Ish-ministrat e Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi dhe Endrit Shala, janë deklaruar të pafajshëm të mërkurën në akuzat e Prokurorisë për korrupsion në tregun e naftës. Krasniqi është i akuzuar se u ka bërë favor privatëve, për çka ka shkaktuar dëm publik prej 11.2 milionë eurosh, ndërsa Shala se i ka bërë favor baxhanakut
Dy ish-ministrat e Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi dhe Endrit Shala, janë deklaruar të pafajshëm në akuzën e Prokurorisë Speciale për korrupsion, në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Në këtë rast, Shala akuzohet se i ka bërë favor baxhanakut, duke i mundësuar përfitim të kundërligjshëm të mbi 700.000 eurove.
“...ka nënshkruar, përkatësisht miratuar vendimin për emërim 01.Ref.nr.36, datë 30.05.2019, me të cilin Operatori ekonomik (OE) me emrin tregtar: N.Sh. ‘Euro Inspekt’ dhe emrin e biznesit: Valdet S Teneqja B.I. me NUI: 810117194 dhe NUI inspektues: 001, është emëruar si trupë inspektuese për vlerësimin e konformitetit të karburanteve të lëngëta të naftës në Kosovë, e cila kompani është në pronësi të personit Valdet Teneqja, me të cilin i pandehuri ka lidhje krushqie, pasi të atë e ka baxhanak, me të cilin veprim i ka mundësuar atij dhe biznesit në pronësi të tij, realizim të interesit financiar, përkatësisht të dobisë pasurore si rrjedhojë e këtij vendimi të kundërligjshëm, në lartësi 732,642.283 euro”, thuhet në aktakuzë.
E dëmi që ka shkaktuar ish-ministri Krasniqi, sipas aktakuzës, është shumë më i madh – mbi 11 milionë euro. Sipas prokurorisë, një vendim i tij ka rezultuar me ngritje të çmimit të karburanteve në nivel të Kosovës.
“...duke e kaluar këtë çështje te operatorët ekonomikë privatë, ku si rrjedhojë e kësaj, në një proces jotransparent dhe të parregullt të zbatuar nga MTI-ja, me vendimin 01.Ref.nr.53, datë 30.12.2020 kishte emëruar kompaninë zvicerane, OE "Sicpa SA" (CHE-105.732.246) si trupë e cila do të kryejë shënjimin dhe monitorimin e derivateve të lëngëta të naftës, ndërsa më datë 14.01.2021 kishte nënshkruar kontratën me këtë OE, nga e cila është dëmtuar interesi publik në lartësi 11,235,706.31 euro, duke krijuar kosto shtesë të produkteve të derivateve të naftës, me qëllim përfitimi për kompaninë private si dhe duke rritur çmimin final të karburanteve për konsumatorët në tregun e Republikës së Kosovës si dhe duke e ekspozuar shtetin ndaj rreziqeve nga inicimi i procedurave ligjore me bazë kontraktore”, specifikohet në aktakuzë.
Violeta Namani-Hajra, kryetare e trupit gjykues, i ka udhëzuar dy të pandehurit se mund të parashtrojnë kërkesë për hedhje të aktakuzës dhe që të paraqesin kundërshtime lidhur me provat brenda periudhës prej 30 ditësh.
Shala dhe Krasniqi kanë qenë ministra në kohën e koalicionit PAN. Të dy kanë qenë pjesë e partisë NISMA.