçiqi dhe Serbia”, thuhet në një reagim të këtij subjekti.
Në BDI akuza kanë drejtuar edhe kundër kryeministrit Hristian Mickoski, i cili gjatë ditës ka deklaruar se eksponentë të ish-pushtetit “po bëjnë përpjekje që të provokojnë konflikt etnik”. Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka ngritur shqetësim te shefi i misionit të BE-së në Maqedoninë e Veriut, David Geer, duke e fajësuar Mickoskin për përpjekje për të inskenuar acarimin ndëretnik.
Për rastin e Ramadanit, një gjykatë maqedonase vendosi më 1 gusht që ai të mbahej në arrest shtëpiak në një adresë në Shkup, ku do të duhej të qëndronte deri më 16 gusht.
Autoritetet e Serbisë, sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës (MPJD), e kanë akuzuar Ramadanin se ka kryer krime lufte në rajonin e Nerodimes verën e vitit 1999. Ramadani, sipas MPJD-së, ka qenë anëtar i Zonës Operative të Nerodimes të UÇK-së. Ekstradimin e tij në Serbi e pati kërkuar Daçiqi gjatë një vizite në pikëkalimin kufitar të Tabanovcit më 25 korrik.
Çështja e ekstradimit është ngritur edhe gjatë vizitës të ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla, në Shkup më 31 korrik. Ai pati deklaruar se Shkupi zyrtar duhet të vendosë në mënyrë të pavarur për këtë çështje dhe e ka akuzuar Serbinë se dëshiron që t’i prishë raportet mes shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Së fundi, autoritetet në Serbi kanë arrestuar edhe katër shtetas të tjerë të Kosovës, të cilët Beogradi i ka akuzuar për krime lufte. Autoritetet në Kosovë e kanë cilësuar si arbitrar dhe të padrejtë arrestimin në Serbi të qytetarëve kosovarë për këto akuza dhe e kanë kërkuar ndihmën e faktorit ndërkombëtar për lirimin e tyre.
Në fillim të korrikut, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, nëpërmjet një letre dërguar homologes serbe, ka kërkuar transferimin e shtetasve të Kosovës që po mbahen në Serbi. Haxhiu ka deklaruar se Serbia vështirë se do t’i përgjigjet kërkesës së autoriteteve kosovare për ekstradimin, shkaku i mosbashkëpunimit të vazhdueshëm juridik.
Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se Kosova ka juridiksion të njohur ndërkombëtarisht mbi trajtimin e veprave që kryhen brenda territorit të saj. Serbia, në strategjinë e saj kombëtare për vitet 2021-2026 për ndjekje të krimeve të luftës, ka pretenduar se ka juridiksion për të vënë drejtësi për krimet e kryera gjatë konflikteve të armatosura në vitet ’90.
Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshje për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike më 2013, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE), por bashkëpunim mes tyre për rastet e krimeve të luftës nuk ka pasur pothuajse fare.