LAJMET E MBRËMJES

Ish-kryeshefi i KEK-ut i akuzuar për korrupsion deklarohet i pafajshëm

Ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, është deklaruar i pafajshëm në akuzat e Prokurorisë Speciale për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Prokuroria po pretendon se ai ka bërë tregti të rrymës me një kompani sllovene të palicencuar në kundërshtim me ligjin për energjinë dhe atë të rregullatorit të energjisë. Kjo tregti sipas organit të akuzës, i ka sjellë përfitime kompanisë sllovene dhe dëm buxhetit publik

Nagip Krasniqi, kryeshef i Korporatës Energjetike të Kosovës në periudhën 2021-2023, është deklaruar i pafajshëm në akuzat e Prokurorisë Speciale. 

Në shqyrtimin fillestar para Gjykatës Themelore në Prishtinë, të martën, prokurori i Prokurorisë Speciale, Dren Paca, ka thënë se i akuzuari e ka lejuar tregtimin e energjisë me kompaninë sllovene “Holding Slovenske Elektrane” në kundërshtim me Ligjin për Energjinë dhe atë për Rregullatorin e Energjisë.

Tek ka lexuar aktakuzën, Paca ka thënë se veprimet e të pandehurit nga 15 tetori 2021 deri më 19 prill 2023 kanë shkaktuar humbje milionëshe në KEK, humbje tatimore në Administratën Tatimore, si dhe është bërë diskriminim i operatorëve të tjerë të licencuar pranë Zyrës së Rregullatorit të Energjisë. 

“Me dashje aprovon blerjet, nënshkruan kontratat dhe autorizon nënshkrimin e tyre si dhe konfirmon vazhdimin e tregtimit me operatorin në fjalë, ani pse ishte në dijeni se nuk mund të tregtohej energji elektrike me këtë operator, derisa ai nuk licencohej apo nuk i njihej licenca nga Zyra e Rregullatorit për Energji me ç’rast të njëjtit i mundësohet përfitimi pasuror dhe shmangia nga pagesa tatimore në Republikën e Kosovës”, ka deklaruar prokurori Paca. 

Prokuroria pretendon se me veprimet e Krasniqit shteti është dëmtuar me 531.920 euro tatime, si dhe KEK-u me mbi 3.2 milionë euro, shkaku që është gjobitur nga ZRRE-ja për tregti me ndërmarrje të palicencuar në Kosovë. 

E Krasniqi nuk i ka pranuar këto akuza. 

Në pyetjen e kryetarit të trupit gjykues, Arben Hoti, se si deklarohet, Krasniqi u shpreh: “Plotësisht i pafajshëm”.

Sipas aktakuzës së ngritur më 19 gusht 2024, Krasniqi ka shpërfillur mendimin e ZRRE-së, një zyrtari ligjor të ndërmarrjes që udhëhiqte e po ashtu edhe të një grupi punues të KEK-ut i cili merrej me raportin e ZRRE-së që evidentoi shkeljen dhe gjobiti ndërmarrjen.

E nga përmbledhja e deklaratës së Krasniqit para Prokurorisë, në aktakuzë thuhet se ai ka ngulur këmbë se nuk ka bërë asgjë të kundërligjshme, se ka menduar se opinioni i ZRRE-së nuk është obligativ, pasi rryma është tregtuar jashtë Kosovës, meqë ka vlerësuar se kompania sllovene nuk ka nevojë të rilicencohet në Kosovë në bazë të nenit 32 të Ligjit për Energjinë. 

E përfaqësuesi i shtetit, avokatura shtetërore siç njoftoi kryetari i trupit gjykues Arben Hoti, ka dërguar parashtresë me të cilën thotë se e mbështet aktakuzën e Prokurorisë Speciale dhe parashtron kërkesë për kompensim.

E pas vetëdeklarimit si i pafajshëm, gjyqtari e udhëzoi Krasniqin që brenda afatit 30 ditor mund të paraqesë kërkesë për hedhje të aktakuzës dhe t’i kundërshtojë provat në Gjykatën e Apelit.