LAJMET E MBRËMJES

Ish-ministrja lirohet nga akuza për financim të fushatës së saj me para të shtetit

Ish-ministrja Dhurata Hoxha është liruar nga akuzat e Prokurorisë Speciale për korrupsion. Me aktakuzën e ngritur para dy vjetësh, Hoxha akuzohej se përdori paratë e destinuara për fushata vetëdijesuese në kuadër të Ministrisë së Integrimeve për fushatën zgjedhore të saj për zgjedhjet e vitit 2019. Ajo u liria nga akuzat edhe në prill, për një rast tjetër

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka liruar ish-ministren Dhurata Hoxha dhe tre të akuzuar të tjerë nga akuzat për korrupsion.

Kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismaili, në seancën e së hënës, që ishte e 16-ta për këtë rast, ka thënë se nuk është vërtetuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen.

“Ky trup gjykues e bazon këtë aktgjykim në provat e prezantuara në seancat e shqyrtimeve gjyqësore, me ndërgjegje dhe koncentrim të shtuar, i vlerësoi çdo provë një nga një dhe në lidhje me provat e tjera. Andaj në bazë të vlerësimit të saj ka ardhur në përfundim se në këtë çështje penale nuk janë provuar fakte konkrete të cilat përbëjnë elementet kryesore të veprës penale e cila iu vihet në barrë të akuzuarve. Andaj në mungesë të të gjitha këtyre provave Gjykata nuk ka mundur të vërtetojë përtej dyshimit të bazuar se të akuzuarit e kanë kryer veprën penale për të cilën janë akuzuar”, ka thënë Ismaili. 

Më 12 maj 2022, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare kundër Dhurata Hoxhës - ish-ministre e Integrimeve Evropiane, Fitim Mustafës - zyrtar i prokurimit në këtë ministri, e Gëzim Dushit - menaxher i kontratave. Derisa Ekrem Tahiri - bashkëpronar dhe drejtor i kompanisë “PR Solutions”, akuzohet për ndihmë në kryerjen e keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Organi i akuzës pretendon se Hoxha përdori paranë publike të ndarë për fushatë informuese lidhur me procesin e liberalizimit të vizave dhe për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit, duke e financuar fushatën e saj për zgjedhjet e vitit 2019. Fitim Mustafa, sipas aktakuzës, si zyrtar i prokurimit, ka ndryshuar kriteret e tenderit ashtu që të fitojë kompania me ofertë mbi 192.000 euro më shtrenjtë.
Lidhur me Dushin, Prokuroria pretendon se ka lejuar të pranoheshin punët e të kryheshin pagesat, duke e ditur se kontrata me operatorin ekonomik po shkelej.

E për Tahirin akuza ka të bëjë se nuk i ka kryer shërbimet në përputhje me kushtet e kontratës. 

Kjo nuk është hera e parë që ish-ministrja Hoxha dhe zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Integrimeve Evropiane janë liruar nga akuzat për korrupsion. Në prill të vitit 2024, Hoxha dhe katër të pandehur të tjerë u liruan për një rast tjetër, po ashtu të akuzuar për keqmenaxhim me kontrata të lobimit.